Ballina

Etiketë: Valon Hyseni

  • Identifikimi i të pagjeturve – Kosova ende nuk ka arkeolog mjekoligjor

    Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ende nuk ka arritur të punësojë një arkeolog mjekoligjor, i cili ndihmon në identifikimin e vendeve ku dyshohet se janë të varrosur persona të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

    Pozicioni i cili më parë ishte mbajtur nga zyrtarët e EULEX-it, nuk është zëvendësuar ende pas transferimit të kompetencave tek autoritetet e Kosovës.

    Në mungesë të këtij profesionisti, autoritetet e kanë sfidë të identifikojnë saktë vendet ku mund të jenë të varrosur personat e vrarë.

    Ditor Haliti, zëvendësdrejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), thotë se arkeologu mjekoligjor bën analizën e terrenit të dheut, për të verifikuar nëse ajo pjesë më herët ka pasur ndryshime apo ka qenë e çrregulluar.

    “Arkeologu mjekoligjor është një profil profesional i cili bën analizën e terrenit të dheut apo të tokës kudo që shkon në kuptim të vlerësimit se a ka ndryshime, se a ka bazë që ajo pjesë e dheut ka qenë e çrregulluar, e trazuar në të kaluarën, kështu që mund të vlerësohet që aty mund të ketë diçka të fshehur.” – thotë Haliti.

    “Ne deri më tani jemi të mbuluar në profilin e arkeologut mjekoligjor nga kompotenta e EULEX-it e cila është e vendosur në IML dhe të cilët kanë brenda tyre këtë ekspertizë të arkeologut mjekoligjor. Duke qenë se janë pjesë e IML-së edhe kjo komponentë e EULEX-it, ne e kemi ekipën e plotë e cila funksionon qoftë në teren, qoftë edhe në Sallën e Antropologjisë”.

    Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucion në të cilin në mënyrë shkencore bëhet identifikimi i mbetjeve të gjetura në lokacione të ndryshme të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

    Fillimisht kur Policia e Kosovës apo Prokuroria identifikojnë një lokacion të caktuar ku dyshohet se janë varrosur njerëz nga lufta, të njëjtit më pas kërkojnë nga Gjykata një Urdhër për zhvarrim dhe hulumtim në atë lokacion.

    Sapo IML-ja e merr Urdhëresën nga Gjykata përkatëse, antropologët në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar për Personat e Pagjetur, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in dalin në terren dhe verifikojnë informatat nëse janë të sakta.

    Nëse rezultojnë të sakta informatat, Instituti i Mjekësisë Ligjore së pari bën vlerësimin nëse ka të bëjë me ndonjë varrezë masive apo me varrim individual, e më pas mbetjet që i gjen në atë lokacion i dërgon në Laboratorin e Mjekësisë ligjore, ku bëhet verifikimi fillestar i mbetjeve mortore.

    Eksperti mjekoligjor pranë IML-së, Valon Hyseni shpjegon procedurën e mëtutjeshme.

    “Po sa të vijnë mbetjet në Laborator, ne fillimisht bëjmë shikimin e tyre. Shikojmë a kemi të bëjmë me mbetje kockore, a janë njerëzore apo shtazore, sepse shpeshherë na vijnë mbetje që pretendojnë se janë njerëzore, por në fakt ato janë shtazore ose e kundërta.” – thotë Hyseni.

    “Ne bëjmë këqyrjen e mbetjeve kockore, fillojmë me profilin biologjik, ku nënkupton përcaktimin e moshës, gjatësisë trupore. Pastaj bëjmë përshkrimin e dëmtimeve, të mbetjeve kockore. Pra, dëmtimet a janë antimorterm – të shkaktuara para vdekjes, a janë perimorterm – që janë të shkaktuara gjatë vdekjes që lidhen direkt edhe me shkakun e vdekjes, apo dëmtimet janë të shkaktuara postmorterm – që të njëjtat mund të dëmtohen gjatë zhvarrimit të tyre”.

    Sipas Hysenit, përveç profilit biologjik dhe përshkrimit të dëmtimeve trupore, ekspertët e IML-së i marrin edhe mostrat për analiza të ADN-së dhe antropologu mjekoligjor në Sallën e Antropologjisë e përcakton se cila pjesë e kockës është më e nevojshme dhe cila hyn në punë për analizë të ADN-së.

    “Mbledhja e mostrave kërkon një fabrikim të veçantë të atyre mbetjeve kockore dhe të njëjtat dërgohen në Laboratorin e ICPM-së në Hagë, ku edhe kryhet analiza e ADN-së”.

