Ballina

Etiketë: zgjedhjet 2025

  • Hamza në Suharekë: Ne ofrojmë zgjidhje, jo arsyetime

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, më 21.01.2025 ka vazhduar fushatën e tij për zgjedhjet që pritet të mbahen më 09.02.2025.

    Gjatë një tubimi në Suharekë, Hamza ka thënë se PDK-ja ofron zgjidhje e jo arsyetime.

    “Një tubim me plot entuziazëm në Suharekë. Me plot energji dhe shpresë për Kosovën që mundet ma mirë. Ne ofrojmë zgjidhje, jo arsyetime. Kosova mundet ma mirë do të thotë më shumë zhvillim e më pak tatime, më shumë të ardhura për secilin, shëndetësi më të mirë, arsim modern dhe jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”- ka thënë ai.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Haradinaj prezanton 10 top-prioritetet e AAK-së dhe partnerëve të koalicionit

    Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka prezantuar 10 top-prioritetet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30.

    Sipas Haradinajt, prioriteti i parë në listë është Kosova direkt në NATO dhe siç thuhet, miqësi e përhershme me SHBA-në dhe BE-në.

    Po ashtu, prioritet është paga mesatare 1 mijë euro dhe pensione mbi 500 euro.

    Postimi i plotë:

    10 top prioritetet e Kosovës Fituese:

    -Kosova direkt në NATO – miqësi e përhershme me ShBA dhe BE.

    -Rritje ekonomike deri në 7%.

    -1 Miliard euro për biznese të reja dhe ato prodhuese-eksportuese.

    -Pagë mesatare 1000 dhe pensione mbi 500 euro.

    -Buxhet për përmbylljen e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe autostradën e Dukagjinit.

    -1500 MW energji e prodhuar në Kosovë.

    -Qendra Kombëtare për Inovacion dhe Teknologji.

    -6% e GDP për edukim e arsim – reformë e thellë e sistemit shëndetësor.

    -Mërgata pjesë e vendimmarrjes e me status të investitorëve strategjikë.

    -Pension pa shkëputje nga puna për çlirimtarët.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • PDK gjobitet me 8 mijë euro, dy deputete publikuan video të realizuara në hapësirat e Kuvendit

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar dy ankesa nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, pas të cilave PZAP ka dënuar PDK-në me 8 mijë euro gjobë.

    Ankesa e LVV-së ishte se kandidatja e PDK-së për deputete, Blerta Deliu-Kodra, ka postuar në llogarinë e saj në Facebook një video me tekst shoqërues, të realizuar në hapësirën e brendshme të Kuvendit të Kosovës në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet.

    Për këtë rast, PZAP ka pranuar ankesën e LVV-së dhe ka gjobitur PDK-në me 4 mijë euro.

    Partia Demokratike e Kosovës, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar ankesën duke thënë se kandidatja për deputete Blerta Deliu-Kodra këtë video e ka realizuar dhe publikuar më 13.12.2024, respektivisht një ditë pas publikimit të listave për deputetë të subjekteve politike, i cili veprim sipas PDK-së në asnjë mënyrë nuk përbën shkelje.

    Po ashtu, LVV është ankuar për të njëjtën arsye edhe për kandidaten për deputete Ariana Musliu-Shoshi.

    Edhe për rastin e deputetes Musliu-Shoshi, PZAP e ka gjobitur PDK-në me 4 mijë euro

    Lidhur me ketë rast, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga PZAP që ankesën ta refuzojë si të pabazuar me pretendimin se deputetja Ariana Musliu-Shoshi këtë fotografi/video e ka realizuar në ambientet e jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    “Për me tepër, fotografia/video e Ariana Musliu Shoshi është realizuar shumë kohë me parë (më datë 31 dhietor 2024 dhe kjo mund te dëshmohet nga kamerat e sigurisë se Kuvendit) dhe jo pas fillimit të fushatës zgjedhore, respektivisht me date 17 janar 2025, sic pretendohet nga ana e ankuesit”- thuhet në përgjigjen e PDK për PZAP.

    PDK ka afat prej 15 ditësh që t’i paguajë gjobat.

  • Kandidati për Deputet i LDK-së lavdëron punën e ish-Ministrit të Qeverisë Kurti

    Kandidati për Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Hyseni ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën se si ka udhëhequr me sektorin e Shëndetësisë, por nga kritikat e ka kursyer një ish-Ministër të Shëndetësisë. Bëhet fjalë për Rifat Latifin.

