Ballina

Etiketë: Zhvillimi ekonomik

  • Verifikimi i fakteve nga BIRN: A po ia kthen Kosova shpinën varfërisë qysh pretendon kryeministri?

    Prodhimi ekonomik është në rritje dhe shkalla e varfërisë ka shënuar rënie të lehtë, por ekonomia e Kosovës vazhdon të mbetet me të madhe e varur prej konsumit dhe investimeve të diasporës në pasuri të paluajtshme, e asnjëra prej tyre nuk do të krijojnë shumë vende pune ose ta vënë vendin në binarët e prosperitetit real

    Në kohën e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025, kryeministri Albin Kurti pretendoi gjatë muajit se Kosova ka bërë “hapa enormë të daljes nga varfëria”.

    “Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është rritur për 50 për qind krahasuar me vitin parapandemik 2019” – ka thënë ai.

    Megjithatë nuk është bash ashtu, së paku bazuar në të dhënat e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që sugjerojnë se PBB-ja është rritur për 41.4 për qind ndërmjet viteve 2019 dhe 2024.

    Duke u faktorizuar shkaku i inflacionit, shkalla e vërtetë e vlerësuar e rritjes së PBB-së së Kosovës në 2024 ishte 3.8 për qind, pra më e ulët se 4.8 për qind sa ishte regjistruar më 2019. Hiseja më e madhe e saj kishte ardhur shkaku i konsumit dhe i investimit të diasporës në sektorin e patundshmërive, asnjëra prej të cilave nuk paraqesin bazë të shëndoshë për zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

    Pretendimi i Kurtit u tha disa ditë pasi Jane Sprouster, zëvendësmenaxhere për Kosovë e Bankës Botërore, deklaroi për “Kosova Press” se të ardhurat për kokë banori në Kosovë “mbesin të ulëta” krahasuar me mesataren e Bashkimin Europian dhe se “shkalla e varfërisë mbetet e lartë”, me pak mbi 19 për qind të popullsisë që jetojnë me më pak se pesë euro në ditë.

    Banka Botërore vlerëson se në vitin 2024, shkalla e varfërisë ka rënë 2.2 pikë të përqindjes në 19.2 për qind; në vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Shqipëria ka shkallë më të ulët – 20.1 për qind – porse është përmirësuar më shpejtësi më të madhe se ajo e Kosovës në pesë vitet e fundit.

    Sa për të ardhurat për kokë banori, Kosova ngel prapa pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, me një mesatare prej 5.889 euro në vit.

    Në Europë, vetëm Ukraina, e cila është në luftë me forcat pushtuese ruse që nga viti 2022, ka mesatare më të ulët për kokë banori, diku nja 600 euro më pak.

    Kritikat për ngritjet e pagave dhe “lëmoshave” sociale

    Qeveria e Kurtit është e para që do të mbarojë një mandat të plotë katërvjeçar prejse Kosova e shpalli Pavarësinë prej Serbisë më 2008, pothuajse një dekadë pasi ishte shpallur protektorat i Kombeve të Bashkuara pas luftës së viteve 1998-99.

    Stabiliteti ishte rezultat i fitores bindëse në zgjedhjet e fundit parlamentare, por qeveria është kritikuar për dështim për investim në rritje ekonomike dhe, së fundmi për ngritjen e pagave dhe shtesave sociale, për të cilat kritikët i panë me sy të dyshimtë si lëmoshë parazgjedhore.

    Ato përfshinin një “shtesë” prej 100 eurosh në fundvit për pensionistët dhe fëmijët, kumtuar nga Kurti më 22 dhjetor, dhe një ngritje pensioni prej 20 për qind në tetor. Këtë muaj, Kurti bëri të ditur një ngritje tjetër prej 20 për qind për “kategoritë të lidhura me luftën”; familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e luftës, viktimat e dhunës seksuale të luftës, viktimat civile të luftës dhe familjet e tyre.

