Ballina

Etiketë: zgjedhjet 2025

  • BE me mbi 100 vëzhgues në zgjedhje e 9 Shkurtit

    Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian (EU MVZ) ka filluar punën për zgjedhjet parlamentare të Kosovës që do të mbahen më 09.02.2025.

    Gjatë një konference për media, shefja e Misionit të BE-së, Nathalie Loiseau, njoftoi se ky është misioni i shtatë i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë. 

    Loiseau theksoi se prania e Misionit ka për qëllim të vëzhgojë dhe vlerësojë nëse procesi zgjedhor respekton ligjin e Kosovës, standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e mëhershme.

    Misioni, i cili është misioni i vetëm ndërkombëtar me prani afatgjatë për këto zgjedhje, do të përfshijë mbi 100 vëzhgues të shpërndarë në terren.

    “Jemi ftuar nga presidentja Osmani me BE që të vëzhgojmë zgjedhjet parlamentare të Kosovës. Kjo është hera e 7 që BE është duke vëzhguar zgjedhjet në Kosovë. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë një zhvillim i rëndësishëm për Kosovën. Janë zgjedhjet e para që po zhvillohen në Kosovë nënë ligjin e ri për zgjedhjet dhe kam kënaqësinë të theksoj që ligji i ri për zgjedhjet ka marr parasysh një numër rekomandimesh të BE-së. Misionin i BE për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe prani e tij në teren ka për synim të vëzhgoj dhe vlerësoj se si procesi zgjedhor e respektin ligjin për zgjedhjet në Kosovë por edhe standarde ndërkombëtare si dhe rekomandimet e më hershme që ne i kemi bërë në mënyrë që të kontribuojmë në një proces zgjedhor kredibil, gjithëpërfshirës dhe transparent. Objektivi është që votuesit të jenë në gjendje të shprehin zgjedhjet e tyre”.

    “Prania e Misionit po ashtu thekson mbështetjen e vazhdueshëm të BE për Kosovën që të fuqizoj edhe më teje qeverisjen demokratike. Ne po ashtu e paraqesim këtë rendis edhe në numra. Në momentin e zgjedhjeve do të jeni mbi 100 vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë që do të jenë të shpërndare në teren. Prandaj Misioni i BE-së është i vetmi mision i plotë ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve me prani afatgjate që do të vëzhgoj zgjedhjet parlamentare në Kosovë në këtë vit. Ekipi tashmë ka mbërritur këtu para një jave, këtë javë unë kam ardhur të mërkurën” – ka thënë ajo.

    Ajo tha se nga data 19.01.2025, 18 vëzhgues afatgjatë nga 18 shtete, përfshirë vendet anëtare të BE-së, do të shpërndahen në të gjitha komunat e Kosovës.

    Ekipet e vëzhguesve janë të kombinuara për nga aspekti kombëtar dhe gjinor.

    Shefja e Misionit nënvizoi se parimet kryesore të vëzhgimit përfshijnë pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin.

    “Nesër në mëngjes në ora dhjet ne do  sjellim 18 vëzhgues afatgjatë dhe do të shpërndajmë ata nëpër Kosovë. Vëzhguesit afatgjatë janë nga 18 shtete të ndryshme përfshirë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Norvegjia dhe Zvicra. Ata do të punojnë në 9 ekipe me nga dy persona që janë të kombinuar për nga aspekti nacional dhe gjinor. Ata do të bëjnë vlerësimin e përgatitjes për zgjedhje dhe do të mbulojnë të gjitha komunat. Vëzhguesit afatgjatë janë të pavarur dhe të anshëm. Janë thelbësor për misionin e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve për të zhvilluar apo bërë një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor. Pak para datës së zgjedhjeve misioni do të përforcohet edhe me 36 vëzhgues afatshkurtër. Një delegacion i shtat anëtarëve të parlamentit evropian dhe deri në 36 diplomatë nga shtete anëtare të BE-së, Kanada, Noverigja dhe Zvicra. Parimi themelor i misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të BE-së janë pavarësia, paanshmëria, konsistenca, qasja afatgjate, profesionalizmi dhe mospërzierja” – ka thënë ajo./Dukagjini

  • Komandanti i KFOR-it takohet me kryevëzhguesen e Misionit të BE-së për zgjedhjet, flasin për sigurinë

    Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur në takim kryetaren e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Nathalie Loiseau në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë.

    Ata kanë diskutuar pikëpamjet për tema të ndryshme, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën, situatën e stabilitetit rajonal dhe përpjekjet e vazhdueshme të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në mbështetjen e zgjedhjeve transparente dhe demokratike në Kosovë.

    “Gjeneralmajor Barduani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinia, feja apo përkatësia politike”- thuhet në njoftimin e datës 18.01.2025.

    KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    Zgjedhjet nacionale në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë në vitin 2008.

  • Demokracia në Veprim: Ka ashpërsim të gjuhës dhe diskursit në fushatë

    Rrjeti i organziatave Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë se gjatë këtyre ditëve të para të fushatës për zgjedhjet nacionale 2025, partitë politike ka në ashpërsuar gjuhën dhe diskursin publik.

    Në një konferencë për media, Eugen Cakolli nga DnV, tha se intensitetin më të lartë e ka partia në pushtet, Vetëvendosja, por edhe partitë e tjera opozitare.

    “Këtë javë kemi pasur ashpërsim dhe përkeqësim të gjuhës së diskursit të përdorur në fushatë, me plotë 25 aktivitete, gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes apo urrejtjes, kryesisht mbi baza politike” – ka thënë Cakolli.

