Ballina

Etiketë: Zjarrevenie ne Rahovec

  • Zjarri në Fabrikën në Rahovec – Kryetari Latifi thotë se dëmet janë të mëdha

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka reaguar pas zjarrit që kaploi Fabrikën e Plastikës, më 21.01.2025, në fshatin Fortesë të kësaj Komune.

    Duke shprehur keqardhje për ngjarjen e rëndë, siç e ka cilësuar, Latifi shkroi se dëmet materiale janë të mëdha, por nuk janë vlerësuar ende.

    “Shpreh keqardhjen time të thellë për këtë ngjarje të rëndë, që ka prekur këtë biznes të rëndësishëm për Komunën tonë! Fatmirësisht, nuk ka pasur dëme në njerëz – gjë që është një lehtësim i madh për të gjithë ne. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha dhe ende nuk janë vlerësuar plotësisht. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar dhe është shmangur përhapja e tij në zonat përreth.” – shkroi Latifi.

    Kryetari i Rahovecit tha se biznesi i dëmtuar do ta ketë mbështetjen e Komunës.

    “Dua të shpreh mirënjohjen time për Njësinë e Zjarrfikësve të Rahovecit, si dhe për ndihmën e vyer të Njësive të zjarrfikësve nga Gjakova, Prizreni dhe Malisheva, të cilët dëshmuan solidaritet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm! Po ashtu, falënderoj Policinë e Kosovës për angazhimin e tyre në sigurimin e rendit dhe mbështetjen në menaxhimin e situatës! Do të ofrojmë mbështetje për këtë biznes dhe do të bëjmë gjithçka që është në mundësinë tonë, për të ndihmuar në përballimin e pasojave të kësaj fatkeqësie!” – tha në mes të tjerash kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

    Zjarri që kaploi Fabrikën në orët e para të mëngjesit, sipas Policisë është iniciuar si rast: “zjarrëvënie”.

    https://kallxo.com/lajm/digjet-fabrika-e-plastikes-ne-rahovec-dyshohet-per-zjarrevenie/

  • Digjet Fabrika e Plastikës në Rahovec – dyshohet për zjarrëvënie

    Një Fabrikë e Plastikës në Fortesë (Bellacerkë) të Rahovecit është përfshirë nga zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm, më 21.01.2025.

    Aktualisht, zjarrfikësit janë duke u angazhuar për shuarjen e zjarrit, teksa nuk raportohet për të lënduar.

    Policia Rajonale e Gjakovës konfirmoi për KALLXO.com se zjarri është iniciuar si “zjarrëvënie”.

    “Rreth orës 05:50 të mëngjesit, një zjarr ka përfshirë një Fabrikë për Produkte plastike në fshatin Bellacerkë-Rahovec. Njësitë policore përkatëse kanë dalë menjëherë në vendngjarje. Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët janë aktualisht të angazhuar në shuarjen e zjarrit. Nuk është raportuar për pasoja në njerëz. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit është iniciuar rasti, si: ‘zjarrëvënie’.” – tha Sheremet Elezaj, nga Policia e Gjakovës.

    Sipas Policisë, zjarri është lokalizuar.