Ballina

Etiketë: Volodymyr Zelenksy

  • Zelensky: 200 mijë trupa paqeruajtëse do të nevojiteshin për mbështetjen e armëpushimit

    Derisa presidenti amerikan, Donald Trump është duke i shpeshtuar thirrjet për një Marrëveshje paqeje në Ukrainë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paraqiti një ide për një forcë paqeruajtëse evropiane me 200.000 trupa.

    I pyetur më 22 janar gjatë një Paneli diskutimi për numrin e një force paqeruajtëse për ta garantuar një Marrëveshje armëpushimi me Rusinë në të ardhmen, Zelensky tha: “Nga të gjithë evropianët? Të paktën 200.000 [trupa]. Ky është minimumi, përndryshe është e kotë”.

    Zelensky, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, tha se një forcë e tillë paqeruajtëse do të ishte vetëm njëra nga pjesët e garancive të përgjithshme të sigurisë, që do t’i nevojiteshin Kievit – në rast se fillojnë bisedimet për armëpushim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

    Më herët, Zelensky tha për Bloomberg News se për të qenë efektive një forcë paqeruajtëse – pjesë e saj duhet të jenë patjetër edhe trupat amerikane.

    “Nuk mund të jetë pa Shtetet e Bashkuara.” – tha ai për Bloomberg.

    “Së pari, askush nuk do të rrezikojë pa Shtetet e Bashkuara. Së dyti, kjo mund ta ndajë NATO-n, t’i ndajë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Është ëndërr e Putinit ta ndajë këtë aleancë.” – shtoi ai.

    Një forcë paqeruajtëse prej 200.000 trupash do të ishte përpjekje e paparë për Evropën – shumë më e madhe se forcat individuale të shumicës së kombeve. Misioni ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO-ja në Bosnjë e Hercegovinë arriti kulmin në vitin 1996, me 60.000 trupa, rreth një e treta e tyre nga Shtetet e Bashkuara.

    Zelensky tha se një forcë kaq e madhe ndërkombëtare do të ishte e nevojshme duke pasur parasysh se personeli i Ushtrisë së Rusisë tejkalon shifrën prej 1.5 milion, ndërsa Ukraina ka vetëm gjysmën e këtij numri.

    Vendosja e një force të huaj ushtarake në Ukrainë po diskutohet me vende që mund të jenë të gatshme të marrin pjesë – tha Zelensky gjatë një Konference për shtyp me kryeministrin britanik, Keir Starmer, më 16 janar.

    Shtypi britanik raportoi gjithashtu se Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë biseduar për mundësinë e dërgimit të ushtarëve në Ukrainë, si një forcë paqeruajtëse pas arritjes së ndonjë Marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.

    Në ditët e fundit, Trumpi ka bërë komentet më të ashpra deri më sot ndaj Putinit, për të cilin shpesh ka folur me admirim.

    Më 22 janar, Trump, duke iu drejtuar homologut të tij rus me emër, paralajmëroi Moskën se do të përballet me tarifa, taksa dhe sanksione të reja “të larta” – nëse nuk e ndal shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës.

    Një ditë më herët, ai sugjeroi se do të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë, nëse Putini nuk do të pranonte bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës.

    Dhe më 20 janar, në ditën e parë pas marrjes së mandatit të ri, Trump tha se Putini po e “shkatërron” Rusinë duke mos pranuar të bëjë një Marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

    “Ai duhet ta bëjë një Marrëveshje. Mendoj se po shkatërron Rusinë duke mos e bërë një Marrëveshje.” – tha Trump.

    Rusia i ka derdhur qindra-miliarda dollarë për luftën, ka pësuar rreth 700.000 viktima dhe ka zemëruar fqinjët e saj, derisa gjithashtu ka sakrifikuar tregun fitimprurës evropian të gazit dhe qasjen në tregjet financiare perëndimore – gjë që ka çuar në rënien e vlerës së rublës.

    Kremlini po e shpenzon rreth 40% të buxhetit të tij për ushtrinë dhe po has në vështirësi të mëdha për ta frenuar inflacionin, pavarësisht normave të interesit mbi 20%.

    Lufta në Ukrainë filloi në vitin 2014, me pushtimin dhe aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Kremlini dhe u përshkallëzua me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt 2022./REL

  • Zelensky: Dhënia fund e transitit të gazit rus është humbje për Moskën

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 1 janar se dhënia e fund e furnizimeve me gaz rus në Evropë, përmes një gazsjellësi që kalon në tokën ukrainase, përbën humbje për presidentin rus, Vladimir Putin.

    “Kur Putin është bërë president i Rusisë më shumë se 25 vjet më parë, sasia e gazit natyror që ka kaluar përmes Ukrainës në Evropë, ka qenë më shumë se 130 miliardë metra kub në vit. Tani është zero”, ka thënë Zelensky në X – platormë e njohur më parë si Twitter.

    “Kjo është një prej humbjeve më të mëdha të Moskës. Si rezultat i shfrytëzimit të energjisë si armë, nga ana e Rusisë, dhe shantazhimit të partnerëve, Moska e ka humbur një prej tregjeve më profitabile dhe të qasshme gjeografikisht”, ka thënë ai.

    Komentet e Zelenskyt kanë ardhur pasi gjiganti shtetëror rus, Gazprom, ka thënë se i ka pezulluar furnizimet me gaz në Evropë përmes gazsjellësit që kalon nëpër Ukrianë, pasi Kievi ka refuzuar të vazhdojë kontratën e nënshkruar para se Moska të niste luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kjo do të thotë se Ukraina do të humbë 800 milionë dollarë në vit që i siguronte nga tarifat e transitit.

    Gazpromi, në anën tjetër, do të humbë gati 5 miliardë dollarë, në mungesë të shitjes së gazit.

    Zelensky ka thënë se shumica e shteteve evropiane u janë përshtatur ndryshimeve, por ka përmendur që Ukraina dhe aleatët duhet ta mbështesin Moldavinë në periudhën e transformimit energjetik.

    Moldavia është ende pjesërisht e varur prej gazit rus.

    Zelensky ka thënë se Ukraina shpreson në rritjen e furnizimeve me gaz amerikan në Evropë, dhe që presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, veçse e ka përmendur këtë mundësi.

    “Sa më shumë gaz i qasshëm në tregje për partnerët e vërtetë të Evropës, aq më shpejt do të eliminohet varësia ndaj Rusisë”, ka thënë ai.

    Ky vendim i Gazpromit, i bërë publik më 1 janar përmes një postimi në Telegram, nuk pritet të shkaktojë probleme të mëdha te konsumatorët evropianë, për shkak të përpjekjeve të tyre afatgjata që t’i shmangen varësisë nga gazi rus.

    Sllovakia, Hungaria, Austria, dhe disa vende të Ballkanit kanë vazhduar të blejnë gazin rus përmes Ukrainës – ndonëse të sasi të zvogëluara – edhe pas nisjes së luftës.

    Shumë vende evropiane u janë kthyer burimeve alternative, duke përfshirë blerjen e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Norvegjia.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL