Ballina

Etiketë: zgjedhjet 2025

  • Zotimet e Koalicionit AAK-Nisma: Termocentral me thëngjill, rritje pagash e funksionalizim të Aeroportit të Gjakovës

    Për të ardhur në pushtet, Koalicioni AAK-Nisma premton ndërtimin e një termocentral të ri me thëngjill, rritjen ekonomike deri në 7 për qind, shtimin e tatimeve të reja, pagën mesatare në 1 mijë euro dhe funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.

    Katër kandidatë për deputetë nga Koalicioni AAK-Nisma, premtojnë se me “Qeverinë Haradinaj”, zhvillimi ekonomik në vend do të rritet deri në 7 përqind, për sa kohë që paga mesatare do të bëhet 1 mijë euro.

    Këto janë dy nga, siç i quajnë ata, ‘top-prioritetet’ e programit të tyre zgjedhor. Në planin e tyre është që ekonomia të rritet përmes sigurisë dhe stabilitetit në vend. Këtë synojnë ta arrijnë përmes anëtarësimit të vendit në NATO. Në këtë formë, këta kandidatë besojnë që investitorët e huaj nuk do të frikësohen që të vijnë për të investuar në Kosovë.

    Në “Debat Përnime”, më 23.01.2025, kandidatët Arton Demhasaj, Smajl Latifi, Edmond Hoxha e Artan Nimani, premtuan edhe projekte të tjera që lidhen me ekonominë, energjinë dhe investimet në rajonin e Gjakovës.

    Termocentral me thëngjill

    Kandidati nga AAK-ja, Arton Demhasaj, cili para se të garojë për deputet ka qenë pjesë e shoqërisë civile, tha se koalicion  e kanë në plan që të ndërtojnë një termocentral të ri me thëngjill, “që do të ndikojë në uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe reduktimin e ndotjes së ambientit”.

    Demhasaj beson se ndërtimi i këtij termocentrali do të bëhet për të ofruar një ambient të sigurt për investitorët e huaj dhe për të rritur zhvillimin ekonomik, gjë që sipas tij, do të ndikojë në uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe reduktimin e ndotjes së ambientit.

    “Kjo çështja e energjisë elektrike ka me u zgjidh sepse kemi paraparë një termocentral 500 MË, që ka me qenë me thëngjill, me standardet e teknologjisë me të re, e që ka me e reduktu edhe ndotjen e ajrit”- ka thënë Demhasaj.

    Kandidati i AAK-së Arton Demhasaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Se si do të sigurojnë mjetet financiare për ndërtimin e termocentralit, Demhasaj tha se me mbi 700 milionë euro sa ka blerë energji Kosova për katër vjet, mund të ndërtohet një termocentral i ri.

    Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që ky projekt të realizohet përmes Partneritetit Publiko- Privat.

    “Imagjinojeni 700 milionë euro me i pasë në dorë, d.m.th ti e ndërton një termocentral pa pasë nevojë për ndihmën e askujt. Kjo minimum ka me reduktu 50% ndotjen e ajrit”- tha Demhasaj.

    Ai paralajmëroi se do të kthehen te çështja e gazit me SHBA-në, duke shpalosur me këtë rast dy ide të cilat mëtojnë t’i kthejnë në program qeveritar.

    “E para është potenciali i ndërtimit të një termocentrali me gaz që poashtu mund të prodhojë deri në 500 MW energji elektrike dhe ideja tjetër është ose të shkohet në shpërndarjen e gazit nëpër ekonomitë familjare”- tha ai.

    Ide tjetër që paraqiti ai është ndërtimi i pesë ngrohtoreve në pesë qendrat e mëdha: Prizren, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Pejë, që sipas tij, përgjysmon pothuajse nevojën e konsumit të energjisë elektrike.

    Përveç kësaj, kandidati Edmond Hoxha tha se investimin e parë do të jetë rivitalizimi i Termocentralit “Kosova B”, që “të mundësojë rritjen e kapaciteteve edhe për 500 MW të tjera”.

    Në lidhje me çmimin e energjisë elektrike, Demhasaj tha se Qeveria në kushte normale nuk mundet me marrë vendim për me e ulë çmimin, por as politika nuk duhet të ndikojë në institucione të pavarura si Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

    “Ne kemi tendenca që ZRrE-ja me qenë një institucion i pavarur dhe i pandikuar prej politikës. Kur ZRrE-ja ka me qenë e pavarur edhe e pandikuar politikisht, unë garantoj që vetë ZRrE-ja ka me u ulë me i analizu çmimet dhe ka me i ulë çmimet”- tha ai, duke fajësuar partinë në pushtet për ndikime politike.

    Demhasaj premtoi se në mandatin e tyre do të ketë kontroll të derivateve, sepse sipas tij, 50% e ndotjes në Prishtinë nuk vjen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), por edhe nga veturat.

    “Ajo që ne e kemi në program është për kategoritë e ndjeshme edhe veteranët edhe familjarët e dëshmorëve, familjet me asistencë sociale, që të kenë një reduktim të faturave të tyre të energjisë elektrike”- tha ai.

