Ballina

Etiketë: Vrasje

  • Vrasja e Liridona Ademajt, përfundojnë hetimet, pritet ngritja e Aktakuzës

    Hetimet për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt kanë përfunduar, ndërsa Prokuroria e Prishtinës më 15.01.2025 do të njoftojë për ngritjen e Aktakuzës ndaj katër personave.

    Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe sipas Prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

    KALLXO.com mëson së faza hetimore për këtë rast ka marrë epilog, ndërsa pritet të ngritet Aktakuza dhe më pas e njëjta do të  dorëzohet në Gjykatë për procedim të mëtejm.

    Lidhur me këtë rast të dyshuar janë: Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava, të cilët gjenden në masën e paraburgimit, që nga nëntori i vitit 2023.

    Më 13.01.2025 Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se më 15.01.2025 do të mbajë Konferencë për media, me temën për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, ju fton të merrni pjesë në Konferencën për media për rastin e Liridona Ademajt, e cila do të mbahet më 15.01.2025, me fillim nga ora 10:00, në objektin e Prokurorisë Themelore – Prishtinë, Salla e Konferencave, Kati 0.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Gjykata e Prishtinës, më 27.12.2024, ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të njëjtit gjenden në këtë masë që nga nëntori i vitit 2023.

    Dosja e Prokurorisë

    Sipas Dosjes, që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla, duke i thënë “Sot duhet të kryhet kjo punë.” – duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një Qendër në Gjakovë, në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

    “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit, duke i thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’.” – thuhet në Dosje.

    “Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli. I pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë.

    Kështu, të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas Vendimit të Gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

    Pas këtij takimi, Naim Murseli kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

    Sipas Dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast – sipas Prokurorisë – dyshohet të jetë Granit Plava.

    Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli, me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin, Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

    Sipas Dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën, e kishte pajisur më armë dorasin dhe kishin inskenuar një grabitje – inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25, në Rrugën “Dalip Alshiqi”.

    Raportimet e KALLXO.com – LINK 

     

     

  • Vrasja në Shkodër, arrestohen dy të dyshuar – Pamje

    Një 33-vjeçar dyshohet të jetë vrarë në fshatin Dragoç të Shkodrës, më 05.01.2025.

    E vëllai i autorit të vrasjes dyshohet se ndihmoi për të kryer aktin dhe për ta fshehur armën e krimit.

    Policia e Shtetit njoftoi se arrestoi dy vëllezërit gjithashtu në vendbanimin e tyre gjeti dhe sekuestroi armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

    Organet e rendit sjellin pamje nga operacioni i koduar “Profili i rremë”, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç, ku u vra me armë zjarri 33-vjeçari.

  • Vritet një person në Shkodër

    Një person është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda automjetit sot me 05.01.2025 në fshatin Dragoç të Shkodrës.

    Janë banorët që kanë parë personin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes.

    Viktima është identifikuar me inicialet R. M. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes.

    “Rreth orës 07:15, në fshatin Dragoç, në rrugë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Benz, me drejtues shtetasin R. M., 33 vjeç, banues në Dragoç, Shkodër, i cili ka humbur jetën” – ka njoftuar Policia e Shtetit.

    “Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve”/TopChannel/.

  • Rastet e vrasjeve që tronditën vendin gjatë vitit 2024

    Viti 2024 nisi me një rast tragjik në Podujevë ku dy të mitur ia morën jetën një 18-vjeçari, e përfundoi me dy të rinj që u vranë në një kafene në qendër të Klinës. Nuk munguan as rastet e vrasjeve të grave nga burrat e tyre.

    Në varrezat e qytetit në Podujevë me 21.01.2024 iu dha lamtumira e fundit Lulzim Fejzullahut, 18-vjeçarit që vdiq pas plagëve të marra nga rrahja që kishte ndodhur një javë më parë.

    Kjo ishte një prej vrasjeve më të rënda që u regjistrua qysh në fillim të vitit 2024, ku të akuzuar përfunduan dy të mitur me inicialet A.A dhe E.K.

    Ata dyshohet se si rezultat i një sherri të nisur ditë më parë, e kishin rrahur viktimin me shkopinj bejsbolli, duke i shkaktuar lëndime që në fund i morën jetën.

    Më 26.03.2024, rreth orës 13:53, në lagjen Kolovicë të Prishtinës, policia do merrte informacion për të shtëna më armë, ku i plagosur kishte mbetur Naim Berisha.