    Hykmete Bajrami, ish-ministre Financash nga radhët e LDK-së në opozitë, i ka përshkruar masat si “skemë e korrupsionit publik”.

    Shtesa prej 100 eurosh veçanërisht duken “më shumë si një shpërndarje e parave në kohë fushate, sesa si një masë e bazuar në analizë dhe targetim social”, ka deklaruar në dhjetor Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësisë (IKD), për Radio Europën e Lirë. Këto shtesë përbëjnë “asistencë të përkohshme”, ka thënë ai, “por nuk përbëjnë një politikë publike të mirëfilltë dhe të qëndrueshme”.

    Më herët në gusht, Kurti kishte thënë se Qeveria e tij kishte rritur pagën minimale në 350 euro nga 170 euro për personat ndërmjet 35 dhe 65 vjeç dhe 130 për ata nën 35 vjeç. Në fund të tetorit, zyrtarëve publikë iu premtua një rritje prej 55 eurosh duke nisur nga janari.

    Ekspertët atëherë i deklaruan BIRN-it se dyfishimi i pagës minimale mujore para taksave me gjasë nuk do të ketë efekt të rëndësishëm në ekonomi duke pasur parasysh se paratë do të shpenzohen kryesisht për nevoja elementare sesa për të përshpejtuar rritjen ekonomike.

    Visar Vokrri, ekonomist në grupin e pavarur të mendimit, Instituti Riinvest, në Prishtinë, ka thënë për BIRN-in se ngritja minimale u duk si “një masë e mirëmenduar e fushatës parazgjedhore nga qeveria”, e kalibruar për t’i kënaqur punëtorët pa i frikësuar pronarët e bizneseve “për të treguar se qeveria po bën ndryshime pozitive”.

    Masat pasuan ndryshime të ngjashme të mëhershme në mandatin e qeverisë, si shtesa e përmuajshme financiare për prindërit që kanë fëmijë nën 16 vjeç, duke nisur nga 10 e 30 euro në muaj.

    Megjithatë, varfëria dhe kostoja e jetesës mbeten shqetësime të vërtetë për shumë kosovarë.

    Në raportin e korrikut 2023 të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) nxirrej përfundimi se “krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023 një shtesë prej dhjetë për qind e familjeve të anketuara po jetonin poshtë pragut prej 1.85 eurosh në ditë kur shtohen edhe ngritjet e çmimeve”.

    Në vitin 2023, BIRN-i raportoi për një ngritje të kostos së përjavshme mesatare të shportës familjare në 82 euro krahasuar me 62 euro në vitin 2021.

    Rritja e paqëndrueshme ekonomike

    Në raportin ekonomik të vjeshtës 2024 për Ballkanin Perëndimor, Banka Btërore shkruante për Kosovën: “Modeli i rritjes ekonomik i Kosovës bazohet kryesisht në konsum dhe investim ndërtimtarie, të financuar theksueshëm prej diasporës së vendit”.

    “Investimet e huaja të drejtpërdrejta në vitin 2024 vazhdojnë të rriten, por mbesin kryesisht të qendërsuara në patundshmëri”.

    Në një verifikim të fakteve në shtatorin e vitit 2023 pasi Kurti pretendoi se kishte dyfishuar investimet e huaja të drejtpërdrejta, BIRN-i raportoi se të dhënat tregonin se pothuajse dy të tretat e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në vitin 2022 shkuan në patundshmëri, specifikisht në blerjen e pronave prej shqiptarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, dhe jo në sektorë të lidhur tradicionalisht me krijim të vendeve të punës ose rritjes ekonomike.

    Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore, periudha ndërmjet janarit dhe shtatorit 2024 rezultoi me 657.3 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta, një rritje prej 6.2 për qind, ose 38.5 milion euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 kur patundshmëritë gjithashtu kishin tërhequr shumicën e investimeve, apo rreth 71 për qind.

    “Këto nuk janë investime të qëndrueshme, por investim diaspore në blerje patundshmërish”, ka thënë për BIRN-in në shtator 2023 Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Europianë në Kosovë, një shoqatë e investitorëve të huaj të mëdhenj.

    Sipas Bankës Botërore, “rritja e konsumit privat (9.7 për qind në vit) pati kontributin më të madh” për PBB-në dhe “në anën e ofertës, taksat të lidhura me produktet e konsumit kontribuuan më së shumti rritjes ekonomike”./BalkanInsight.com

  • Central me gaz, aviokompani dhe investime miliardëshe: Plani i LDK-së për zhvillimin ekonomik

    Central me gaz, eliminim të TVSh-së për energji elektrike, 5 miliardë euro investime kapitale, rritje të pensioneve dhe pagave, janë disa nga synimet që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i ka listuar në programin zgjedhor, me të cilin pretendon të rikthehet në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Me përvojë në fushën e ekonomisë, tre kandidatë për deputetë nga LDK-ja, janë shprehur të bindur që në Kosovë nuk ka oligarkë e as kartele, siç pretendon Lëvizja Vetëvendosja, teksa kanë premtuar se nëse LDK-ja e krijon Qeverinë, do ta ngrisin zhvillimin ekonomik përmes ndërtimit të centralit me gaz, rritjes së pagave e pensioneve si dhe duke bërë investime kapitale në vlerë prej 5 miliardë eurosh.

    Berat Rukiqi, Sokol Havolli e Besian Mustafa në “DebatPërnime” të transmetuar më 24.01.2025, fajësuan Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për ngecje në zhvillimin ekonomik, kapje të institucioneve të pavarura dhe importim të lartë të energjisë elektrike.

    Duke shpalosur programin e tyre “Rruga e Re”, të tre këta kandidatë për deputetë premtuan se shumicën e projekteve do t’i përfundojnë brenda mandatit të parë, nëse arrijnë t’i fitojnë zgjedhjet parlamentare.

    A ka oligarkë në Kosovë? 

    Kryeministri Kurti në disa raste ka përmendur “oligarkët në Kosovë”.

    Oligarkët janë një grup njerëzish që kanë kontrollin e një vendi, organizate ose institucioni.

    LDK-ja beson që në Kosovë në parim nuk ekziston një gjë e tillë, mirëpo në anën tjetër thonë se nëse ekziston një oligark në vend, atëherë ai është ambasadori në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është i dyshuar për tri vepra të ndryshme penale.

    Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.

    Kandidati Berat Rukiqi, i cili ka qenë kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës fajëson kryeministrin Kurti se po përdorë frazeologji të tilla për konsumet e tij si populist.

    Rukiqi tha se në Kosovë mund të ketë probleme të bizneseve specifike në raport me ligjin, por nuk oligarkë, meqë vetë tranzicioni i Kosovës nuk e ka mundësuar fenomenin e oligarkisë, përmes të cilit një grup i caktuar kontrollon të gjitha asetet shtetërore.

    Kandidati i LDK-së për deputet, Berat Rukiqi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Shumica e bizneseve te na edhe në vitet e ‘90-ta, edhe pas viteve të ‘90-ta, janë njerëz që nga zori, nga humbja e vendeve të punës, nga nevoja për mbijetesë i kanë krijuar bizneset e tyre. Masandej me rritjen e ekonomisë, dikush është rritë më shumë e dikush më pak”- tha ai.

    Ai shprehu bindjen se nëse veç ka oligarkë në Kosovë, atëherë është një që e ka krijuar Qeveria Kurti, e që quhet Martin Berishaj.

    “Ai haptazi në bankë në Prishtinë ka tërhequr miliona euro. Duhet me dhanë përgjegjësi, është ambasador, ka funksion zyrtar, është konflikt i pastër interesi në radhë të parë, e pastaj edhe të gjitha ato kontratat e tjera që janë në hetim. Nuk dua ta komentoj punën e organeve të rendit, por nëse ka një oligark që e ka përdor dhe keqpërdor një aset për shitblerje të energjisë dhe kontrata të dëmshme që janë nën hetim, ai është Martin Berishaj, me plotë të tjerë”- tha ai.

