Ballina

Etiketë: ukraina

  • Sfidat e BE-së në vitin e ri 2025

    Ekipi i sapozgjedhur i BE në Bruksel në 2024 ka shumë për të bërë. Si mund të arrihet kjo pa një tandem të fortë Gjermani-Francë tani në 2025? 

    Një Ukrainë e pambrojtur, një Rusi luftarake dhe një Donald Trump narcist: këto mbeten sfidat më të mëdha për Bashkimin Evropian në vitin e ardhshëm. Këtyre i shtohen problemet e brendshme si ekonomia e plogësht, nivelet e larta të borxhit dhe mundësia e kufizuar për veprim në dy shtetet më të mëdha anëtare, Gjermani dhe Francë. Pra, perspektivat nuk janë rozë.

    Çfarë do të vijë më pas për ekipin e ri në Bruksel? Presidenti i Këshillit të BE Antonio Costa dhe përfaqësuesja e Punëve të Jashtme të BE Kaja Kallas janë në detyrë që nga 1 dhjetori. Ka mbetur Ursula von der Leyen, por edhe Komisioni i saj i BE është riorganizuar tërësisht. Ekipi i ri është gjithsesi një shans, mendon Steven Everts nga Instituti Evropian për Studime të Sigurisë në Paris: “Ky është momenti, në të cilin ne mund t rimendojmë politikën e jashtme të BE, ta përshtasim dhe ta ringjallim atë”.

    1. Ndihma për Ukrainën

    Ndihmat financiare dhe ushtarake për Ukrainën, që është sulmuar nga Rusia, kryesojnë listën e detyrave urgjente. Vitin e ardhshëm BE do të transferojë çdo muaj 1.5 miliardë euro nga buxheti i tij i përbashkët në arkën e shtetit në Kiev. Përveç kësaj ka një kredi prej 50 miliardë eurosh nga G7 për Ukrainën, e cila do të ushqehet me fitime nga asetet e ngrira ruse. Përveç kësaj sasi të mëdha municionesh dhe armësh do të duhet të financohen nga shtetet evropiane për të ndihmuar Ukrainën, një kandidate për anëtarësim në BE.

    Llogaria mund të zgjerohet më shumë, nëse presidenti i ri i SHBA, Donald Trump, i vë në jetë kërcënimet e tij dhe shkurton ose anulon plotësisht ndihmën e deritanishme bujare nga SHBA për Ukrainën. Deri tani SHBA ka financuar pothuajse gjysmën e ndihmës së Ukrainës. Në Bruksel ka spekulime të forta, se sa para do të duheshin, bëjnë të ditur diplomatët e BE. Askush nuk e di saktësisht, se çfarë do të ndodhë në 2025. “Ne thjesht do të presim dhe do të shohim. Ne nuk jemi vërtet të përgatitur për Trumpin”, tha një diplomat i BE pas dyerve të mbyllura.

    2. Armatosja

    Përveç Ukrainës BE në vitin 2025 do të fokusohet te mbrojtja e vet kundër Rusisë. Për herë të parë ka një komisioner të BE për sektorin e ri të mbrojtjes dhe hapësirës. Andris Kubilius nuk do të krijojë një ushtri evropiane, por do të koordinojë më mirë politikat e armatimit dhe furnizimit të anëtarëve të BE. Buxhetet në shumë shtete anëtare janë shumë të vogla, për të blerë shpejt armë të reja ose për të vënë në dispozicion më shumë ushtarë.

    Presioni mund të rritet, nëse presidenti amerikan Donald Trump vendos të shkurtojë shpenzimet evropiane të mbrojtjes dhe të kërkojë më shumë kontribute nga evropianët. Se nga do të vijnë miliardat e shumtë për ushtrinë, është një mister për shumë politikanë të BE. Vetëm në Gjermani buxhetit të mbrojtjes i mungojnë 230 miliardë euro në një periudhë afatmesme, vlerëson instituti i kërkimeve ekonomike IFO në Mynih. Në Itali janë 120 miliardë, në Spanjë 80 miliardë. Ideja e disa shteteve për të financuar shpenzimet ushtarake përmes borxhit shtesë të përbashkët të BE u frenua menjëherë nga ministri i ri gjerman i Financave Jërg Kukies (SPD).

