Ballina

Etiketë: vlorë

  • Vlorë: Regjistrohen rastet e para të gripit të shpendëve

    Analizat laboratorike kanë konfirmuar tre rastet e para të gripit të shpendëve në qytetin e Vlorës, njoftoi Shërbimi Veterinar Shtetëror vendor.

    Drejtuesi i këtij shërbimi, Adila Kojdheli i tha Zërti të Amerikës se tre mostrat e dërguara për analiza nga tre shpendë të egër të gjetur të ngordhur në Plazhin e Vjetër të Vlorës dy ditë më parë rezultuan pozitiv me gripin e shpendëve.

    Zoti Kojdheli tha se pas shfaqjes së rasteve të para të gripit të shpendëve shërbimi veterinar do të monitoronte një hapësirë prej 10 kilometrash, për të gjurmuar raste të tjera të mundshme.

    Sipas tij, fermat e vogla familjare të shpendëve po orientoheshin të merrnin masa parandaluese ndërsa 4 stabilimente të shpendëve në këtë zonë pritet të zbatojnë protokolle mbrojtëse, përfshirë edhe hyrjen e kontrolluar të njerëzve.

    Zyrtari vendor i shërbimit veterinar tha se gjatë vitit 2024 nuk ishin shfaqur raste të gripit të shpendëve ndërsa në vitin 2022 ishin evidentuar disa vatra.

    Shpendët e egër të ujit janë mbartës dhe paraqesin rrezik përhapjeje nëse jetojnë bashkarisht me ekonomitë e vogla familjare, tha kreu i shërbimit veterinar të Vlorës, Adila Kojdheli.

    Sipas veterinerëve gripi i shpendëve është një sëmundje infektive e fshehur tek shpendët e egër, por që shfaqet si epidemi te shpendët e oborreve dhe të komplekset e mëdha të mbarështimit të shpendëve.

    Këto ditë në plazhin e vjetër në qytetin e Vlorës, u evidentuan nga qytetarët shpendë të ngordhura ndërsa disa grupe veterinerësh morën mostrat për të kryer analizat.

    Laguna e Nartës dhe Grykëderdhja e Vjosës, afër qytetit të Vlorës, janë nga zonat me numrin më të madh të shpendëve të egër të ujit në Shqipëri dhe pritet që monitorimet e specialistëve veterinarë dhe analizat të përcaktojnë përmsat e shfaqjes së gripit të shpendëve.

    Gripi i shpendëve është një infeksion viral që mund të infektojë jo vetëm zogjtë, por edhe njerëzit dhe kafshët e tjera./VOA

  • Vlorë, falë reagimit të shpejtë të Policisë, parandalohet vjedhja e një automjeti

    Falë reagimit të shpejtë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Vlorë, koordinuan veprimet për të parandaluar një vjedhje në fshatin Panaja dhe si rezultat u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G.M., 31-vjeç, banues në Vlorë.

    Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ky shtetas u kap në fshatin Panaja gjatë mbrëmjes së djeshme, duke tentuar të vidhte një automjet tip “Ford Focus” me anë të karrotrecit të tij.

    Gjatë kontrollit të karrotrecit, Policia gjeti dy targa të një automjeti tjetër, të cilat dyshohet se ishin vjedhur një ditë më parë në qytetin e Vlorës.

    Karrotreci, së bashku me targat e dyshuara si të vjedhura, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

    Sipas njoftimit, vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë për përcaktimin e qëllimit dhe përdorimit të mundshëm të automjetit që ishte objekt vjedhjeje, si dhe për lidhjet e mundshme të autorit me veprimtari të tjera të paligjshme.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.