    Ndërkaq, kandidati Besian Mustafa fajësoi Qeverinë e Kosovës në një segment tjetër të kësaj çështjeje. Për të, vetë Qeveria ka bërë veprime për të krijuar oligarkë duke mos emëruar për dy vite Bordin e Autoritetit të Konkurrencës që ka për qëllim ligjor sigurimin e konkurrencës.

    Përveç saj, ai akuzoi se dy vitet e para, Qeveria e la qëllimisht jofunksionale Gjykatën e Tenderëve (OSHP-në), në mënyrë që të shpërndajë tenderë njëburimorë më vonë.

    “Pastaj më vonë e zbuluam pse e kanë bërë një gjë të tillë. Sepse për katër vite keqpërdorën 280 milionë euro me tenderë njëburimorë, që unë i quaj tenderë që u kanë dhënë dostave të tyre në dhoma të errëta: ti e merr këtë tender, ti këtë tender, ti 10 milionë, ti 15 milionë”- pretendoi ai.

    Mustafa tha se oligarkët bëhen përmes veprimeve të tilla, kur tenderët u jepen “dostave” dhe “përkrahësve të partisë” pa konkurrencë.

    Në anën tjetër, kandidati Sokol Havolli, i cili ka qenë zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, tha se oligark quhet ai që përcakton politikat e sektorit energjetik në Kosovës, duke drejtuar gishtin kah Martin Berishaj.

    Madje, ai pretendoi se Qeveria shtesat që i dha në fund të vitit 2024, i ndau me qëllim që qytetarët t’i paguajnë faturat e rrymës, e ato para të shkojnë përsëri te Martin Berishaj.

    “Si duket burimet për të shpenzuar në energji prej Korporatës Energjetike dhe burimeve tjera të financimit të energjisë janë harxhuar, saqë ato 100 euro të fundvitit përfundojnë të gjitha në faturat e rrymës. Pra janë t’u gjet edhe mënyra kreative qysh me i orientu mjetet e buxhetit drejt atij që ia përcakton politikat kësaj qeverie, pra oligarkut Martin Berishaj”- tha ai.

    Si do të ulet çmimi i faturave të energjisë elektrike?

    Zgjidhja e LDK-së për të ulur çmimin e faturave të rrymës është përmes zvogëlimit të importit të energjisë me ndërtimin e kapaciteteve të reja që kanë në plan dhe eliminimit të TVSH-së për energji elektrike.

    Berat Rukiqi tha se në plan të parë kanë ndërtimin e termocentralit me gaz, që sipas tij siguron një tranzicion më të lehtë energjetik, i rrit kapacitetet prodhuese dhe ndikon në zvogëlimin e kërkesës për energji elektrike.

    Një funksion tjetër i këtij termocentrali, sipas Rukiqit, është gazifikimi i Kosovës që nënkupton që do të përdoret më pak energji elektrike në përgjithësi për çështje të amvisërisë dhe të ngrohjes.

    “Dhe nëse kjo pastaj e përfshin një pjesë të mirë të shpenzuesve energjisë elektrike, siç është rasti i Ferronikelit, Sharcemit që janë shpenzues të mëdhenj të energjisë elektrike, kjo e zvogëlon edhe kërkesën për energjinë elektrike, rrjedhimisht edhe kërkesën për import. Kjo e zvogëlon edhe rolin e sekserëve jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”- shpjegoi ai.

    Sipas tij, përveç termocentralit me gaz, Kosova do të këmbej energjinë elektrike me Shqipërinë, 500 MW të termocentralit me gaz, kapacitetet e termocentralit “Kosova B” të rriten nga 520 sa janë në 560 MW, 500 MË kapacitete me erë, 500 MW kapacitete me diell si dhe dyfishim të kogjenerimit ose shtrirjes së Termokosit në Prishtinë.