    “Top- prioritetet”

    Kandidati Edmond Hoxha tha se si pikë të parë në programin e tyre e kanë rritjen ekonomike deri në 7 për qind.

    Kjo, sipas tij, realizohet duke filluar me investime publike prej mbi 1 miliard euro dhe duke i rritur ato deri në 1.5 miliard euro deri në fund të mandatit.

    “Investimet e huaja direkte parashikohet të shkojnë deri në 2 miliardë euro, bashkë me investimet e sektorit privat”- tha ai.

    Për investimet e huaja, Hoxha si zgjidhje e sheh anëtarësimin e Kosovës në NATO, në mënyrë që të krijohet siguri në vend. Zgjidhja e dytë, sipas tij, është që bizneset të shihen si partnerë e jo si armiq. Siç thotë ai, kjo ndikon në rritjen e investimeve direkte.

    Ndër të tjera, Hoxha thotë se top- prioritetet e tyre janë investimet ne biznese të reja, paga mesatare deri në 1 mijë euro, pensione mbi 500 euro dhe mos të ketë pagë minimale nën 500 euro. 

    Kandidati i AAK-së Edmond Hoxha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Kandidati i AAK-së, Smajl Latifi i cili është kryetar i Rahovecit, tha se përmes Ligjit për investime strategjike dhe lehtësimit të procedurave burokratike mund të japin një impakt të fuqishëm për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik.

    E Arton Demhasaj theksoi se për të tërhequr investime të huaja, ndër të tjera duhet të zhvillohet infrastruktura, duke vlerësuar që autostrada e Dukagjinit është kyçe në këtë aspekt për shkak se lidhë shumë rrugë dhe si e tillë iu ndihmon investitorëve për bartjen e mallrave.

    “Një autostradë e tillë që lidhë Mitrovicën me Prizrenin, potencialisht secilit investitor atje, i shkurtohet koha e transportit të mallrave e njëkohësisht edhe kostoja. Infrastruktura rrugore është tepër e rëndësishme tek investimet e huaja”- tha ai.

    Demhasaj tha se investitorët e huaj nuk vijnë të investojnë nëse Kosova proklamohet si vend që rrezikohet nga lufta.

    “Çështja e parë është siguria sepse investitorët e huaj nuk vijnë me investu në një vend që pikën primare nuk e ka sigurinë. Kjo çështje e sigurisë qysh në vitin e parë qeverisë ka me u rregullu. Ka me qenë një siguri e plotë dhe e përhershme që lidhet me anëtarësimin e Kosovës në NATO”- tha Demhasaj.

    Element tjetër të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik Demhasaj, e veçon funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë.

    A ka oligarkë dhe kartele në Kosovë?

    Kandidatët për deputetë nga Koalicioni AAK-Nisma nuk besojnë që në Kosovë ka oligarkë dhe kartele që ndikojnë në lëvizjen e çmimeve në treg.

    Hoxha tha se nuk ka oligarkë në Kosovë, por që nga ana terminologjisë përdoret gabim për qëllime propagandistike, duke shënjestruar kështu Lëvizjen Vetëvendosje.

    Ai kritikoi qasjen e partisë në pushtet ndaj bizneseve.

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Koalicioni për Kosovën Fituese bizneset do t’i shohë si partnerë. Të gjitha informacionet që do të mblidhen nga biznesi do të përdoren për bashkëpunim dhe për rritjen e ekonomisë së vendit”- tha ai.

    Hoxha tha se ligji në Kosovë është i qartë dhe se ka institucione përkatëse që janë të trajnuara mirë, që do të ndërhynin në rast se ka kartele.

    “Ne jetojmë në një ekonomi të tregut ku është e pamundshme që bizneset me vetëdije të plotë me kriju kartele e aq ma pak kur kjo është joligjore. Asnjë biznes i madh ose i vogël nuk do të rrezikonte rënien ndesh me ligjin, kur ligji është i qartë”- beson ai.

    Ai tha se AAK-ja është koncept i djathtë dhe nuk do të përzihet në çështjet e mikro-menaxhimit të bizneseve.

    “Nuk mund të paramendojmë që bizneset në mënyrë kartelore t’i përcaktojnë çmimet sepse ekonomia e tregut është e pamëshirshme në kuptimin e konkurrencës. Prandaj bizneset mundohen të performojnë sa më mirë që të jenë më afër klientëve”- tha ai.

    Se a ka kartele në Kosovë, Smajl Latifi përgjigjen e kolegut të tij e quajti “principal”.

    Latifi tha se nëse ka kartele përgjigjen duhet ta jap Prokuroria Speciale e Kosovës, Agjencia Anti-Korrupsion dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

    “Nëse makiatos po i rritet çmimi, ATK-ja mund të pyes atë pronar të asaj kafeterie se a e ka kuponin fiskal a jo. Ekonomia e tregut rregullohet përmes ofertës dhe kërkesës”- tha ai.

    Latifi premtoi se detyra e Qeverisë do të jetë që të krijojë politika që i japin fuqi zhvillimit ekonomik përmes lehtësirave fiskale, luftimit të evazionit fiskal dhe përmes shtimit të investimeve në infrastrukturë publike.

