Ballina

Etiketë: tubime politike

  • Suspendohen tre zyrtarët policorë që u panë në tubime politike

    Një kolonel, një major dhe një rreshter policor janë suspenduar nga puna, më 08.01.2025.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa njëri zyrtar policor është suspenduar nga IPK-ja.

    Suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike.

    “Suspendimi ka ndodhur duke u bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, i cili përcakton konfliktin e interesave, Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, si dhe Rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.” – thuhet në njoftim.

    Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të Ligjit, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese – si institucioni kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.

    “Policia e Kosovës, me gjithë zyrtarët e saj, kanë detyrë primare garantimin e rendit e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe çdo përfshirje e zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e krijuar ndër vite ndaj Policisë së Kosovës.” – thuhet në njoftim.

    Koloneli i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi është njëri prej zyrtarëve të Policisë për të cilin Inspektoriati i Policisë kërkoi suspendimin nga detyra, për shkak se i njëjti mori pjesë në një aktivitet politik.

    https://kallxo.com/lajm/koloneli-nexhmi-krasniqi-sfidon-policine-pasi-u-pa-ne-tubim-politik-kush-ka-thene-qe-skam-te-drejte/

    Ai u pa në një takim të thirrur nga kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Fotografitë e shpërndara nga kanidati i PDK-së për deputet, Fatbardh Rexha, janë shpërndarë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, më 06.01.2025.

    Për këtë rast KALLXO.com ka telefonuar Krasniqin për ta pyetur rreth pjesëmarrjes së tij në aktivitetin politik, por i njëjti nuk pranoi të sqarohej.

    “Kush ka thënë që s’kanë të drejtë të marrë pjesë Policia? Janë Rregulloret, po lexoje Ligjin për Policinë dhe gjeje Nenin aty dhe mirupafshim.” – deklaroi Nexhmi Krasniqi për KALLXO.com.

    Krasniqi mban pozitën e drejtorit në Drejtorinë Rajonale për kufi – Gjakovë.

    Kallxo.com ka provuar të kontaktojë edhe me Isak Ejupin, Major në Policinë e Kosovës, për të cilin Inspektoriati i Policisë inicoi procedurë disiplinore ndaj tij, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefonin e tij.

    Ndaj majorit Ejupi IPK inicioi procedurë disiplinore, pasi i njëjti kishte marrë pjesë në një tubim politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i njëjti shihet në një viedo të shpërndarë nga LDK gjatë ditës së djeshme.