Pas raportimeve të aksidentit që ka ndodhur në hotelin turk në Bolu të Turqisë, që la mbi 60 persona të vdekur e mbi 50 të tjerë të lënduar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet e saj në emër të popullit të Kosovës.
Presidentja Osmani është shprehur thellësisht e mërzitur nga aksidenti në Bolu dhe u ka dëshiruar shërim të shpejtë të lënduarve.
“Në emër të Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet tona më të thella te familjet dhe të dashurit e tyre – duke vuajtur për këtë humbje shkatërruese. Ne u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të lënduarve. Në këtë kohë të vështirë, solidariteti dhe mendja jonë është me presidentin Rexhep Taip Erdogan dhe popullin e Turqisë.” – ka shkruar Osmani në platformën X, më 21.01.2025.
Rreth 66 persona kanë vdekur dhe 51 janë lënduar, pasi zjarri ka përfshirë një hotel në rezortin turk në Bolu, më 21.01.2025 – kanë konfirmuar zyrtarët turq – raporton të martën, më 21.01.2025, transmetuesi britanik BBC.
Fillimisht u raportua se numri i të vdekurve ishte dhjetë persona në orët e para pas shpërthimit të zjarrit – njoftoi Ministria e Brendshme e Turqisë. Së paku dy prej viktimave kanë vdekur, pasi janë hedhur nga dritaret e hotelit – raportojnë mediat turke.
Lajmin e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.
Zjarri ka shpërthyer në orën 03:27 në hotelin 12-katësh “Grant Kartal”, gjatë një periudhe të ngarkuar pushimesh në kohën kur në bujtinë ndodheshin 234 persona – ka shtuar ai.
Pamjet që kanë qarkulluar në Turqi tregojnë çarçafë të varur për kornizat e dritareve, që tregon se njerëzit ishin munduar të shpëtonin prej zjarrit që kishte përfshirë ndërtesën.
Guvernatori i Bolut, Abdulaziz Aydin ka thënë se raportet e para sugjerojnë se zjarri kishte shpërthyer prej pjesës së restorantit që ndodhej në katin e katërt dhe se ishte përhapur në katet e sipërme.
Hoteli po hetonte nëse mysafirët ishin ngujuar në dhoma, derisa zjarri kishte përfshirë pjesë të tjera.
Malet Bolu janë të njohura për skijatorët nga Stambolli e kryeqyteti Ankara dhe hoteli po operonte me numër të lartë vizitorësh, për shkak se porsa kishte nisur pushimi dimëror dyjavor i shkollave.
Ministri turk i Drejtësisë, Yilmaz Tunc ka thënë se prokurorët kanë dalë në vendin e ngjarjes për ta hetuar shkakun e zjarrit.