    Nëse Koalicioni AAK-NISMA vjen në pushtet parasheh të bëj tatimin mbi karbonin, tatimin mbi luksin dhe ndotjen, tatimin mbi transaksionet dhe tatimin mbi shitjet online.

    Kandidati Arton Demhasaj, tha se të tilla politika kanë edhe në vende e tjera.

    “Secili shtet veç ka vendos tatim mbi karbonin … Por kjo duhet të bëhet me bazë ligjore. Ka me pasë edhe ulje të tatimit që paguhet për energjinë elektrike”- tha Demhasaj.

    Për tatimin për ndotjen, Demhasaj tha se kushdo që shkakton ndotje, apo që vërtetohet një nivel i ndotjes së shkaktuar, kur të vendosen premisat ligjore, do të caktohet një taksë.

    Trefishim i subvencioneve dhe ndërtim i qendrave të skijimit

    Duke qenë një nga kryetarët e komunave më prodhuese në Kosovë, asaj të Rahovecit, Smajl Latifi, si sektor të rëndësishëm që ndikon në rritjen e zhvillimit ekonomik e konsideron edhe zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.

    Latifi premtoi se si koalicion kanë paraparë rritjen e subvencioneve në sipërfaqe dhe rendimente.

    “Efektet e punës në bujqësi mund të ndikojnë në rritjen e Bruto Produktit Vendor. Ne kur i rrisim subvencionet, kur i hapim më shpesh thirrjet për grante që të fitojnë projekte në partneritet me qeverinë, me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, sigurisht që do të jetë lehtësi për ta”- tha Latifi.

    Ai tha se Ministria e Bujqësisë duhet të marr shembull nga Rahoveci se si trajtohet sektori i bujqësisë.

    Trajtimi i sektorit të bujqësisë me prioritet, sipas tij, përveçse do t’i përmbushte nevojat e Kosovës, do mundësonte që produktet vendore të jenë konkurruese në rajon.

    “Bujqit e Kosovës nuk i kanë marr subvencionet edhe pse aplikimet kanë ndodh në shkurt të vitit që shkoj. Ne hapim thirrje rrallë për grante. Ne po mendojmë që të hapim çdo vit thirrje për grante, e dy herë në vit për mbjelljet e kulturave pranverore, e mbulim më të madh me serra e stalla”- tha Latifi.

    Buxhetin aktual për bujqësinë, Latifi e konsideron si shumë të ulët për t’i mundësuar  prodhimtarëve në Kosovë që të sundojnë në treg të Kosovës, e le më me gjerë.

    ”Ju them të drejtën pak mbi 90 milionë është buxheti për bujqësi për këtë vit, për mallra dhe shërbime (katër milionë e 800 mijë), investime kapitale (4 milionë e gjysmë), në grante subvencione dhe transfere (74 milionë), që do të thotë që është aq buxhet i pamjaftueshëm sa ne nuk mund të jemi konkurrentë”- tha ai.

    Kandidati i AAK-së Smajl Latifi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Sipas tij, e keqja më e madhe është që prodhimet e Kosovës janë shumë më të mira, cilësore, e të kërkuara, por janë të mbisunduara në treg nga prodhimet që importohen.

    Latifi premtoi trefishim të mbështetjes për fermerët në katër vitet e para të mandatit dhe se do të marrin iniciativa konkrete për ta balancuar fermerin kosovar me atë të shteteve fqinje.

    “Ka disa pengesa që ne mund t’i trajtojmë me udhëzime të veçanta, me akte nënligjore, në mënyrë që fermeri jonë të jetë i qasshëm në fonde të Kosovës, por të jetë i qasshëm edhe në fondet me donatorët e jashtëm”- tha ai.

    Arton Demhasaj tha se kanë paraparë 1 miliard euro investime për bizneset e vogla, apo nga 250 milionë për çdo vit.

    Një pjesë e produkteve vendore, sipas tij, ka nevojë për një kontroll të cilësisë. Për këtë, ai tha se kërkohet fushatë vetëdijësuese që ato produkte t’i kenë standardet e BE-së.

    Ai përmendi edhe sektorin e turizmit, duke fajësuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti se e “ka harruar që ekziston”.

    “Imagjinojeni kjo qeveri e ka ndalë edhe një rrugë që ka qenë t’u u ndërtu, rruga Deçan-Plavë që e ngjallë turizmin e asaj pjese. Ka qenë një prej projekteve më të rëndësishme të zhvillimit të turizmit, sidomos në pjesën e Bjeshkëve të Deçanit”- tha ai.

    Në program, Demhasaj tha se kanë paraparë ndërtimin e tri qendrave të skijimit: një që lidhet me Deçanin në Bjeshkën e Belegut; e dyta që lidhet me Bjeshkën e Rugovës; dhe e fundit me Bjeshkët e Sharrit.

    Funksionalizimi i Aeroportit të Gjakovës

    Në programin zgjedhor të Koalicionit AAK-Nisma është edhe funksionalizmi i Aeroportit të Gjakovës.

