Ballina

Etiketë: Viktor Orban

  • Orbani nuk ftohet në ceremoninë e inaugurimit të Presidencës polake të BE-së

    Polonia ka vendosur që të mos e ftojë ambasadorin e Hungarisë në ngjarjen që do të mbahet më 3 janar, për nisjen e Presidencës polake të Bashkimit Evropian. Kjo pasi Budapesti i dha azil politik një ish-zëvendësministri i cili po hetohet për dyshimet për “keqpërdorim të fondeve publike” – tha një zyrtare e lartë.

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, po ashtu, nuk është ftuar në ceremoninë, që do të mbahet në Varshavë – tha zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Magdalena Sobkowiak-Czarnecka.

    Varshava ka shprehur zemërim, pasi Hungaria muajin e kaluar i dha azil politik Marcin Romanowskit, ish-zëvendësministrit polak të Drejtësisë, i cili u ndalua në korrikun e vitit të kaluar si pjesë e një hetimi për “keqpërdorim të fondeve publike”.

    Romanowski u lirua shpejt pasi presidenti i Asamblesë evropiane për të drejtat e njeriut tha se ai kishte imunitet, pasi ishte anëtar i këtij trupi. Ish-zëvendësministri i mohon akuzat kundër tij.

    “Kur ne i ftuam mysafirët në galanë tonë para një muaji, ne e ftuam gjithë korpusin diplomatik.” – tha Sobkowiak-Czarnecka, gjatë një deklarimi televiziv të premten.

    “Por, pas situatës me zëvendësministrin Romanowski, ministri [i Punëve të Jashtme, Radek] Sikorski vendosi që ambasadori hungarez nuk do të ishte i mirëpritur në ngjarjen e sotme”.

    Kryeministri polak, Donald Tusk dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa pritet të mbajnë fjalime në ceremoninë e inaugurimit të Presidencës gjashtëmujore të Polonisë në BE.

    Hungaria e ka pasur kryesimin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2024.

    Tusk ka qenë një kritik i Orbanit për qëndrimin e tij lidhur me luftën në Ukrainë, por edhe për politikat që Polonia i konsideron proruse. Orban i ka thënë një medias hungareze se Qeveria e Tuskut i konsideron hungarezët armiq. /REL