    Hyseni thotë se Raporti i identifikimit zakonisht në Hagë vonohet nga 3 deri në gjashtë muaj, varësisht se sa është e dëmtuar kocka dhe sa shpejt mund të nxirret profili i ADN-së. Aktualisht, sipas Hysenit, në Morgun e Kosovës janë rreth 300 mbetje mortore, që dyshohet se janë nga lufta e fundit në Kosovë.

    “Por këto nuk nënkupton që janë trupa komplet, sepse kemi edhe mbetje mortore që ndoshta është vetëm një kockë dhe që identifikon një individ dhe llogaritet si një individ. Qe dy vjet është punuar mjaft dhe vazhdon të punohet me intensitet maksimal në zbardhjen e fatit të këtyre mbetjeve mortore, ku kemi fillu një analizë të mirëfilltë – duke e ditur që në të kaluarën kanë punuar edhe organizata të ndryshme, qoftë Tribunali i Hagës, qoftë KFOR-i, qoftë UNMIK-u, tash edhe EULEX-i. Dhe, është një punë e gjerë e hulumtimit të të gjitha dokumentacioneve dhe lokacioneve ku i marrim këto mbetje kockore, ku shpesh na duhet prej këtyre rasteve me marrë mostra shtesë. Ato dërgohen për analiza në Hagë dhe që presin për rezultate.” – ka thënë Hyseni nga IML.

    Në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë të punësuar rreth 57 persona të ndarë në tre Departamente. Departamenti i Mjekësisë Ligjore, Departamenti për Laboratore dhe ai për mbështetje Mjeko-Ligjore. Në kuadër të Departamentit për Mjekësi ligjore është Divizioni i veçantë për Personat e Zhdukur, në të cilin Divizion punojnë 10 persona. Aty përfshihen antropologë dhe specialistë të Mjekësisë ligjore.

    Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit thotë se përgjatë vitit 2024, nga 124 Raporte të ADN-së që Kosova ka pranuar nga Haga, 26 prej tyre janë të personave që kanë qenë në Listën e Personave të zhdukur.

    “Nga 124 Raporte që kemi pranuar po flasim për 38 identifikime të reja, megjithatë duhet theksuar faktin që nga këto 38 identifikime të reja, 26 i përkasin personave që janë në Listën e Personave të zhdukur. Pra, rastet e tjera mund të përfshihen edhe në rastet që ne i trajtojmë si raste në kuadër të konfirmimit të identitetit.” – bën të ditur Gara.

    Sipas tij, prioritet gjatë këtyre viteve është adresimi ose trajtimi i çështjes së mbetjeve mortore të paidentifikuara.

    “Në shumicën e rasteve ne pranojmë edhe këtë Raport, të cilin pastaj e klasifikojmë si konfirmim identiteti, pra jo identifikim që ndërlidhet drejtpërdrejt me rastet që janë ende në Listën e Personave të zhdukur”.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë, për herë të parë ka përfshirë si statistikë edhe dëmet nga lufta e fundit në Kosovë. Sipas këtyre të dhënave që përfshijnë periudhën 28 shkurt 1998 – 11 qershor 1999, si pasojë e luftës në Kosovë janë vrarë 11 mijë e 417 njerëz, janë zhdukur 1 mijë e 407 persona, janë plagosur 6 mijë e 682, janë burgosur 3 mijë e 312, si dhe kanë pësuar torturë, dhunë, pasoja psikologjike 193 mijë e 765 njerëz.

    Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, si pasojë e luftës në Kosovë konsiderohen të zhdukur ende edhe 1 mijë e 636 persona, kurse Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë se janë të pagjetur edhe 1 mijë e 595 persona.

  • Polici i akuzuar për vrasjen e kolegut në ndejën në Zllatar: Ndihem fajtor që nga pakujdesia dhe padashje kam shkaktuar vdekjen e kolegut

    Fatlum Mehmeti, i akuzuar se vrau me dashje eventuale kolegun e tij polic, L. H., nga një distancë 70-80 cm, në seancën e së mërkurës, 22.01.2025, ka dhënë mbrojtjen e tij.

    I ndjeri L. H., zyrtar policor, 27-vjeçar, kishte mbetur i vrarë – sipas Prokurorisë – nga arma zyrtare e kolegut të tij, Fatlum Mehmeti, në një aheng, më 18.02.2022.

    Dosja e Prokurorisë përshkruan se i ndjeri Haxholli ishte qëlluar në regjionin e krahut të djathtë – duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në një aheng, ku kishin qenë të pranishëm mbi 10 zyrtarë policorë.