    Kandidati i LDK-së për deputet, Besian Mustafa. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Nuk pretendojmë që komplet, sidomos në kohën e dimrit mos të kemi varësi… Varësia aktuale është 60/70 për qind në situatat e pikut të energjisë elektrike. Ne këtë synojmë me e ulë”- tha Rukiqi.

    Se a do ta rishikojnë kontratën me kompaninë turke për distribuimin e energjisë elektrike, KEDS nëse qeverisë LDK-ja, Besian Mustafa tha se kontrata është ajo që është dhe se prej fillimi kanë qenë kundër privatizimit të distribuimit të energjisë.

    “Po kthehemi në histori. Se shpesh në Kosovë historia po ristarton- çdo të hënë, dhe po harrohen faktet historike. LDK e ka kundërshtuar këtë lloj privatizimi, por realiteti në terren është ky që është. Nuk ke zgjidhje, por mund të marrësh veprime radikale të rinacionalizimit, por të cilat nuk janë në programin tonë”- tha ai, duke përmendur projektet e tyre të lartëshënuara.

    Mustafa tha se nuk premton që “të hënën” do të zgjidhen të gjitha problemet, mirëpo sipas tij, do të zgjidhën brenda katër viteve.

    “A i plotësojnë 100 për qind nevojat e pikut 1800 MW në dimër. Secilën të hënë e të martë. Jo nuk i plotësojnë secilat. Por në 90 për qind të vitit do t’i plotësojnë këto nevoja. Atë 10 për qindshin e ditëve, që i bie rreth një muaj me gjasë do të përfundojmë duke importuar, por jo përmes oligarkëve që kanë qenë dhe anëtarë të kryesisë të partisë në pushtet”- tha ai.

    Ndërsa për çmimin e rrymës, se a do ulet a do të ngritët, Mustafa tha se me LDK-në në krye të Qeverisë nuk do të ndikohet Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) nga Qeveria, por do të luaj rolin e pavarur për të siguruar që çmimi reflekton realitetin dhe nevojat socio-ekonomike në terren.

    “Kemi qenë kritik për faktin që ZRrE duhej të ishte organ i pavarur. Në këto vite kjo nuk ka ndodhur. Qeveria e Kosovës dhe ZRrE publikisht deklarojnë se në bashkëpunim, në koordinim kemi vendosur që qeveria të bëj subvencionimin”- tha ai.

    Planet për ekonomi

    Besian Mustafa premton se nëse dalin në krye të Qeverisë për mandatin e ardhshëm do të krijojnë kushte për një rritje ekonomike mesatare prej 5 për qind për çdo vit- në katër vitet e ardhshme.

    Përveç kësaj, Mustafa tha se premtojnë 5 miliardë euro buxhet në vitin e fundit të këtij mandati dhe 5 miliardë euro investime kapitale gjatë mandatit; ndryshimin e Ligjit për prokurimin publik; si dhe rritjen në 200 të numrit të inspektorëve për të ofruar kushte më të mira sidomos punëtorëve në sektorin privat.

    “Vendimi i parë i kësaj qeverie është rritja e koeficientit në sektorin publik me vlerë 150 euro dhe nuk do të ketë pension nën 150 euro”- tha ai.

    Ndërsa, për sektorin e turizimit, Mustafa tha se do të zhvillojnë projektin e Brezovicës dhe të Pejës, si dhe do të sigurohen që të zhvillojnë një aviokompani kombëtare (për mërgatën).

    Rritja ekonomike do të pasoj si rezultat i investimeve publike në projektet serioze, thotë Sokol Havolli, duke potencuar që investimet e tilla i kanë munguar Kosovës në këto 25 vite.

    Kandidati i LDK-së për deputet, Sokol Havolli. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Të gjitha rrugët do të përfundojnë. Të gjitha rrugët që e lidhin Prishtinën me të gjitha qytetet e tjera do të jenë të përfunduara, sepse për neve kjo çështje realizohet si e para. Janë edhe disa projekte të tjera si Centrali me gaz dhe Parkun Olimpik” – theksoi ai.