    Kandidati nga Gjakova, Artan Nimani i cili më parë ka qenë rektor në Universitetin e Gjakovës, premtoi se në mandatin e tyre qeverisës kanë për qëllim që ta përdorin Aeroportin e Gjakovës si aeroport alternativ, për të mundësuar zhvillimin ekonomik të Kosovës.

    Nimani nuk dha shifra se sa i kushton një gjë e tillë buxhetit, duke thënë se njëherë e kanë planifikuar vetëm ridizajnimin e tij.

    Një premtim tjetër që dha Nimani është modernizmi i sistemit të ujitjes për një pjesë të madhe të këtij rajoni.

    Kandidati i AAK-së Artan Nimani. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

     “Modernizimi i sistemit të ujitjes që po ashtu më shumë e mbulon pjesën lindore Prizren-Rahovec, por edhe pjesën tjetër të Gjakovës, pasi që vetë shpërndarja e tyre si burim e ka Liqenin e Radoniqit”- tha Nimani. 

    Nimani tha se kanë paraparë edhe funksionalizimin e hekurudhës mes Kosovës dhe Shqipërisë, investime në infrastrukturën rrugore, përfundimin e autostradës së Dukagjinit, asaj të Gjilanit, autostradës për Merdarë dhe rrugëve të tjera që kanë mbetur të papërfunduara.

    Përvoja e Aleancës në pushtet

    Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.

    Kjo parti e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017, pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020, pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

    Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.

    Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

    AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Ideali.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

    “Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.

    E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

  • LDK-ja e thërret Kurtin për debat publik me Abdixhikun: Le t’i përgjigjet popullit

    Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një Konference për media ka përsëritur ftesën drejtuar kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit për të zhvilluar një debat publik me kandidatin e LDK-së për Kryeministër, Lumir Abdixhikun.

    Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se ky është momenti i duhur për një debat, për të diskutuar se kush do të kujdeset më mirë për të ardhmen e qytetarëve.

    “Po iu bëj thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve të Kosovës, që t’i bëjnë këtë pyetje Kurtit: Pse nuk iu përgjigj thirrjes së Lumirit për një debat publik? Në çfarëdo vendi, në çfarëdo kohe, në debat live vetëm rreth një teme: të ardhmen e Kosovës. Ky është momenti i duhur për një debat të vërtetë, për të diskutuar se kush do të kujdeset më mirë për të ardhmen e qytetarëve dhe kush ka planet më të mira, aftësinë për t’i realizuar ato, kush ka ekipin…” – ka deklaruar Mustafa, më 23.01.2025.

    Mustafa ka shtuar se, pavarësisht se ai e dinte përgjigjen, Kurti duhet të përballet për t’iu përgjigjur popullit.

    “Unë e di se përgjigja është e qartë, por Kurti duhet të paktën t’i përgjigjet popullit dhe ne i bëjmë thirrje edhe njëherë ‘Eja në debat kudo, kurdo’. Populli i Kosovës e meriton dhe po e kërkon këtë debat.” – ka deklaruar Mustafa.

    Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga zëdhënësi i LVV-së dhe është në pritje të përgjigjes.

    Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Partia Lëvizja Vetëvendosje mori vendim bojkotimin e tri televizioneve në vend.

    Një grup prej dhjetëra Organizatave Joqeveritare kanë reaguar ndaj bojkotit të subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje për të mos marrë pjesë në emisionin “Debat Përnime” – prodhim i dy Organizatave: Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova.

    Në reagimin e tyre, OJQ-të kanë theksuar që bojkoti për mospjesëmarrje në “Debat Përnime” e cenon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve në kohë Zgjedhjesh.

  • Gjuha e urrejtjes si “artileri” në betejën për pushtet

    Fushata zgjedhore në Kosovë, e nisur zyrtarisht më 11 janar 2025, po përcillet nga një diskurs i vrazhdë mes rivalëve për kryeministër të ardhshëm të vendit dhe mes kandidatëve që pretendojnë të bëhen deputetë të legjislaturës së re e cila pritet të krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Fjalimet e mbushura me gjuhë të urrejtjes, me ironi dhe me ofendime të ndërsjella mes liderëve të pozitës dhe opozitës, po i lënë në plan të dytë ato që do duhej të ishin thelbësore në garën për pushtet- programet zgjedhore. Partia që ka qeverisur në katër vjetët e fundit- Lëvizja Vetëvendosje, në fakt as që e ka ofruar një program të tillë. Megjithatë, për gjuhën dhe veprimet që nuk janë brenda normave të lejuara, secila prej partive është duke u gjobitur në vazhdimësi.

    Lëvizja Vetëvendosje është ndëshkuar me 4 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për gjuhën fyese që ka përdorur lideri i saj, Albin Kurti, gjatë një tubimi në Pejë. “Këtu, qysh e dini edhe ju vet, Ly-Dy-Ky-Hi dhe Py-Dy-Ky-Hi (aludimi në LDK-në dhe PDK-në) janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjik për të kaluarën kur kanë keqqeverisur bashkë, por nuk mund të jenë më ëndërrimtarë që mund të përsëritet kjo”, tha Kurti para simpatizantëve të LVV-së, në qytetin rrëzë Bjeshkëve të Nemuna (shih videon e publikuar në TikTok).

