Ballina

Etiketë: Zhvillim ekonomik

  • Shala: Sektori minerar kurrë s’ka qenë më keq, PDK-ja do ta kthejë në normalitet

    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala, në prezantimin e programit zgjedhor për fushën e ekonomisë, u zotua se me ardhjen e tyre në pushtet vlera e investimeve kapitale në vend do të jetë rreth 6 miliardë euro.

    Investimet e parapara nga PDK-ja, sipas tij, do të balancojnë të “shkuarën e dështuar”, duke e kthyer në një të ardhme me “prosperitet zhvillimor” për Kosovën.

    “Mbi 6 miliardë euro investime kapitale, në mënyrë që ta balancojmë të shkuarën e dështuar me të ardhmen me prosperitet zhvillimor”- tha Shala.

    Deri sa u fol për investimet kapitale u diskutua edhe për gjendjen e industrisë së minierave, që sipas Shalës, “kurrë më keq nuk ka qenë”.

    “Sot sektorin e industrisë minerare e nxjerrëse e kemi si kurrë më keq. Kemi rreth 400 kompani që presin për një përgjigje meritore operative për licencim, patentim, hulumtim apo eksploatim. Kemi ndërmarrje të sektorit energjetik që po mbyllen ose po largohen nga vendi. Kemi një situatë kaotike në AKP që menaxhon me një pjesë të aseteve shtetërore”- tha ai.

    Dhe për këtë, PDK thotë se me ardhjen e tyre parashohin kthimin e gjendjes në normalitet, përmes zbatimit të legjislacionit dhe kushtetutshmërisë.

    Pa u diskutuar nuk mbeti as ikja e investitorëve të huaj, që sipas, Shalës, Kosova ka humbur rreth 700 milionë euro investime kapitale dhe tanimë këto mjete janë investuar në vendet fqinje.

    “Kemi ikje të investitorëve të huaj. Për 4 vite rreth 700 milionë investime kapitale që kanë pritur në sektorin e energjisë së pastër dhe sot kanë kaluar në shtete fqinje. Kemi investitorë perëndimorë që kanë pritur me vite dhe janë larguar”- tha ai.

    Zgjidhja e PDK-së për kthimin e vëmendjes së investitorëve të huaj në Kosovë është krijimi kushteve të mira për ta.

    Madje, Shala është i bindur se me një dinamikë të punës dhe bashkëpunim me partneritet ndërkombëtare për investime kapitale do mund të arrihet edhe stabilizimi i sektorit të energjisë 100%.

    Mirëpo, e rëndësishme sipas Shalës është edhe pavarësimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nga politika dhe ushtrimi i kompetencave të saj, siç ja përcakton legjislacioni.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.

    “Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.

    Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/investime-kapitale-miliardeshe-dhe-lehtesira-tatimore-per-bizneset-plani-i-pdk-se-per-zhvillimin-ekonomik/