    3. Menaxhimi i borxheve

    Borxhet! Në vitin 2025 duhet të financohen jo vetëm shpenzimet e reja ushtarake, por edhe investime në ristrukturimin të ekonomisë në favor të klimës, investime në mbështetje të ekonomisë dhe për rindërtimin në Gaza, Liban dhe Siri. Në një raport dramatik për aftësinë konkurruese të ekonomisë së BE ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, flet për nevojën për investime prej 800 miliardë eurosh.

    Italiani Draghi rekomandon borxh të përbashkët për financimin fillestar, për të përfshirë edhe investitorët privatë. Franca dhe Italia përballen tashmë me procedurën e deficitit të Bashkimit Evropian. Spanja mund t`u bashkohej së shpejti. Megjithëse Gjermania qëndron nën kufirin e borxhit të BE, për shkak të zgjedhjeve të reja ajo nuk mund të veprojë plotësisht në aspektin e politikës fiskale. Një ministër i ri i financave nuk do të paraqesë buxhetin federal për vitin 2025 para korrikut ose shtatorit. Negociatat për kornizën e re financiare të BE do të vonohen nga formimi i qeverisë në Gjermani.

    4. Të pengohet lufta tregtare

    Për sa i përket politikës tregtare, viti 2025 ka të ngjarë të jetë një vit mjaft i vështirë. Me Kinën po nis një luftë tregtare për makinat elektrike. Me SHBA mund të ketë një konflikt dramatik lidhur me tarifat ndëshkuese, që Donald Trump dëshiron t`i vendosë Evropës, Kinës, Meksikës dhe Kanadasë. Komisioneri i BE për Çështjet Ekonomike, Valdis Dombrovskis, dëshiron t’u bëjë të qartë këshilltarëve të presidentit të ri të SHBA, se me tarifat ata dëmtojnë veten. “Një luftë tregtare nuk i ndihmon askujt. Tumpit duhet t’i prezantohen shifrat. Një fragmentim i tregtisë botërore nuk i sjell dobi askujt. Tarifat do të shkatërronin shtatë për qind të prodhimit ekonomik global. Kjo do të ishte si në vitet 1930, kur izolacionizmi ishte shumë në modë”, tha Dombrovskis, duke iu referuar krizës ekonomike globale të atyre viteve dhe ngritjes së nacionalsocializmit në Gjermani. Një farë shprese jep marrëveshja tregtare e sapo nënshkruar me Grupin Mercosur në Amerikën e Jugut. Por BE duhet ta miratojë atë brenda radhëve të saj vitin e ardhshëm.

    5. Të ruhet uniteti

    Me pak optimizëm e sheh vitin e ri eksperti i BE Janis Emmanouilidis nga grupi i ekspertëve “European Policy Center” (EPC). “BE ka qenë gjithmonë garantues i kompromiseve. Këtë aftësi ai e ka humbur”, tha Janis Emmanouilidis në një aktivitet në Bruksel në fillim të dhjetorit, duke pasur parasysh sfidat e politikës së jashtme dhe ushtarake, të cilat në Gjermani u përshkruan me shprehjen e kancelarit “pika e kthesës”. “BE nuk është më përgjigja për shumë gjëra. Politika është bërë më nacionaliste.” Shumë njerëz përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë të anëtarësohen, kanë humbur shpresën se BE do t’i përmbushë dikur vërtetë premtimet e saj, tha eksperti i BE Emmanouilidis.

    Franca dhe Gjermania janë të nevojshme tani si fuqi kryesore në BE. Franca është e dobët për shkak të krizave të saj qeveritare. Gjermania për shkak të zgjedhjeve të reja në shkurt mund të veprojë vetëm në një masë të kufizuar. Edhe qeveria e pakicës në Spanjë mund të dështojë për shkak të buxhetit. Italia udhëhiqet nga një qeveri e ekstremit të djathtë. Belgjika dhe Austria kanë vetëm qeveri të përkohshme. Situata në Rumani është konfuze. Në Holandë, Hungari dhe Sllovaki qeverisin euroskeptikët. Viktor Orban, kryeministri hungarez, i thotë vetes se gjatë presidencës së tij të BE e ka bërë më të mundshme paqen në Ukrainë nga afrimi me Rusinë. Ai gëzohet për shpirtin e tij binjak Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Viti 2025 do të jetë i stuhishëm për BE – por të paktën do të jetë shumë interesant./Nga: Bernd Riegert/DW