    “Ndihem dhe jam plotësisht fajtor, që nga pakujdesia dhe pa asnjë lloj dashje aksidentalisht, kam shkaktuar vdekjen e kolegut dhe shokut tim L. H.” – tha i akuzuari Mehmeti, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.

    Mehmeti deklaroi se në ditën kritike kishte pasur thirrje nga një koleg i tij i cili e kishte njoftuar për ndejën që po organizohej, por që nuk kishte pasur njohuri se nga kush po organizohej dhe kush do të merrte pjesë në ndejë.

    “Vlen të theksohet fakti se unë nuk kam qenë as organizator e as iniciator i ndejës me kolegë. Për shkak të obligimeve të mia jashtë punës, nuk e kam ditur as kush specifikisht ka me marrë pjesë, veç e kam ditë që kemi me shku me djemtë e ekipës…” – tha i akuzuari Mehmeti.

    I pandehuri Mehmeti tha se parimisht ai asnjëherë nuk e ka marrë armën zyrtare me vete.

    “Unë parimisht asnjëherë nuk e kam marrë armën zyrtare me vete, përjashtimisht rasteve ku në shtëpi nuk gjendeshin njëri nga prindërit e mi. Kjo për arsye për sigurinë e armës, se edhe në qoftë se ndonjëherë potencialisht najkush hin me vjedh ose najsen, ma shumë se gjithçka tjetër për mua ish kanë e rëndë me ma vjedh armën zyrtare të punës.” – tha ai.

    Lidhur me vendin ku po organizohej ndeja, i akuzuari Mehmeti tha se nuk kishte pasur njohuri se ku ishte fshati Zllatar. I njëjti shtoi se nuk ka marrë pjesë as në blerjen e sendeve ushqimore për ndejë.

    I akuzuari Mehmeti deklaroi se pasi kishin shkuar në villë ishin takuar me pjesën tjetër të kolegëve, të cilët kishin mbërri paraprakisht dhe pastaj kishte hyrë brenda në villë.

    “Kena shku te villa, ora saktë s’e di, mbas 19:00 diçka u kanë. Edhe jam taku me pjesën tjetër të kolegëve, të cilët kishin mbërri paraprakisht. Jam hi mrena edhe jam ul në kauçin e mesit në mes të sallonit. Në njërin krah e kam pasë Valdetin, një njërin krah e kam pas L. H.” – tha i akuzuari Mehmeti, gjatë deklarimit të tij.

    Paraprakisht në këtë seancë është dëgjuar eksperti i mjekësisë ligjore, Valon Hyseni.

    I njëjti pohoi se është përpilues i Raportit të autopsisë të trupit të pajetë të tani të ndjerit L. H.

    Eksperti Hyseni deklaroi se në gjetjet e autopsisë vdekja e të ndjerit L. H. ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive.

    “Bazuar në gjetjet e autopsisë, të cilat i gjeni në eksperitimin mjekoligjor – vdekja e tani të ndjerit ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e shqyerjes së lobit të sipërm të dy mushkërive dhe pjesës torakale të aortës.” – tha eksperti mjekoligjor.

    Tutje, eksperti mjekoligjor tha se dëmtimet e lartcekura janë të shkaktuara nga veprimi dinamik i predhës të hedhur nga arma e zjarrit.

    Eksperti mjekoligjor tha se vrima hyrëse është gjetur në krahun e djathtë të të ndjerit, ndërsa gjatë kryerjes se autopsisë nuk është gjetur vrimë dalëse,  kurse predha është gjetur në krahun e majtë menjëherë nën lëkurë.

    Në pyetjen e prokurorit Arben Hoti, se a mund të tregojë cili ka qenë pozicioni i viktimës në momentin kritik në raport me kryesin. Lidhur me këtë, eksperti mjekoligjor tha se kjo nuk mund të përcaktohet me saktësi – duke shtuar se në rastin konkret e ka të pamundur të deklarohet rreth pozicionit.

    Tutje, i njëjti tha se rinkonsturimi i vendit të ngjarjes do ta ndihmonte në përcaktimin e pozicionit.

    Lidhur me distancën e qitjes, përkatësisht distancës së tytës së armës dhe viktimës në momentin kritik, eksperti mjekoligjor tha se në këtë rast nuk janë evidentuar faktorët plotësues të qitjes dhe tha se me besueshmëri mund të thuhet se qitja është në distancë më shumë se një metër.

    Tutje, seanca ka vazhduar me administrimin e provave materiale dhe pas administrimit të provave prokurori i rastit, Arben Hoti propozoi që të ftohet në cilësi të dëshmitarit eksperti i armëve, Rrahim Fazliu me arsyetimin se i njëjti do t’i sqarojë rrethanat dhe do të argumentojë në aspektin profesional njohuritë e përgjithshme mbi armët e zjarrit dhe fazat nëpër të cilat kalojnë zyrtarët policorë, që nga pranimi i tyre si kadet e deri në përfundimin me sukses të kësaj Akademie.