    Por, kjo ngjarje nuk do përfundonte me kaq, pasi në orët e mbrëmjes të po asaj dite do të qëlloheshin me armë dy persona, njëri prej tyre vdiq atë natë kurse viktima e dytë një grua, qytetare e rastit, që po qëndronte në veturë pranë shëpisë së saj ndërroi jetë një ditë më pas në QKUK.

    Aksidentale nuk do ishte rasti i radhës, që gjithashtu pati për viktimë një grua të re në moshë.

    Rasti tronditës ku viktimë ishte 21 vjeçarja Erona Cokli, ndodhi në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku dorasi është ish-bashkëshorti i viktimës, Valon Aliu, që u arrestua e dërgua në mbajtje.

    Rasti nxiti reagime të ashpra nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, kryeministri Kurti, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ai Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të cilët e dënuan aktin.

    E pikërisht në atë muaj, deri sa po dënohej vrasja e 21-vjeçares, një vrasje tjetër do trondiste vendin.

    Kësaj radhe në Pejë, përsëri nga bashkëshorti në banesën e tyre në rrugën “Bill Clinton” u vra një grua. Jetën e Gjyljeta Ukellës e mori burri i saj Edmond Lajqi me një plumb në kokë.

    I akuzuari, kishte edhe një dënim për dhunë në familje në vitin 2021. Arsyejet ishin mosmarrëveshjet familjare ndërkaq, gjersa i njëjti kishte një aktgjykim për dhunë në familje gjatë vitit 2021.

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, pas vrasjes në Pejë, kanë protestuar në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po mbahej nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani.

    Përmes një baneri gjigant, ata kanë kërkuar të anulohet ky forum, derisa në Kosovë po vriten gratë.

    Më 20.09.2024, një burrë u vra nga një një grua në Prishtinë.

    Një 56-vjeçare vrau kunatin e saj me të cilin jetonin në një shtëpi, shkaku i problemeve familjare, dhe ishte dorëzuar menjëherë në polici.

    I vrarë mbeti edhe një person në lagjën “Aktash” dhe 5 të tjerë të plagosur, shkak si një mosmarrëveshje më herët mes dy grupeve të njohura nga organet e rendit.

    Rastet e vrasjeve brenda familjes nuk do të përfundonin me rastin që ndodhi në Kodrën e Triamve, pasi që më 27.10.2024 u regjistrua një tjetër rast i rëndë.

    Vëllai do të vriste vëllain me thikë, në incidentin që ndodhi në rrugën “Tirana” të kryeqytetit.

    Policia por edhe familja thanë se nuk i dinë ende arsyejet e kësaj vrasje andaj kërkuan që të pritet një raport i organeve të rendit.

    Në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, më 07.11.2024, Sokol Osmani do të ekzekutohej, rast për të cilin u arrestuan Valmir Salihu dhe Florian Mitev nga ky qytet.

    Kurse nata e 15.11.2024 do të ishte fatale për dy të rinj në Klinë, që po qëndëronin në një kafene në qender të qytetit.

    Rexhep dhe Albison Shlivova, 23 dhe 21-vjeçar, u qëlluan për vdekje nga 19-vjeçari Jon Hoti.

    Të gjithë ishin të nga i njëjti fshat, dhe kishin pasur një konfikt disa ditë më parë para se të ndodhte ngjarja.

    Përgjatë vitit 2024, policia bëri angazhime të shtuara në reduktimin e armëve të zjarrit në duart e kosovarëve, por që megjithatë, rezultuan me raste të shumta që përfunduan me fatalitet./Dukagjini

  • Babai dyshohet se vrau djalin e tij në Tetovë

    Në Tetovë të Maqedonisë së Veriut 39-vjeçari S.N është gjetur pa shenja jete.

    39-vjeçari u gjet me plagë të armës së zjarrit në kokë rreth orës 18:50 të 02.01.2025.

    Sipas Portalb.mk, S.N ka jetuar vetëm me babanë e tij.

    Viktima e cila u gjet pa ndjenja u dërgua në Qendrën Urgjente të Tetovës. Policia e Tetovës njofton se në dhomën ku është gjetur S.N. është gjetur një pushkë gjuetie.

    “Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve për zbardhjen e rastit, në koordinim me prokurorin publik, është konstatuar se kemi të bëjmë me vepër penale “vrasje” e kryer më datë 31.12.2024, ku pas një konfrontimi fizik të mëparshëm, M.N. (65) ka vrarë me pushkë gjuetie djalin e tij S.N” – thanë nga Policia e Tetovës raporton Portalb.mk.