    Por, s’u ndal me kaq! LDK-në, partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, rivali i tij për pozitën e kryeministrit, ai e krahasoi me mizën. “Kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të Ly-Dy-Ky-Hit se populli po ka simpati për ta, mua më ngjan me mizën që thoshte se kudo që po shkoj po e presin me duartrokitje”, tha Kurti, duke shtuar më pas se “ato duar që duartrokasin [dihet] se çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize” (Shih videon e publikuar në TikTok).

    Nga krahasimet, megjithatë nuk shpëtoi as ai. Për mënyrën e të folurit dhe gjestikulacionet e tij, kandidatja për deputete nga LDK-ja, Xhenet Syka, shpërndau një video krahasuese me tendencë të përngjasimit me diktatorin nazist, Adolf Hitler. Ky veprim i kushtoi LDK-së, me një gjobë prej 20 mijë euro nga ana e PZAP-së, organit të përhershëm, të pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

    Shkaku i gjuhës dhe i veprimeve të aktivistëve nga gjobat nuk ka shpëtuar as Partia Demokratike e Kosovës. Më 8 mijë euro u gjobit kjo parti për shkak se Armend Ahmeti, zyrtar në Komunën e Skenderajt, shpërndau një video në të cilën shihet dhe dëgjohet Sami Lushtaku, kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë duke i quajtur “zagarë” aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. “T’i çojmë mesazh Albin Kurtit dhe zagarëve të tij” – dëgjohet duke thënë Lushtaku. I biri i tij, Mërgimi është në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë.

    PDK ia pa “sherrin” edhe Sekretarit të Degës në Malishevë, Ruzhdi Kryeziut. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet Kryeziu bashkë me një qytetar që aderon në PDK, me ç’rast ky i fundit e prenë me gërshërë kartelën e anëtarësisë të LVV-së. “Nga sot kthehemi të shtëpia e vjetër, aty ku i kemi rrënjët tona të para dhe nga sot e shkatërrojmë kartelën e populistëve” – thotë i aderuari në PDK. Për këtë gjest, PDK-së iu shqiptua një gjobë prej 2 mijë euro.

    I përmbajtur nga përdorimi i gjuhës fyese nuk është treguar as lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, që njëherësh është edhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-Nisma. Që në hapje të fushatës, ai e akuzoi rivalin nga LVV-ja, Albin Kurtin, si “argat të Serbisë dhe Rusisë”. “Nuk dojmë me ba lojna me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tonë e në interes të Rusisë e Serbisë nga argati i tyre”, tha ai, duke bërë më pas edhe thirrje: “Shko Albin te prokurori se nuk po dojmë me u vjedh rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as te energjia. Shko te prokurori e merri hajnat tjerë se je shef i hajnave”. Kjo gjuhë e Haradinajt i kushtoi AAK-së me gjobë prej 12 mijë euro nga PZAP.

    Haradinaj, që bashkë me partnerët e koalicionit garojnë në zgjedhje parlamentare me moton “Direkt në NATO”, e ka cilësuar Kurtin edhe si mercenar. “Shko se neve nuk na vjen marre prej UÇK-së se jemi kanë UÇK dhe kemi luftu për liri. Shko se e ke fy dhe poshtëru nderin e luftëtarit të lirisë. Ti je mercenar, s’është UÇK-ja mercenar, s’ka mercenarë në UÇK, ti edhe soji yt jeni mercenarë- shkoni” – ka thirrur ai.

    Një gjuhë ofenduese ndaj opozitës ka përdorur edhe kandidati për deputet nga LVV, Xhelal Sveçla. Aktualisht, ai është ministër i Punëve të Brendshme. Në një tubim në Vushtrri, Sveçla i ka quajtur ‘disa’ anëtarë të ish-qeverive si ‘bërllok’. “Disa bërlloka të partive të vjetra thanë se Policia e Kosovës po sillet si Policia e Millosheviqit në veri. Këta bërlloka a do t’i hedhim në kantën e bërllokut të historisë sonë?” – ka deklaruar Sveçla.

    PZAP ka dënuar me 4,500 euro edhe Koalicionin për Familjen pas një ankese të organizatave CEL Kosova dhe Dylberizëm me pretendimin se anëtarët e këtij koalicioni kanë përdorur gjuhe fyese dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBT+, promovimin e përçarjes dhe frikës ndaj qytetarëve si dhe nxitjen e urrejtjes.

    Fushata negative me ndikim afatgjatë në shoqëri

    Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi thotë se gjuha e urrejtjes është shndërruar në një nga karakteristikat kryesore të fushatës. Më me vend ai e sheh sikur fushata të ishte orientuar kah shpalosja e programeve, e jo të dominohej nga retorika përçarëse.

    “Për fat të keq, gjuha e urrejtjes dhe ajo denigruese nuk është monopol i një partie të vetme. Ajo është përhapur pothuajse nga të gjitha forcat politike, duke u kthyer në një normë të papranueshme të komunikimit publik”, thotë ai.