    Se a synojnë ta përfundojnë autostradën Prizren- Tetovë, Besian Mustafa tha se ajo as nuk ka nisur, pasi që “pala maqedonase nuk e ka as idenë që do ta bëj një gjë të tillë e lëre diçka më konkrete”.

    Rukiqi beson që efektet e veprimeve të LDK-së do të vërehen në vitin e dytë, të tretë, e sidomos në vitin e katërt.

    “Një gjë që fillon në momentin që vijmë në qeveri në javën e parë është projekti i Unazës së Jashtme të Prishtinës. Vetëm një nënshkrim mungon që ky projekt të fillojë” – tha ai.

    Se qysh do t’i sigurojnë mjetet financiare për rritjen e pagave, Rukiqi tha se do ta bëjnë një rishikim të buxhetit, vetëm se, nuk e kanë në plan të kalojnë normën prej 30 për qind.

    “Ka Kosova pare që këta nuk i kanë shfrytëzuar”- tha ai.

    Se a do të rishikojnë projektet e Lëvizjes Vetëvendosje, Besian Mustafa tha se ata nuk kanë lënë asnjë projekt për ta vazhduar.

    “Vetëvendosje nuk lenë asnjë projekt për t’i marrë buxhetin. S’ka lanë kurrfarë projekti VV-ja, që ne kinse ia marrim buxhetin”- tha ai.

    Mustafa beson që në vitin e parë ka buxhet të mjaftueshëm për t’i rritur pagat. Për vitin e dytë, tretë dhe të katërt të qeverisjes, ai thotë se rritet borxhi publik nga 17 për qind që është aktualisht në 40 për qind.

    “Këto 5 miliardë euro që do t’i investojmë në katër vitet e ardhshme. Krijojnë aktivitet shtesë ekonomik 25 miliardë euro. Po e thjeshtësojmë në normë tatimore mesatare prej 10 për qind. Për katër vite në 25 miliardë euro i bie 2.5 miliardë tatime shtesë vetëm nga gjenerimi shtesë ekonomik i këtyre 5 miliardë eurove”- tha ai.

    Sokol Havolli tha se biznesmenët e Kosovës në çdo mënyrë i shohin si patriotë të ditëve të sotme, pasi sipas tij, bizneset private janë pikërisht ato që e mbajnë shumicën e të punësuarve.

    Kurse, Rukiqi tha se do t’i instalojnë QR kodat në kuponët fiskalë në mënyrë që pastaj secili do të ketë mundësi të deklarojë nëse nuk i është lëshuar kuponi fiskal.

    “E kemi një e-Kosova e cila duhet të digjitalizojë komplet edhe procesin e regjistrimit dhe licensimit të bizneseve, dhe të gjitha licencat brenda një afati optimal duke e ditë që kemi edhe kompani të jashtëzakonshme që ofrojnë shërbime të teknologjisë informative”- tha ai. 

    Përvoja e LDK-së në pushtet

    Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.

    Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së Administratës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) u mbajtën Zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.

    LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës më 04.03. 2002 dhe LDK-ja formoi Qeverinë e parë pas luftës.

    Kjo parti fitoi përsëri Zgjedhjet e vitit 2004, në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte President deri në vitin 2006.

    Ndërsa, në Zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të formonte një Qeveri të re në krye me Isa Mustafën.

    Në Zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një Qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV bëri koalicion me LDK-në, por Marrëveshja u prish pas disamuajsh kur Qeveria e Kurti u rrëzua në Kuvend në mars 2020, përmes një Mocioni Mosbesimi.

    Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Më 22.03.2020, Hoti u zgjodh Kryeministër i Kosovës.

    Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo u pasua me Zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.Në Zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % – duke u renditur si partia e tretë, për nga numri i votave.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.

    “Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia “blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë”- tha Xharra.