Donaldi Trump do të betohet sot, më 20.01.2025, si president i Shteteve të Bashkuara – duke nisur një mandat tjetër të trazuar katërvjeçar me premtime që t’i shtyjë kufijtë e pushtetit ekzekutiv, t’i dëbojë miliona emigrantë, të sigurojë ndëshkime kundër armiqve të tij politikë dhe të transformojë rolin e SHBA-së në skenën botërore – vlerëson Agjencia e lajmeve Reuters, në një analizë të gjatë në ditën kur në SHBA bëhet bartja e pushtetit presidencial.
Inaugurimi i Trumpit kulmon me rikthimin triumfues të një përçarësi politik, i cili u mbijetoi dy gjyqeve të fajësimit, një dënimi për krime, dy tentativave për vrasje dhe një Aktakuze për përpjekjen për të përmbysur humbjen e tij në Zgjedhjet e vitit 2020.
Ceremonia do të zhvillohet në mesditë brenda perimetrit të Kapitolit amerikan, katër vjet pasi një turmë mbështetësish të Trumpit sulmuan simbolin e demokracisë amerikane në përpjekjen e pasuksesshme që të parandalonin humbjen e republikanit Trump në vitin 2020, ndaj demokratit Joe Biden. Betimi u zhvendos në ambiente të mbyllura për herë të parë, pas 40 vjetësh për shkak të të ftohtit ekstrem.
Trumpi, presidenti i parë i SHBA-së që nga shekulli i 19, që fitoi një mandat të dytë pas humbjes së Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se që “në ditën e parë” se do të falë shumë nga më shumë se 1,500 personat e akuzuar në lidhje me sulmin e 6 janarit 2021.
Ky premtim është njëri prej një mori veprimesh ekzekutive në lidhje me imigracionin, energjinë dhe tarifat që Trumpi synon të nënshkruajë me të marrë pushtetin të hënën, pasi të bëjë betimin. Në një tubim të stilit të fushatës të dielën në Uashington, Trumpi u zotua të vendosë kufizime të ashpra të imigracionit në ditën e tij të parë.
Ashtu siç bëri në vitin 2017, Trumpi merr detyrën si një forcë kaotike dhe përçarëse – duke u zotuar të ribëjë Qeverinë federale dhe duke shprehur skepticizëm të thellë për aleancat e udhëhequra nga SHBA-ja, që kanë formësuar politikën globale pas Luftës së Dytë Botërore.
Ish-presidenti kthehet në Uashington guximshëm pasi mori votën popullore kombëtare ndaj zëvendëspresidentes Kamala Harris, me më shumë se 2 milionë vota falë frustrimit të madh të votuesve ndaj inflacionit të vazhdueshëm. Megjithëse, ai ende nuk kishte shumicën prej 50%. Në vitin 2016, Trumpi fitoi Kolegjin Zgjedhor dhe Presidencën – pavarësisht se mori gati 3 milionë vota më pak se Hillary Clinton.
Jeremi Suri, historian presidencial në Universitetin e Teksasit në Austin, e krahasoi epokën e sotme me fundin e shekullit të 19, kur Grover Cleveland u bë i vetmi President tjetër që fitoi mandate jo të njëpasnjëshme. Ashtu si tani, ka theksuar ai, edhe ajo epokë ishte kohë trazirash, pasi përparimet industriale transformuan ekonominë; pabarazia e pasurisë shpërtheu dhe përqindja e emigrantëve amerikanë arriti kulmin historik.
“Ajo për të cilën ne po flasim në të vërtetë është një ekonomi qenësisht e ndryshme, një vend thelbësisht i ndryshëm sa i përket përbërjes së tij racore, gjinore e sociale dhe ne si një vend po luftojmë të kuptojmë se çfarë do të thotë kjo.” – ka thënë ai. “Është një moment ekzistencial”.
Trumpi do ta gëzojë shumicën republikane në të dy dhomat e Kongresit, të cilat janë spastruar pothuajse tërësisht nga çdo kundërshtar brendapartiak. Këshilltarët e tij kanë përshkruar planet për të zëvendësuar burokratët jopartiakë me besnikë të zgjedhur.
Edhe para marrjes së detyrës, Trumpi krijoi një qendër fuqie rivale në javët pas fitores së tij në Zgjedhje – duke takuar liderët botërorë dhe duke shkaktuar hutim kur foli zëshëm për kapjen e Kanalit të Panamasë, marrjen e kontrollin e Grenlandës – territor i aleates amerikane të NATO-s, Danimarkës dhe vendosjen e tarifave ndaj partnerëve më mëdhenj tregtarë të SHBA-së.
Ndikimi i tij është ndjerë tashmë në njoftimin e javës së kaluar për Marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit”. Trump, i dërguari i të cilit iu bashkua negociatave në Katar, kishte paralajmëruar “hakmarrje ferri” – nëse “Hamasi” nuk do t’i lironte pengjet para inaugurimit.