    Megjithatë, sipas tij, gjuha e urrejtjes aktualisht është më e theksuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Të dy këta liderë kanë përqafuar një diskurs politik agresiv, duke e ndërtuar fushatën e tyre mbi përplasjet dhe konfrontimin e drejtpërdrejtë, në vend që të ofrojnë zgjidhje për sfidat reale të vendit” – thotë Qerimi.

    Profesori universitar shton se kjo sjellje e liderëve politikë reflektohet në rrjetet sociale, meqë militantët e përsërisin këtë gjuhë e madje me raste shkojnë edhe deri te kërcënimet. Andaj, sipas tij, institucionet, mediat dhe shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë për të dënuar dhe penalizuar këtë gjuhë. “Nëse kjo tendencë vazhdon, pasojat mund të jenë të rënda për stabilitetin social dhe për besimin e qytetarëve në procesin demokratik” – shprehet ai.

    Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, negativitetin në fushatë e konsideron si të ‘paparë’. “Mund të themi që fushata nga partia në pushtet ka filluar me një negativitet të pakuptueshëm dhe të paparë duke shpërndarë urrejtje dhe polarizime të panevojshme. Në vend se projekteve elektorale vizionare, aty më shumë është ‘stand up’ komedi në kontekstin negativ dhe një kompeticion ku ministrat këndojnë. Do të duhej të tregoheshin projektet dhe vizioni për vitet 2015 – 2029, por për fat të keq LVV ka ngec në mentalitetin e opozitës” – deklaron Arifi.

    Sipas tij, opozita megjithatë ka më tepër koncentrim te përmbajtja dhe oferta. “Partitë opozitare janë më të koncentruara në përmbajtjen dhe ofertën e tyre. Po vërehet angazhim më i madh edhe në organizimin e tubimeve që ato të jenë sa më shumë elektorale” – shton ai.

    Sociologu Artan Muhaxhiri në anën tjetër thotë se gjuha e urrejtjes si “stil ekstrem” i diskursit publik ka ndikim tek kategoria e votuesve të cenueshëm, të cilët janë kryesisht dogmatikë dhe pa sens të mjaftueshëm kritik e racional të vlerësimit afatgjatë politik. Kjo kategori e votuesve,  sipas tij, shpesh janë edhe të margjinalizuar nga rrjedhat zhvillimore shoqërore.

    “Kjo gjuhë shfrytëzohet me qëllim të ndërtimit të rrëfimit të thjeshtëzuar ndarës: ‘Ne dhe Ata/Ato’, ku ‘Ne’ janë personazhet pozitive, kurse ‘Ata/Ato’ negative. Suksesi i saj varet prej rrethanave sociopolitike që dominojnë në kohën e caktuar, si dhe nga shkalla e kërkesës së votuesve që të udhëhiqen prej një lideri/partie me këtë frymë ideologjike e vepruese” – deklaron Muhaxhiri.

    “Policia Gjuhësore”

    Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se duhet të ketë një pajtueshmëri për definicionin e asaj që quhet ‘gjuhë e urrejtjes’. Ndonëse ka disa definicione, sipas tij, kryesisht ‘gjuhë e urrejtjes’ kuptohet kur anëtarët e një kategorie të caktuar shoqërore përçmohen në mënyrë jashtëzakonisht të rëndë identitare, dhe se përbuzja nënçmuese përmban potencial për nxitje të dhunës.

    “Në fushatën aktuale për zgjedhjet e 9 shkurtit nuk është krejtësisht e qartë se cili është precizimi i detajshëm institucional i gjuhës së urrejtjes. Ka disa kritere të gjeneralizuara që mund të nënkuptojnë gjëra të ndryshme, kësisoj duke u hapur mundësi opcioneve subjektive interpretative. S’është identifikuar kthjellët vija e cila i ndan përzgjedhjet e mirëmenduara të strategjive politike prej kritereve të pashmangshme të etikës publike”, shpjegon ai.

    Muhaxhiri thotë se s’bën të krijohet përshtypja e një “Policie Gjuhësore” që i përkufizon kornizat e nuancave të lirisë së shprehjes së politikanëve në një terren skajshmërisht të komplikuar me simbolika, metafora dhe alegori. “Dita e zgjedhjeve do të duhej të ishte vlerësim i votuesve kosovarë ndaj partive dhe liderëve edhe për këtë aspekt të tyre” – thotë ai.

    Për Qerimin, gjuha e urrejtjes e përdorur nga politikanë nuk është e rastësishme. Në fakt, sipas tij, kjo është një strategji e mirëmenduar e partive politike për të manipuluar ndjenjat e qytetarëve dhe për të polarizuar elektoratin. “Kjo gjuhë synon të mobilizojë militantët, duke e paraqitur kundërshtarin politik si një ‘armik’ të vendit dhe të popullit. Kjo strategji, edhe pse mund të sjellë përfitime afatshkurtra për disa parti, në tërësi dëmton rëndë procesin demokratik dhe ndërton një kulturë politike të bazuar në përçarje dhe urrejtje” – shprehet Qerimi.