    “Sipas intensitetit, është e qartë se një gjuhë  e tillë është e shprehur sidomos nga aktivitetet e partisë në pushtet, pra Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe të partive tjera si LDK, PDK dhe AAK”.

    Ai gjithashtu tha se një tipar dallues i këtyre zgjedhjeve dhe fushatës, është sipas tij, trendi i shpalosjes së njëanshme të programeve politike nga ana a partive, pa pasur komunikim dykahir.

    “Pra, shumica e aktiviteteve janë organizuar vetëm duke pasur fjalime të liderëve, kandidatëve apo zyrtarëve të tjerë partiake, pa u dhënë mundësia palëve të tjera që të komentojnë apo të diskutojnë mbi programin” – tha ndër të tjera Cakolli.

    Deri më tani, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Vetëvendosjen me 3 mijë euro, për gjuhë fyese, LDK-në me 20 mijë euro për nxitje të urrejtjes dhe AAK-në me 12 mijë euro.

  • Fushata e Kurtit në Prizren – kritikon Prokurorinë

    Kandidati për Kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në Zgjedhjet parlamentare ka mbajtur tubim elektoral, në qytetin e Prizrenit, më 17.01.2025.

    Në tubimin në Prizren, Kurti ka folur për rrugën Prizren-Tetovë, punimet për të cilën tha se “kanë filluar dhe po ecin me shpejtësi.”

    Vlera e projektit të ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë është rreth 200 milionë euro – sipas Kurtit.

    “Tuneli pritet të kushtojë rreth 150 milionë euro. Me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kemi Marrëveshje për Financimin dhe Projektimin e Tunelit. Tuneli do t’i bie mes për mes malit të Vërdopit. Ai do të jetë i gjatë gati 6km e gjysmë dhe do të jetë pra edhe më i gjatë se sa tuneli i Kalimashit, përafërsisht 600 metra.” – ka thënë Kurti.

    Kurti, më 13.08.2024, si Kryeministër i Kosovës, pa nga afër fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë – kyçja në autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.

    Gjatë tubimit të tij elektoral në Prizren, Kurti i ka kritikuar krerët e Prokurorisë dhe ka folur për zgjedhjen e Kryprokurorit të ri.

    “Malli i huaj s’bahet i joti. Shtetin tënd s’bën me vjedh. Ktheni paret, fitoni shërbim e shpagim, ku është Z-mobile sot? Zyrtarisht Z-mobile veç një të punësuar e ka, sepse nuk iu duhen më, meqë e kanë kry plaçkitjen. E krerët e Prokurorisë qartazi kanë vdekë për së gjalli. Na duhet doemos, na nevojitet një Kryeprokuror i ri, profesionist, patriot, i ndershëm.” – ka thënë Kurti.

    Më 29.12.2024, Kurti në një intervistë në KTV e ka akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn se është “regjisor” i ftesës që i është dërguar Kurtit, për të dëshmuar në Prokurori në rastin e rezervave shtetërore.

    Para Kurtit ka folur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili edhe vjen nga Prizreni.

    Sipas Çekut, janë duke e mbrojtur trashëgiminë e Prizrenit, të cilin tha se po e bëjnë gati për UNESCO dhe po investojnë në sport, sepse Prizreni do të jetë mikpritës i Lojërave Mesdhetare.

    “Po e zhvillojmë kulturën, sepse Prizrenin do ta nominojmë për Kryeqytet kulturor evropian.” – ka thënë Çeku.

    E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se vetëm në arsim në këtë mandat kanë investuar mbi 6 milionë euro në Prizren.

    Sipas Nagavcit janë ndërtuar tashmë tri Çerdhe për 540 fëmijë të Prizrenit. Edhe dy Çerdhe të tjera janë në ndërtim e pritet të përfundojnë sivjet.

    “Në Prizren, brenda një mandati, deri në fund të këtij viti janë ndërtuar pesë Çerdhe për fëmijët e Prizrenit. A e dini se sa Çerdhe janë ndërtuar në Kosovë, në 17 vjetët e fundit? Vetëm 4 Çerdhe në të gjithë Kosovën.” – tha Nagavci.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Abdixhiku në Pejë premton ‘investime multi-milionëshe’ në fushën e kulturës kombëtare

    Fushatën elektorale për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku e ka vazhduar në qytetin e Pejës, bashkë me kryetarin e kësaj Komune dhe njëherit kandidatin për Deputet, Gazemend Muhaxheri.

    Abdixhiku, më 17.01.2025, kanë vizituar Galerinë e Arteve në Pejë, nga ku ka premtuar investime multi-milionëshe në projekte serioze kombëtare.

    “Ndërtimi i Teatrit të Operas dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Bashkëkohor, Themelimi dhe Ndërtimi i Muzeut të Paqes dhe Rezistencës dhe Adoptimi i 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës.” – janë zotimet që ka shpalosur.

    Abdixhiku ka thënë se kultura përbën vetë shpirtin e një populli dhe me Qeverinë e tij, shpirti kreativ i popullit do ta ketë të gjithë vëmendjen e shtetit.

    Në praninë e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, Abdixhiku ka thënë se ajo që e dallon secilën Komunë ku qeveris LDK-ja është kultura e punës.

    Po ashtu, në këtë vizitë ai është shoqëruar nga drejtoresha e Kulturës, Xhenetë Syka-Kelmendi, e cila është edhe kandidate për Deputete në listën e LDK-së.

    Mq 17.01.2025, Abdixhiku ka paralajmëruar vizitë edhe në Deçan, në Junik e në Lug të Baranit.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.