Trumpi pretendoi gjatë fushatës se do t’i jepte fund luftës Rusi-Ukrainë në ditën e tij të parë, por këshilltarët e tij kanë pranuar se çdo Marrëveshje paqeje do të marrë muaj të tërë.
Ndryshe nga viti 2017, kur ai mbushi shumë poste të larta me institucionalistë, kësaj here Trumpi i ka dhënë përparësi besnikërisë ndaj përvojës në emërimin e një grupi të të zgjedhurve të diskutueshëm – disa prej të cilëve janë kritikë të hapur të Agjencive që janë caktuar për të udhëhequr.
Ai ka gjithashtu mbështetjen e njeriut më të pasur në botë, Elon Musk, i cili shpenzoi më shumë se 250 milionë dollarë për të ndihmuar zgjedhjen e Trumpit. Liderë të tjerë, miliarderë të teknologjisë që janë munduar të fitojnë favorin e Administratës së ardhshme, si Jeff Bezos i Amazonit, Mark Zuckerberg i Metas, Sundar Pichai i Alphabetit dhe Tim Cook i Applet do t’i bashkohen Musk në ceremoninë e së hënës – sipas Reutersit dhe mediave të tjera.
Trumpi ka deklaruar të dielën se do të udhëtojë në Kaliforni të premten, për të vizituar kontenë e Los Anxhelosit të shkatërruar nga zjarri.
“Kërdia amerikane”
Inaugurimi do të zhvillohet me masa të larta sigurie pas një fushate me rritje të theksuar të dhunës politike, që përfshinte dy tentativa për vrasje kundër Trumpit: njëri plumb ia gërvishti veshin.
Autoritetet federale janë gjithashtu në gjendje gatishmërie pas sulmit të Vitit të Ri në New Orleans, kur hetuesit thonë se një veteran i ushtrisë amerikane i frymëzuar nga “Shteti Islamik”, mësyu një kamionçinë në një turmë njerëzish, duke vrarë 14 persona. Javën e kaluar, FBI-ja paralajmëroi për sulme të ngjashme.
Tetë vjet më parë, Trumpi mbajti një fjalim të zymtë inaugurues, duke u zotuar se do t’i jepte fund “kasaphanës amerikane”. Në ato që ai tha se ishin qytete të vërshuara nga krimet dhe kufijtë e dobët – një devijim nga toni i optimizmit që kanë mbajtur shumica e Presidentëve të porsazgjedhur.
Qeveritë e huaja do të shqyrtojnë me kujdes fjalimin e Trumpit të hënën, pasi ai zhvilloi një fushatë plot me retorikë nxitëse.
Parada tradicionale poshtë “Pennsylvania Avenues” pranë Shtëpisë së Bardhë do të zhvillohet tani në ambientet e mbyllura në “Capital One Arena”, ku Trumpi mbajti mitingun e tij të fitores të dielën. Trump do të marrë pjesë gjithashtu në tri ballo inauguruese në mbrëmje.
Mes madhështisë së ditës, Trumpi do të fillojë të nënshkruajë të parin nga ato që mund të jenë dhjetëra urdhëra ekzekutivë.
Disa veprime do të fillojnë shtrëngimin e rregullave të imigracionit, duke kërkuar klasifikimin e karteleve të drogës si “organizata të huaja terroriste” dhe shpalljen e një emergjence në kufirin SHBA-Meksikë. Ndër të tjera ka deklaruar një burim i kyçur me rrjedhat. Urdhëra të tjerë mund të synojnë heqjen e Rregulloreve mjedisore të Bidenit dhe tërheqjen amerikane nga Marrëveshja e Parisit për klimën – kanë treguar burimet, raporton Reuters.
Shumë prej urdhrave ekzekutivë ka të ngjarë të sfidohen në Gjykata.
Trump do të jetë njeriu i parë që pushton Shtëpinë e Bardhë, pasi një juri e Nju Jorkut e shpalli fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit që të mbulonte paratë për ta paguar një yll pornografie për heshtje. Ai i shpëtoi dënimit në dënimin e tij, pjesërisht sepse gjykatësi pranoi pamundësinë e zbatimit të dënimeve një Presidenti të ardhshëm.
Fitorja e Zgjedhjeve gjithashtu e shkarkoi Trumpin nga dy Aktakuza federale: për komplot për përmbysjen e Zgjedhjeve të vitit 2020 dhe për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara – falë një politike të Departamentit të Drejtësisë që Presidentët nuk mund të ndiqen penalisht gjatë kohës që janë në detyrë.
Në një Raport të publikuar javën e kaluar, prokurori i posaçëm, Jack Smith deklaroi se kishte mbledhur prova të mjaftueshme për të dënuar Trumpin në rastin e Zgjedhjeve – nëse Trump do të nxirrej para Drejtësisë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com