Ballina

Etiketë: tubimi politik

  • Koloneli Nexhmi Krasniqi sfidon Policinë, pasi u pa në tubim politik: Kush ka thënë që s’kam të drejtë?

    Koloneli i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi është njëri prej zyrtarëve të Policisë për të cilin Inspektoriati i Policisë ka rekomanduar suspendimin nga detyra, për shkak se i njëjti mori pjesë në një aktivitet politik.

    Ai u pa në një takim të thirrur nga kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Fotografitë e shpërndara nga kanidati i PDK-së për deputet, Fatbardh Rexha janë shpërndarë në llogarinë e tij në rrejtin social Facebook, më 06.01.2025.

    Burimi i fotos – Fatbardh Rexha – Facebook

    Me të marrë informacionin, Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur një hetim me ç’rast edhe ka kërkuar suspendimin nga detyra të Kolonel Krasniqit.

    Për këtë rast KALLXO.com ka telefonuar Krasniqin për ta pyetur rreth pjesëmarrjes së tij në aktivitetin politik, por i njëjti nuk pranoi të sqarohej.

    “Kush ka thënë që s’kanë të drejtë të marrë pjesë Policia? Janë Rregulloret, po lexoje Ligjin për Policinë dhe gjeje Nenin aty dhe mirupafshim.” – deklaroi Nexhmi Krasniqi për KALLXO.com.

    Krasniqi mban pozitën e Drejtorit në Drejtorinë Rajonale për kufi – Gjakovë.

    Kallxo.com ka provuar të kontaktojë edhe me Isak Ejupin, Major në Policinë e Kosovës, për të cilin Inspektoriati i Policisë inicoi procedurë disiplinore ndaj tij, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefonin e tij.

    Ndaj majorit Ejupi IPK inicioi procedurë disiplinore, pasi i njëjti kishte marrë pjesë në një tubim politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i njëjti shihet në një video të shpërndarë nga LDK gjatë ditës së djeshme.

    Inspektorati Policor i Kosovës, Departamenti i Hetimeve njoftoi sot, më 08.01.2025, se pas publikimit të shkrimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar procedura disiplinore për dy raste të ndara, në të cilat janë përfshirë një gradë e Kolonelit policor dhe një Major.

    IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e Kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike, kurse rastin e Majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës.

    “Duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë, që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

    https://kallxo.com/lajm/pjesemarrja-ne-tubime-politike-ipk-rekomandon-suspendimin-e-nje-koloneli-dhe-inicion-procedure-disiplinore-ndaj-nje-majori-te-policise/

     

    Shënim: Lajmi është edituar në këtë paragraf: Krasniqi mban pozitën e drejtorit në Drejtorinë Rajonale për kufi – Gjakovë. Në vend të Prizren është përmirësuar në Gjakovë. Koha e editimit: 13:15 – 08.01.2025