Për motive të dobëta, e dyshime se viktima mund të kishte ndikuar për prishje të marrdhënieve familjare, janë pretendimet që janë thënë sot në një konferencë për media, disa nga pikat që shtynë vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Shkodër ndaj 33 vjeçarit Ramazan Mataj.
Policia tashmë ka njoftuar se për ngjarjen tashmë janë vënë në pranga dy persona, vëllezër që dyshohet se njëri kreu vrasjen e tjetri ndihmoi në këtë vepër penale.
“Nga hetimet e policisë rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj”- tha në një konferencë për media, Drejtori i Policisë në Shkodër, Fatmir Lleshaj.
Sipas tij, 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve familjare.
Dy ditë më parë (05.01.2024) 33 vjeçari Ramazan Mataj është vrarë me armë zjarri ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar se tashmë nga hetimet intenstive që janë zhvilluar janë identifikuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit janë arrestuar.
Në një konferencë për media, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë në Shkodër, Fatmir Lleshaj, ka njoftuar se kanë zhvilluar një hetim dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, është bërë edhe zbardhja e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç.
Pas ngjarjes që u regjistrua një numër i lartë i personave janë identifikuar dhe janë shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje në lidhje me rastin.
Si rezultat i një hetimi intensive disaditor, në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit. Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë.
Vëllai i të dyshuarit si autor i vrasjes, shtetasi Klisman Hasaj, dyshohet se kishte ndihmuar Arjon Hasajn për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.
“Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës”- u tha në konferencën për media.
Gjithashtu policia njoftoi se Arjon Hasaj, po dyshohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë dërguar shkresat dhe dosjen në prokurori.
“Theksojmë faktin se pas ngjarjes së ndodhur, në adresë të DVP Shkodër kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët, për bashkëpunim dhe mbështetje, si dhe informacione, të cilat pavarësisht vlefshmërisë, ishin inkurajuese për punën intensive që Policia kreu për të zbardhur këtë ngjarje me impakt publik”- tha drejtori Lleshaj.