    Hyseni e ka vlerësuar atë si një person që ka “dëshmuar se e do Kosovën”.

    Krijimi i Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë, siç ka thënë ai, është sukses i Latifit.

    “Për katër vjet qeverisje kemi pa që ka qenë një miks dhe Ministria e Shëndetësisë vetëm punën e vet nuk e ka kryer. Ka ba shumë punë, por punën e vet jo. Kemi pas fillimisht një Ministër që erdhi nga diaspora, që ishte profesor, për të cilin unë sot në këtë emision flas më shumë respekt. Ka qenë një njëri që vërtetë e ka dëshmuar se e do këtë vend, sepse Qendra e Telemjekësisë është rezultat i punës së tij.” – ka deklaruar Hyseni, në “Debat Përnime”, më 21.01.2025.

    Mirëpo, sipas tij, ish-Ministri u detyrua të largohej nga kjo pozitë, pasi nuk mundi t’i zbatojë politikat e veta si një profesionist i përgatitur.

    “Rifat Latfi nuk gjeti ambient pune në Ministrinë e Shëndetësisë. Ka deklaruar që ka pasë ambient toksik pune. Që i bie se nga pozitat menaxheriale nuk ka mundur me i zbatu politikat shëndetësore për të cilat ka ardhur me vizionin e tij, si një profesionist i përgatitur.” – ka theksuar Hyseni.

    Ardhja e ministrit Arben Vitia, sipas tij, nuk solli vendime të guximshme për projekte të mëdha në sektorin e Shëndetësisë.

    Në kuadër të kritikave për qeverisjen e Vitisë në Shëndetësi ishte edhe mbetja buxhetore, përkundër nevojave të mëdha që ka ky sektor për investime.

    “Kemi suficit. Përkundër nevojave të mëdha, ne kemi tepricë të buxhetit dhe kjo është një indikator i qartë se kemi pas një menaxhim të keq. Ka nevoja, tepron buxheti dhe Ministri me Kryeministrin prejnë shirita të korridoreve dhe eventualisht të ndonjë sporteli.” – është shprehur Hyseni.

    Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

    “Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/lajm/rritje-te-buxhetit-qender-te-re-spitalore-dhe-funksionalizim-te-sish-it-zotimet-e-ldk-se-per-shendetesine/

  • LDK synon të zvogëlojë listën e pritjes së pacientëve përmes investimeve në aparatura mjekësore

    Me synim të ardhjes në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paraparë që në kuadër të reformave në sektorin e Shëndetësisë të bëhet edhe zvogëlimi i listës së pritjes së qytetarëve në marrjen e shërbimeve mjekësore.

    Lidhur me këtë çështje, kandidati për Deputet i kësaj partie, Ardian Shala ka thënë se do të bëhen investime në aparatura të ndryshme, me qëllim që kjo listë të zvogëlohet.

    “Investime mbi 100 milionë në aparatura të ndryshme, heqjen e listave që janë në pritje me muaj. Unë i përkas sferës së kardiologjisë. Vetëm në sferën tonë presin për intervenime në arterie koronare mbi një vit. Është e dhimbshme nëse një familjar i dikujt pëson diçka të papritur, që nuk kemi dëshirë ta themi, e ne mos të jemi të zot ta zbresim këtë listë të pritjes të paktën në një javë, ose me heq fare.” – ka deklaruar Shala në “Debat Përnime”, më 21.01.2025.

    Ndihmesë në zvogëlimin e listës së pritjes, LDK e konsideron edhe digjitalizimin e sistemit të Shëndetësisë.

    Kandidati Ekrem Hyseni tha se kjo reformë më pas shërben edhe si bazë për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

    “[Kjo paraqet] rrugën e shërbimit që ka me e ndjekë pacienti prej momentit që paraqitet te mjeku e deri të përfundimi i trajnimit. Dhe, në këtë rrugë janë të gjitha degët që tregojnë edhe shpenzimet që kanë ndodhë, edhe ato shpenzime për çka kanë qenë. [Pastaj] numri i ilaçeve të shpenzuara, numri i shërbimeve që kanë marrë dhe kjo është edhe baza e funksionimit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Dhe, kjo bëhet funksionale për dy vjet të qeverisjes tonë.” – ka thënë Hyseni.

    Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

    https://kallxo.com/lajm/rritje-te-buxhetit-qender-te-re-spitalore-dhe-funksionalizim-te-sish-it-zotimet-e-ldk-se-per-shendetesine/