Ballina

Etiketë: zgjedhjet 2025

  • LVV: Ne dëshmuan se si qeveriset për gratë dhe vajzat

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët për “mobilizim masiv për të arritur numrin rekord” të daljes së grave dhe vajzave në votime për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    LVV ka thënë se gjatë mandatit që po përfundon kanë dëshmuar se si qeveriset për gratë dhe vajzat – duke theksuar se kanë mbështetur nënat dhe do të vijojnë t’i mbështesim ato për çdo ditë.

    “Dëshmuam se si buxheti për Sportin bëhet i plotë, kur ai është buxhet edhe për vajzat sportiste; kur buxheti për Artin është dhe për gratë artiste; kur buxheti për Ushtrinë e Policinë është dhe për gratë në uniformë; kur buxheti për Shëndetësinë është dhe për vajzat e për gratë; kur buxheti për Arsimin është dhe për vajzat e kur mbështetja e biznesit është edhe për gratë ndërmarrëse.” – ka thënë LVV.

    Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar përkrahësit e partisë, që të votojnë në listën e tyre sa më shumë gra e vajza kandidate.

    “Në këto Zgjedhje, në Listën tonë të përbashkët me Partinë Guxo dhe Alternativën, ne i kemi 41 gra kandidate. Secila prej tyre është figura e vajzës dhe gruas që angazhimin politik e ka krahas papërkulshmërisë përballë vështirësive të jashtëzakonshme, me të cilat përballen vajzat dhe gratë.” – thuhet në njoftimin e kësaj partie.

    LVV-ja ka njoftuar, po ashtu, se më 22.01.2025 do të mbajë tubim me gra në qytetin e Mitrovicës.

    Ndërsa, më 21.01.2025, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, ministri i Financave Hekuran Murati dhe kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi mbajtën tubim me vajza e gra të kësaj Komune.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër – lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KiE-së bën thirrje për Zgjedhje gjithëpërfshirëse, kritikon bojkotin e tri kanaleve televizive nga LVV-ja

    Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), pas vizitës që ka zhvilluar në Kosovës, ka vlerësuar përgatitjet për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha partive politike në Kosovë të veprojnë me përgjegjësi e në dobi të popullatës.

    Ky delegacion e ka konsideruar të dëmshëm vendimin e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje për të bojkotuar tri kanale televizive gjatë fushatës zgjedhore.

    “Ngurrimi i disa partive politike për t’u përfshirë në debate kontradiktore në televizion dhe bojkoti i shpallur i tre stacioneve televizive të njohura nga partia në pushtet, u konsideruan të dëmshme për informimin publik, veçanërisht për të moshuarit. Delegacioni kujton se media luan një rol jetik për të siguruar që votuesit të kenë akses në informacione të ndryshme dhe të sakta, të cilat janë thelbësore për marrjen e vendimeve.” – thuhet në komunikatë.

    Delegacioni ka theksuar, tutje, se fushata elektorale është zhvilluar në një mënyrë të qetë dhe paqësore.

    Ndërsa, është bërë e ditur se ky delegacion u informua se Ligji për Zgjedhjet i miratuar në vitin 2023, kryesisht bazohet në Rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë, me përmirësime teknike – duke përfshirë dixhitalizimin e operacioneve zgjedhore, mundësinë që iu dha votuesve jashtë vendit për të hedhur votën e tyre personalisht jashtë vendit dhe modalitete të reja për numërimin e votave të ndara për partitë dhe kandidatët.

    “Gjithashtu, Rregulloret e reja që synojnë forcimin e monitorimit të shpenzimeve të fushatës janë parë pozitivisht nga shumë palë të interesuara.” – thuhet tutje në komunikatë.

    Ndërsa, thuhet se delegacioni ka ngritur shqetësime në lidhje me mungesën e Rregulloreve për mediat online, transparencën e pronësisë së medias, procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Medias, si dhe ndikimin e mundshëm të dezinformatave dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale gjeneruese gjatë fushatës.

    Megjithatë, disa bashkëbisedues ngritën shqetësime për rritjen e retorikës populiste e nacionaliste, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes e gjuhës përçarëse.

    “Delegacioni vlerësoi gjithashtu kontributin e vlefshëm të një shoqërie civile të gjallë në nxjerrjen në pah të çështjeve, si: të drejtat e grave, personave me aftësi të kufizuara, LGBTI dhe grupet e margjinalizuara, si dhe pjesëmarrja e të rinjve në politikë.” – thuhet në komunikatë.

    Tutje, delegacioni ka mirëpritur vendimin e partisë kryesore politike serbe të Kosovës, për të marrë pjesë në këto Zgjedhje – duke theksuar se kjo do të kontribuonte në një proces zgjedhor më gjithëpërfshirës dhe do të rriste përfaqësimin në Kuvend.

    Ndërsa, thuhet se diskutimet u fokusuan edhe në situatën në veri të Kosovës dhe zhvillimet e fundit.

    “Delegacioni u njoftua për raportet në lidhje me presionin dhe frikësimin e votuesve serbë të Kosovës, si dhe fushata dezinformuese nga mediat e mbështetura nga Beogradi. Në dritën e këtyre shqetësimeve, delegacioni u kërkon të gjitha palëve të shmangin veprimet që mund të përkeqësojnë tensionet.” – thuhet në komunikatë.

    Delegacioni u bëri thirrje të gjitha palëve, që të mbeten të përkushtuara për krijimin e kushteve për Zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse – pavarësisht polarizimit në rritje dhe të sigurojnë që këto Zgjedhje të kontribuojnë në forcimin e standardeve dhe praktikave demokratike në Kosovë.

    Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Partia Lëvizja Vetëvendosje mori vendim bojkotimin e tri televizioneve në vend.

    Një grup prej dhjetëra Organizatave Joqeveritare kanë reaguar ndaj bojkotit të subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje për të mos marrë pjesë në emisionin “Debat Përnime” – prodhim i dy organizatave, Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova.

    Në reagimin e tyre, OJQ-të kanë theksuar që bojkoti për mospjesëmarrje në “Debat Përnime” e cenon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve në kohë Zgjedhjesh.

    https://kallxo.com/lajm/organizatat-e-shoqerise-civile-reagojne-ndaj-vetevendosjes-per-bojkotin-e-debat-pernime/

  • Liderët e koalicionit ‘Lista për Familjen’ vizitojnë Odën Ekonomike dhe Shoqatën e Pensionistëve

    Kandidatët për deputetë të koalicionit “Lista për Familjen”, Selim Pacolli, Visar Korenica dhe Bejtush Gashi, më 22.01.2025, kanë zhvilluar vizitë në Odën Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatën e Pensionistëve.

    Sipas njoftimit, gjatë këtyre vizitave, ata u njoftuan nga afër me sfidat dhe shqetësimet që po përballojnë bizneset vendore dhe pensionistët.

    “Në takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna u diskutua për zhvillimet ekonomike të vendit dhe për rëndësinë e përkrahjes së prodhimeve vendore.” – thuhet në njoftim, ndërsa theksohet se të dyja palët ishin të një mendimi, se shteti i Kosovës duhet të ofrojë më shumë mbështetje për prodhuesit vendorë.

    Rafuna theksoi disa prej sfidave kryesore, me të cilat përballen bizneset vendore – përfshirë mungesën e fuqisë punëtore.

    Pas vizitës në Odën Ekonomike, koalicioni “Lista për Familjen” u takua me Shoqatën e Pensionistëve dhe thuhet se diskutuan për rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së pensionistëve në vend.

    Kandidati për Deputet, Selim Pacolli theksoi se familja do të mbetet gjithmonë një prioritet kryesor i Koalicionit.

    Ndërsa, Visar Korenica ka theksuar se Koalicioni do të luftojë për të mbrojtur institucionin e familjes dhe për të kundërshtuar çdo përpjekje, që mund të dëmtojë këtë institucion të shenjtë.

    Në njoftim thuhet se gjatë këtij takimi, ushtruesi i detyrës së Shoqatës së Pensionistëve theksoi mbështetjen e koalicionit për pensionistët dhe ngriti disa kërkesa kryesore.

    “Një nga kërkesat e tyre primare ishte Ligji për Fondin Pensional, si dhe shqetësimi për paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj – një praktikë që ata e konsiderojnë si një pengesë të madhe. Koalicioni “Lista për Familjen” premtoi se ky vendim do të eliminohet – duke siguruar që ky proces të jetë më i thjeshtë dhe më i drejtë, si pjesë e planit qeverisës të koalicionit.” – thuhet në njoftim.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Prokuroria e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që nëse dikush ua cenon fshehtësinë e votës ta lajmërojnë në Polici apo Prokurori

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me koordinatoren nacionale për zgjedhje, prokuroren nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, kanë mbajtur takim më 21.01.2025 me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive në Kosovë.

    Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane në Kosovë si dhe menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, në kuadër të sistemit prokurorial, Besim Kusari.

    Në këtë takim u diskutua për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Në këtë takim iu bë thirrje qytetarëve se nëse ndodh ndonjë rast i cenimi të votës ta raportojnë në polici apo prokurori.

    “Gjatë këtij takimi u diskutua për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet tjera ligjzbatuese në veçanti me Policinë e Kosovës”- thuhet në njoftim.

    Në lidhje me dy raste të dyshuara në drejtim të veprës penale – cenimi i fshehtësisë së votimit, në takim thuhet se Prokuroria e Prishtinës është duke i zhvilluar hetimet.

    Gjithashtu u theksua se Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të trajtojë secilin rast me urgjencë dhe brenda afateve ligjore.

    “Prokurori i Shtetit fton qytetarët të cilët kanë apo mund të kenë informata se në çfarëdo mënyre po cenohet fshehtësia e votës apo çfarëdo veprimi tjetër i ndërmarrë që bie në kuadër të veprave penale kundër të drejtës së votimit, t’i raportojnë ato tek Prokurori i Shtetit apo tek Policia e Kosovës”- theksohet në njoftim.

  • Abdixhiku në Vushtrri: U zotova, në këtë përvjetor të Rugovës, se relacionet tona me SHBA-në do të jenë të shkëlqyeshme

    Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim me qytetarë në qytetin e Vushtrrisë më 21.01.2025.

    Ai është zotuar se relacionet me SHBA-në do të jenë të shkëlqyeshme, të pathyeshme dhe të pazëvendësueshme.

    “U zotova, në këtë përvjetor të Rugovës, se në Qeverinë tonë të ardhshme, relacionet tona me ShBA-të, si përherë, do të jenë të shkëlqyeshme, të pathyeshme dhe të pazëvendësueshme. Po ashtu zotohem se vizitën e parë si kryeministër do ta bëj në Amerikë, dhe kërkesa e parë do të jetë Kampi Bondsteel të bëhet i përhershëm”- ka thënë Abdixhiku.

    “Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian, e me miqësi të përhershme me ShBA-të” – ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot dhe do të jetë misioni ynë nesër”- ka thënë ai.

    Sot më 21.01.2025 janë mbushur 19 vjet nga dita kur presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka vdekur.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.