  • Rusia ndal furnizimet me gaz në Evropë përmes Ukrainës

    Gjiganti shtetëror i Rusisë, Gazprom, ka thënë se e ka pezulluar furnizimin e Evropës me gaz përmes gazsjellësit që kalon nëpër Ukrainë, pasi Kievi ka refuzuar të nënshkruajë vazhdimin e kontratës që ka skaduar në fund të vitit 2024, dhe e cila është arritur para se të niste lufta e Moskës kundër Ukrainës.

    Ky vendim i Gazpromit, i bërë publik më 1 janar përmes një postimi në Telegram, nuk pritet të shkaktojë probleme të mëdha te konsumatorët evropianë, për shkak të përpjekjeve të tyre afatgjata që t’i shmangen varësisë nga gazi rus.

    Sllovakia, Hungaria, Austria, dhe disa vende të Ballkanit kanë vazhduar të blejnë gazin rus përmes Ukrainës – ndonëse të sasi të zvogëluara – edhe pas nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

    Megjithatë, Moldavia rrezikohet, meqë një central i madh i saj funksionon me gazin rus. Zyrtarët moldavianë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme muajin e kaluar, pasi është kuptuar se marrëveshja mes Moskës dhe Kievit nuk do të vazhdohet.

    Centrali në rajonin e shkëputur, Transdnjestër, e ka ndalur punën më 1 janar, dhe operatori i tij ka bërë të ditur se është detyruar të ndalë ngrohjen dhe furnizimet me ujë të ngrohtë për të gjitha shtëpitë dhe ndërtesat administrative të rajonit, duke përjashtuar spitalet.

    “E kemi ndalur trasitin e gazit rus. Është zhvillim historik”, ka thënë Ministria ukrainase e Energjisë përmes një deklarate.

    “Rusia është duke humbur tregje, do të përballet me humbje financiare”.

    Gazsjellësi i kohës sovjetike, ka bartur gaz nga Siberia në Sudzha të Ukrainës, dhe ka qenë i vetmi funksional, pas dëmit të gazsjellësit Rrjedha Veriore në fund të vitit 2022.

    Puna në një tjetër gazsjellës, që ka bartur gazin nga Rusia në Poloni, përmes Bjellorusisë, është pezulluar, po ashtu, për shkak të nisjes së luftës.

    Rusia e ka furnizuar dikur gjysmën e vendeve të Bashkimit Evropian me gaz natyror, mirëpo blloku i ka zvogëluar importet në mënyrë drastike, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

    Shumë vende evropiane u janë kthyer burimeve alternative, duke përfshirë blerjen e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Norvegjia.

    Ministria e Energjisë e Austrisë ka thënë se furnizimet e saj janë të garantuara, falë blerjeve që i ka bërë për rrjedhje të gazit përmes Italisë dhe Gjermanisë.

    Sllovakia, kryeministri i së cilës, Robert Fico, e ka bërë një vizitë të pazakonshme në Moskë muajin e kaluar, pritet të mos përballet me ndonjë mungesë, ndonëse zyrtarët sllovakë kanë thënë se furnizimet alternative do të kushtojë 184 milionë dollarë më shumë.

    Fico ka thënë se ky hap do të ketë ndikim “drastik” në BE, por jo në Rusi.

    Hungaria dhe vendet tjera vazhdojnë të pranojnë gazin rus përmes një gazsjellësi tjetër, TurkStrem, që shtrihet në Detin e Zi.

    Vendimi i marrë nga Kievi nënkupton që Ukraina do të humbë rreth 800 milionë dollarë në vit, që i siguronte nga taksat e transitit.

    Gazpromi, në anën tjetër, do të humbë rreth 5 miliardë dollarë nga zvogëlimi i shitjes.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre/RadioEvropaeLirë/.