Ballina

Etiketë: Vendimi i Gjykatës

  • Plagosja e policit në poligon – Gjykata vendos për të miturin

    Paraqitja në Stacion të Policisë është masa që ka vendosur Gjykata ndaj të miturit, i cili dyshohet se plagosi zyrtarin policor brenda një poligoni privat në regjionin e Gjilanit, përkatësisht në fshatin Pasjak, më 26.01.2025.

    Kurse për instruktorin e poligonit i cili ishte arrestuar pas incidentit, KALLXO.com mëson se të njëjtit ende nuk i është vendosur masa e sigurisë.

    Sipas Dosjes që ka siguruar KALLXO.com, i mituri në bazë të vendimit të gjyqtarit Sahit Borovci, për shkak të veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” duhet të lajmërohet në Polici një herë në javë, deri më 25.02.2025.

    Gjykata nuk ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë në Gjilan për masën e paraburgimit ndaj të miturit, i cili brenda një poligoni në regjionin e Gjilanit qëlloi një zyrtar policor, i cili ishte duke ushtruar në një pistë tjetër të këtij poligoni.

    KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes për incidentin në poligonin privat në fshatin Pasjak të Novobërdës.

    Gjyqtari kishte konstatuar edhe se “me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatojë për të siguruar praninë e të pandehurit, Gjykata detyrohet t’i marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete dhe të sigurojë që të mos zbatojë masë më të rëndë kur mjafton masa më e butë”.

    Në Dosjen që ka siguruar KALLXO.com thuhet edhe se i mituri ka qenë këmbëngulës që të gjuajë dhe të mësojë përdorimin e armës.

    “Sipas të dhënave, dëshira për përdorim dhe mësim të përdorimit të armëve në një moshë të mitur, siç ka vepruar i mituri, mund të ndikojë jashtëzakonisht keq në formimin e personalitetit të të miturit. Po ashtu kur kemi parasysh këmbëngulësinë e treguar për faktin se i mituri disa herë ka tentuar të gjuajë me armë zjarri në pistë, përkundër se nuk ka mundur. Nuk heq dorë duke tentuar përsëri, ku edhe arrin të shkrepë armën e zjarrit, që për pasojë e lëndon rëndë në nofull të dëmtuarin.” – thuhet në Dosjen e Gjykatës.

    Me këto veprime Gjykata ka konstatuar se edhe këto veprime të të miturit tregojnë rrezikun se i njëjti mund të përsërisë veprën penale.

    Mbi këto vlerësime, gjyqtari ka vendosur që të shqiptojë masën – atë për paraqitjen në Stacion Policor për të miturin.

    Më 27.01.2025, KALLXO.com raportoi se Prokuroria e Gjilanit kishte kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji për të miturin i cili dyshohet se ka plagosur zyrtarin policor në një poligon qitjeje, në Pasjak të Novobërdës, më 26.01.2025, si dhe të inspektorit i cili ka qenë duke punuar në poligon, kur ka ndodhur rasti.

    Të dy ishin ndaluar të dielën nga organet e rendit, pak pasi ndodhi incidenti me armë.

    Policia konfirmoi se dyshohet se të miturit aksidentalisht i ka shkrepur arma dhe ka plagosur policin.

    Të hënën Policia e Kosovës në Raportin 24-orësh njoftoi se rasti është iniciuar, si: “vrasje në tentativë nga pakujdesia” dhe “rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

    Sipas detajeve të PK-së, rreth orës 19:00 është raportuar se në një poligon të gjuajtjes, të dyshuarit dyshohet se i është bllokuar arma dhe po ashtu dyshohet se nga pakujdesia aksidentalisht i ka shkrepur arma dhe ka qëlluar zyrtarin policor.

    “Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Me vendim të Prokurorit është arrestuar personi i dyshuar dhe instruktori i poligonit për gjuajtje, i dyshuari mashkull kosovar dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje.” – thuhej në Raport.

    Si prova materiale lidhur me rastin, Policia tha se janë sekuestruar tri armë zjarri.