    “Bullizimi verbal dhe sarkazmi tallës”

    Gjobat e shqiptuara nga PZAP ndaj partive politike, profesor Arifi i sheh me vend, por thotë se një shoqëri normale nuk ndërtohet në këtë formë. “Dënimet janë të mëritura- ka qenë rast i rënd të krahasohet kryeministri me një diktator. Kjo është ajo që nuk duhet të kalohen në urrejtje pavarësisht nga kush bëhen. Edhe në rastin tjetër kur është dënuar opozita për të njëjtat arsye nuk mund të ndërtojmë shoqëri normale nëse elita politike shprehet në ketë formë” – deklaron Arifi.

    Sociologu Muhaxhiri nga këndvështrimi i tij thotë se “qasja e këtillë e instancave që merren me procesin zgjedhor duket se më shumë ka synime parandaluese, për ta minimizuar intensitetin e përdorimit të kësaj retorike në të ardhmen”. “Këtyre ditëve ka pasur raste të bullizimit verbal dhe sarkazmit tallës – për shembull nga Kryeministri Kurti, për ç’gjë edhe është dënuar nga PZAP, që i ka konsideruar ato si ‘gjuhë të urrejtjes’. Kandidatët tjerë për kryeministër nuk janë shquar për fjalë të kësollojta” – thekson Muhaxhiri.

    Qerimi në anën tjetër konsideron se përveç ‘elektrizimit’ të masës nga kjo gjuhë e urrejtjes, mund të jetë edhe efekti tjetër, që disa qytetarë të lodhen nga klima toksike dhe mos të marrin pjesë fare në zgjedhje. “Normalizimi i gjuhës së urrejtjes”, sipas tij, hap rrugën për akte të dhunës verbale apo dhe fizike. E kjo pastaj nëse nuk ndalet në kohë, mund të përshkallëzohet deri në konflikte serioze ndërmjet mbështetësve të partive të ndryshme, paralajmëron Qerimi.

    “Degradimi i kulturës demokratike, ku gjuha e urrejtjes dominon diskursin publik, partitë dhe liderët politikë nuk ndihen më të detyruar të ofrojnë zgjidhje reale për problemet e vendit. Kjo çon në një degradim të skenës politike, ku gara për pushtet bazohet në sulme dhe manipulime, jo në ide dhe projekte konkrete për qytetarët” – thotë ai. Gjuha e urrejtjes, sipas tij, sjell edhe humbjen e besimit në institucione dhe sistemin demokratik në përgjithësi. Rrjedhimisht rritjen e pasigurisë dhe zhgënjimit tek populli.

    Për shkak të thyerjeve të rregullave, në dhjetë ditët e para të fushatës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u ka shqiptuar subjekteve politike gjoba në shumën prej 125 mijë euro. Bazuar në vendimet e publikuara nga ky organ, e para për nga shuma e gjobitjes është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani është dënuar me 45 mijë euro për gjashtë raste të ndryshme. Partia Demokratike e Kosovës, brenda të njëjtës periudhë është gjobitur me 44 mijë e 500 euro për 10 raste të ndryshme. Koalicioni AAK- Nisma me 23 mijë e 500 euro për tri raste të ndryshme. Dhe, LVV është gjobitur me 6 mijë e 500 euro për dy deklarata të Kurtit, gjatë tubimeve në Pejë dhe Podujevë.

  • Koalicioni për Familjen e konsideron të pabazuar Vendimin e PZAP-së që i gjobiti me 4500 euro për gjuhën kundër komunitetit LGBTI+

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa (PZAP) ka dënuar me 4,500 euro Koalicionin për Familjen pas Ankesës së organizatave CEL Kosova dhe Dylberizëm, me pretendimin se anëtarët e koalicionit kanë përdorur gjuhe fyese e diskriminuese ndaj komunitetit LGBT+, promovimin e përçarjes, frikë ndaj qytetarëve dhe nxitje të urrejtjes.

    Ketë Vendim, Koalicioni për Familjen përmes një Konference për media e ka quajtur veprim pa bazë ligjore.

    “Ai (Eman Rrahmani) e konsideroi Vendimin e PZAP-it për të dënuar një veprim pa bazë ligjore, si një shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave politike të qytetarëve dhe një kërcënim për angazhimin e koalicionit në mbrojtje të vlerave të familjes.”- thuhet në njoftim.

    “Ky veprim është i paargumentuar dhe i pabazuar.”- tha Rrahmani, duke shtuar se koalicioni po përballet me një situatë që cenon angazhimin dhe kauzën e tij për mbrojtjen e familjes.

    Në Vendimin e PZAP thuhet se deklaratat e kontestuara në Ankesë janë: Deklarata e kandidatit Fatmir Smajli, i cili promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTI+ e përshkruan si “marrëzi” dhe “kundër natyrës njerëzore”.

    Deklarata e kandidatit Eman Rahmani, i cili promovimin e dashurisë mes personave LGBTI+ e paraqet si “turp”- duke përdorur shembullin e Festivalit Anibar për të përhapur dezinformata dhe për të nxitur frikë ndaj komunitetit LGBTI+ dhe se angazhimi për të drejtat e këtij komuniteti është një kërcënim për traditat dhe kundër figurave historike të kombit shqiptar.

    Deklarata e kandidatit Visar Korenica, i cili pretendon se të drejtat e komunitetit LGBTI+ janë “kundër natyrës njerëzore” dhe “nuk janë në interesin e përgjithshëm të shoqërisë”.

    Ndërsa, në Konferencën e mbajtur më 23.01.2025, Rrahmani ka theksuar, po ashtu, se spoti televiziv i tyre është në përputhje me vlerat e shoqërisë, nuk përmban asnjë gjuhë urrejtjeje dhe nuk mund të ndalohet.

    “Ne nuk mund të ndalojmë asnjëherë gjuhën tonë, ku flasim për vlerat e familjes.”- tha Rrahmani.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) u ka shqiptuar gjoba në vlerë 125 mijë euro subjekteve politike për shkelje të rregullave zgjedhore që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e cila ka nisur më 11.01.2025 e deri më 22.01.2025.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

  • Ku dhe si do të vendosen kamerat vëzhguese nëpër Qendrat e Votimit në ditën e Zgjedhjeve?

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka blerë 2 mijë e 500 kamera vëzhguese, bashkë me pajisje përcjellëse, për të monitoruar dhe vëzhguar procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025.

    Në total Kontrata ka kushtuar 699 mijë euro dhe atë e ka fituar Kompania “Besa Security”. Kontrata është nënshkruar më 31.10.2024.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se kamerat do të vendosen brenda vendvotimit, por sipas tij do të vendosen në atë mënyrë që do të garantojnë ruajtjen e integritetit të procesit të votimit dhe numërimit.

    “Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit.” – ka thënë Elezi për KALLXO.com.

    Sipas tij, në ditën e Zgjedhjeve KQZ nuk do t’i monitorojë kamerat dhe se regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive. Elezi ka thënë se qasja në regjistrimet e kamerave mund të bëhet vetëm me Vendim apo Kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.

    “Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet, ku evidentohen parregullsi, me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese.” – ka bërë të ditur Elezi.

    “Në kuadër të procesit të shkatërrimit të materialit zgjedhor, KQZ, në përputhje me procedurat, do të veprojë edhe me videoregjistrimet. Nga procesi i shkatërrimit, KQZ përjashton vetëm ato materiale zgjedhore që janë pjesë e trajtimit nga institucionet e tjera”.

    Zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se kamerat mund të përdoren edhe për të tjera procese zgjedhore.

    Sipas të dhënave në Dosjen e tenderit, kamerat do të vendosen në secilin vendvotim. Aty thuhet se në Zgjedhjet lokale 2021 numri i vendvotimeve ka qenë 2477 vendvotime dhe për këtë arsye sasia indikative e furnizimeve me kamera është 2 mijë e 500 copë. Por, megjithatë KQZ varësisht nga numri i vendvotimeve mund të porosisë plus/minus 30%.

    Po ashtu, në Dosje të tenderit bëhet e ditur se regjistrimet ruhen në kartelat e memories, të cilat duhet të jenë brenda kamerës, e asambluar me bulona. Rezolucioni i videoregjistrimeve do të jetë 5 megapiksel dhe se kamerat duhet të kenë pavarësi nga energjia elektrike, për të paktën 2 orë.

    “Kamerat duhet të vendosen në një lartësi prej jo më pak se 210 cm dhe jo më shumë se 280 cm nga dyshemeja. Seti i kamerës me të gjitha pjesët e montuara, maksimalisht duhet të peshojë 13 kg.” – thuhet tutje në Dosje të tenderit.

    Sipas Kontratës së nënshkruar, vetëm një kamerë pa pajisjet përcjellëse ka kushtuar 146 euro.

    Gjatë votimit në prill 2024 “për” ose “kundër” largimit të Kryetarëve në katër Komunat me Shumicë Serbe në Veri në prill: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, për herë të parë në një proces zgjedhor që është organizuar në Kosovë, janë vendosur edhe kamera nëpër vendvotime.

    Kamerat në atë kohë ishin huazuar nga Shqipëria.

    KQZ në atë kohë, njëjtë sikurse tash, vlerësonte se vendosja e kamerave nuk e cenon fshehtësinë e votës – duke marrë shembull se një praktikë e tillë përdoret edhe në Mal të Zi, Estoni, Letoni apo vende të tjera perëndimore.

    Ai ka treguar se mënyra e vendosjes së kabinave dhe kamerave në vendvotime është një praktikë që përdoret në Mal të Zi, Estoni, Letoni dhe vende perëndimore.

    Në ndërkohë Prokuroria e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse dikush ua cenon fshehtësinë e votës ta lajmërojnë në Polici apo Prokurori.

    Në të njëjtën kohë edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale, në kohën e fushatës zgjedhore.

    AIP ka kërkuar që subjektet të mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit me qytetarë – siç janë mesazhet e thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

    https://kallxo.com/lajm/prokuroria-e-shtetit-u-ben-thirrje-qytetareve-qe-nese-dikush-ua-cenon-fshehtesine-e-votes-ta-lajmerojne-ne-polici-apo-prokurori/