    Tutje, prokurori Hoti propozoi që në rastin konkret të bëhet edhe rikonstruimi i vendit të ngjarjes në prezencën e ekspertit mjekoligjor – duke shtuar se e konsiderojnë të nevojshme rikonstruimin e vendit të ngjarjes, me qëllim të sqarimit të rrethanave.

    Këto propozime të prokurorit Hoti i kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Labinot Buzuku. I njëjti tha se në tërësi i kundërshtojnë këto propozime, me arsyetimin se nuk ka nevojë që të dëgjojnë një ligjëratë se si kadetët përgatiten.

    Tutje, Buzuku tha se dëgjimi i këtij dëshmitari nuk e ndihmon procesin përveçse e zvarrit dhe i propozoi Gjykatës që të refuzojë propozimin për dëgjimin e këtij dëshmitari.

    Ndërsa, sa i përket propozimit për rikonstruimin e vendit të ngjarjes, avokati Buzuku deklaroi se si palë nuk janë kundër – duke shtuar se kjo çështje të mbetet në diskrecion të Gjykatës, nëse e sheh të nevojshme apo jo rikonstruimin e vendit të ngjarjes.

    Ndërsa, i akuzuari Mehmeti tha se nuk e kundërshton asnjë deklaratë të asnjë dëshmitari në çfarëdo cilësie dhe tha se dëshmia e dëshmitarit të propozuar nga Prokuroria, në këtë rast nuk kontribuon në zbardhjen e rrethanave në të cilin ka ndodhur ky rast.

    Ndërkaq, Trupi Gjykues mori Aktvendim duke refuzuar propozimin e prokurorit Hoti për dëgjimin e dëshmitarit Rrahim Fazliu, me arsyetimin se i njëjti nuk ka qenë në vendin e ngjarjes dhe gjithashtu nuk është ekspert i licensuar.

    Tutje, Trupi Gjykues refuzoi edhe propozimin e prokurorit Hoti, për rikonstruimin e vendit të ngjarjes me arsyetimin që nuk është kontestuese gjendja faktike, mirëpo kontestuese është se a është kryer vepra penale me dashje apo nga pakujdesia.

    Pas refuzimit të këtyre dy propozimeve, familjarët e të ndjerit L. H. lëshuan sallën.

    “E lëshojmë sallën. Nuk kemi fjalë sinqerisht për këto rrethana, qysh është t’u u zhvillu rasti. Nuk mundemi me vazhdu.” – tha njëra nga familjaret e të ndjerit L. H. – duke lëshuar Sallën e gjykimit.

    Seanca e radhës, për këtë rast, është caktuar për në muajin shkurt 2025, në të cilën pritet të vazhdojë mbrojtjen i akuzuari, Fatlum Mehmeti.

    Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës nga Trupi Gjykues, i përbërë nga Ertan Sejfulla, kryetar i Trupit Gjykues dhe dy anëtarët, Sulltane Hoti e Naser Foniqi.

    Ndërsa, Aktakuza në këtë çështje penale po përfaqësohet nga prokurori, Arben Hoti.

    Çka thuhet në Aktakuzë?

    Sipas Dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare.

    I akuzuari, Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale: “vrasje me dashje eventuale”.

    Çka nënkupton “dashja eventuale” sipas Kodit Penal?

    “Personi vepron me dashje eventuale, kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj.” – thuhet në Kodin Penal.

    Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

    Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë, ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

    Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve, të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.

    Lidhur me këtë rast është ngritur edhe një Aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policorë, të cilët kishin qenë prezentë në momentin kur kishte ndodhur ngjarja e 18 shkurtit 2022, në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës.

    Sipas Aktakuzës, të pandehurit F. A., E. I., B. M., E. Th. dhe G. T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një vilë në këtë fshat, ku kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e Policisë dhe përdorimin e armës, të parapara në Ligjin për Policinë.

    Sipas Aktakuzës, të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare, duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e vilës ku zhvillohej ahengu.

    Me këtë, secili prej tyre individualisht – sipas Prokurorisë – e kanë kryer veprat penale: “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Ndërsa, të pandehurit A. B., Xh. B., A. M., A. A., A. Z., I. S., Rr. A., V. Rr. dhe A. M. nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre. Të pandehurit gjatë ahengut kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale: “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

    Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së Aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas Ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.

    Të gjitha raportimet, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë: LINK.