Ballina

Etiketë: Zgjedhejt 2025

  • Kandidatja për deputete nga AAK-ja rrëfen përvojën personale të trajtimit të sëmundjes së kancerit

    Kandidatja për Deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Zarife Asllani, në “Debat Përnime”, më 20.01.2025, ka ndarë përvojën e saj personale se si është diagnostifikuar me sëmundjen e kancerit të gjirit dhe si e ka trajtuar këtë sëmundje për disa vjet rresht.

    E pikërisht kjo përvojë, ajo thotë ta ketë shtyrë që të kandidojë për Deputete.

    “Si e prekur vetë nga kjo sëmundje (kanceri i gjirit), tani e 9 vjet që rrugëtoj, më ka shtyrë që të kandidoj si Deputete.” – ka thënë Asllani.

    Ajo ka folur për ndryshimet dhe reformat që priten të bëhen në sistemin e Shëndetësisë me “ardhjen e Aleancës dhe partnerëve të saj të koalicionit në Qeveri”.

    Derisa ka hedhur kritika për mungesën e digjitalizimit të sistemit të Shëndetësisë, kjo kandidate për Deputete ka folur edhe për procedurat burokratike që i posedon sistemi shëndetësor në Kosovë.

    Lidhur më këtë, Asllani ka premtuar se do të ofrohet një sistem online për të gjithë pacientët me sëmundje kronike, si dhe do të bëhet decentralizimi i shërbimeve mjekësore në rajonet e Kosovës.

    “E kam një mision dhe Program online të cilin mendoj që duhet ta posedojnë pacientët me sëmundje kronike dhe decentralizimin e shërbimeve në qytete të mëdha të Kosovës.” – ka thënë Asllani.

    Në kuadër të kësaj reforme, Asllani thotë se do të jetë edhe krijimi i një databaze për pacientët.

    Pjesë e kësaj reforme do të jetë edhe trajnimi i familjarëve të pacientëve në përdorimin e platformës online.

    “Një pjesëtar i familjes të jetë i trajnuar për ta përdorë platformën që unë mendoj se do të realizohet dhe njëkohësisht çdo ndryshim i detajuar te pacienti të bëhet në formë të komenteve. Mandej edhe terminët, qendrat lokale të qyteteve të mëdha dhe të qendrave si Onkologjia me pas qasje 24 orë.” – tha Asllani.

    Në Programin zgjedhor, Koalicioni AAK-Nisma ka paraparë që çdo familje në Kosovë ta ketë mjekun e vet familjar. Premtim tjetër është sigurimi i buxhetit dyvjeçar për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për të gjithë qytetarët.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/dyfishim-pagash-digjitalizim-dhe-zgjerim-te-listes-se-barnave-esenciale-plani-i-aak-se-per-shendetesine/