Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza më 26.01.2025 ka mbajtur tubim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para të cilëve ka thënë se asnjë luftëtarë i lirisë kurrë s’do të jetë vet.
Hamza tha se janë mbledhur për të shprehur mirënjohjen e falendërimin për ta, ndërsa përseriti zotimin për 50 për qind rritje të mbështetjes për kategoritë e luftës.
“Ne angazhohemi për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë qytetarët tanë. Përkrahja për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës do të rritet për 50 për qind në muajt e parë të mandatit të qeverisë të udhëhequr nga unë dhe Partia Demokratike e Kosovës”- tha Hamza.
Ai tha se asgjë dhe askush nuk do ta largojë Kosovën nga rruga që ata e nisën.
“Historia jonë nuk mund të rishkruhet. E përsërisë, nuk mund të rishkruhet nga askush, ju nuk luftuat vetëm për pragun e shtëpisë, por për drejtësi, barazi dhe dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit. Ishte trimëria juaj, ishte sakrifica juaj dhe e popullit tonë, ajo që ka bëri aleat të perëndimit dhe që solli një fitore të përbashkët me të gjitha vlerat që përfaqësojmë”- u shpreh ai.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.