Ballina

Etiketë: unmik

  • NATO e gatshme të punojë me Sorensenin si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi

    NATO-ja ka shprehur gatishmëri për të punuar ngushtë me Peter Sorensenin kur të nisë zyrtarisht punën si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Pozita e tij është konfirmuar një ditë më parë, dhe ai do të nisë punën më 1 shkurt.

    “Vazhdimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së është kyç për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

    Më herët gjatë ditës, i dërguari në shkuarje i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është takuar me pasardhësin e tij, dhe janë duke u siguruar që transicioni të ndodhë sa më lehtë që është e mundur.

    Lajçak ka qenë në pozitën e ndërmjetësuesit për pesë vjet. Përgjatë mandatit të tij është arritur Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është bërë asnjë hap drejt zbatimit të saj.

    Po të martën, emërimin e Sorensenit në pozitën e ndërmjetësuesit, e ka përshëndetuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.

    Ai ka thënë se pret qasje balancuese ndaj palëve, si parakusht për proces të suksesshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, ku ka punuar në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse kryediplomatja Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.

    Vetë Lajçak pati thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, muaj më parë, se pretendime të tilla nuk qëndrojnë dhe pati vlerësuar se shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, nuk janë të gatshme për normalizim.

    Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel qysh prej vitit 2011.

    Palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

    Bashkimi Evropian u rikujton dy palëve shpesh se avancimi në procesin e dialogut është i lidhur me rrugën e tyre në integrimet euro-atlantike.

    Serbia gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian dhe tashmë ka hapur disa kapituj për anëtarësim, ndërsa Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e BE-së, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

    Kosova është e vetmja në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka status të vendit kandidat, ndonëse zyrtarë të lartë të BE-së thonë vazhdimisht se ardhmja e rajonit të Ballkanit është në bllok./REL

  • Presidenti i Bangladeshit i kërkon Kosovës që të importojë produkte farmaceutike

    Presidenti i Bangladeshit,  Mohammed Shahabuddin ka kërkuar të martën nga Republika e Kosovës që të importojë produkte të cilësisë së lartë Readymade (RMG) dhe farmaceutike, me çmim të volitshëm nga Bangladeshi – raporton DhakaTribune.

    Ai theksoi rëndësinë e nxitjes së tregtisë nëpërmjet shkëmbimeve të rregullta, midis Dhomave të Tregtisë së dy vendeve.

    Ai e bëri thirrjen pasi ambasadori i ri i Kosovës në Bangladesh, Lulzim Pllana i dorëzoi letrat kredenciale në Bangabhaban.

    Duke marrë letrat kredenciale nga ambasadori, kreu i shtetit vuri theksin në shkëmbimin e vizitave të shpeshta dhe ndërveprimet mes Dhomave të Tregtisë dhe industrive të dy vendeve për nxitjen e tregtisë dhe investimeve.

    Ai kujtoi kontributin e Paqeruajtësve të Bangladeshit në Misionin Paqeruajtës të Kosovës (UNMIK) për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

    Për krizën në Ukrainë, ai tha se Bangladeshi është thellësisht i shqetësuar për luftën në Ukrainë – duke u kërkuar të gjitha palëve të përfshira në konflikt të gjejnë një zgjidhje përmes Dialogut politik, për t’i dhënë fund luftës.

    Presidenti falënderoi Qeverinë e Kosovës për hapjen e Misionit Diplomatik në Daka dhe tha se që atëherë Bangladeshi dhe Kosova kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe – tha për BSS sekretari i shtypit, Sarwar Alam.

    “Ky përfaqësim është i dobishëm në zgjerimin e lidhjeve dypalëshe midis të dy vendeve vëllazërore.” – tha ai.

    Presidenti Shahabuddin kërkoi nga Republika e Kosovës që të rekrutojë punëtorë të kualifikuar në sektorë të ndryshëm nga Bangladeshi.

    Gjatë takimit, ambasadori kërkoi bashkëpunimin e Presidentit për kryerjen e detyrave të tij në Bangladesh.

    Ai shtoi: “Qeveria e Kosovës është e prirur të ofrojë më shumë mundësi për studentët e Bangladeshit për studimin e tyre atje”.

    Më herët, në kuadër të ceremonisë shtetërore, ambasadorit iu dha një gardë nderi nga Regjimenti i Gardës së Presidentit (PGR)./DhakaTribune

    Përktheu: Veronë Zymberi