Ballina

Etiketë: trump hotel

  • Shpërthimi i Tesla Cybertruck para hotelit Trump në Las Vegas hetohet si akt i mundshëm terrorist

    Shpërthimi i një makine Tesla Cybertruck në hyrjen e hotelit Trump në Las Vegas mëngjesin e së mërkurës po hetohet si akt i mundshëm terrorist, raporton CNN.

    Në një konferencë për shtyp, sherifi i Las Vegas, Kevin McMahill, tha se një zjarr në një automjet u raportua në hotel pak pas orës 8:40 të mëngjesit.

    “Ekipet mbërritën në vendngjarje dhe gjetën një Cybertruck të vitit 2024 të përfshirë nga flakët” – tha ai.

    “Një person i vdekur është gjetur brenda Cybertruck dhe nuk e dimë për momentin i cilës gjini është” – tha McMahill.

    Shtatë viktima të tjera pësuan atë që McMahill e përshkroi si lëndime të “lehta” si rezultat i shpërthimit.

    Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë automjetin të mbuluar nga tymi.

    Jeremy Schwartz, agjent special në detyrë i FBI-së në Las Vegas, gjithashtu konfirmoi se ekipi i tij është i përfshirë në hetim.

    Sipas një zyrtari të informuar mbi hetimin, Cybertruck ishte marrë me qira nga kompania e makinave me qira Turo.

    Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një shofer që kalon pranë hotelit Trump në Vegas rreth një orë para shpërthimit të makinës dhe më pas rikthehet në të njëjtin vend në fund të asaj ore, duke ndaluar përpara hotelit ku makina shpërthen disa sekonda më vonë, tha zyrtari për CNN.

    Lëndët shpërthyese të përfshira në kamionetë përshkruhen si fishekzjarre, bombola gazi dhe karburant për kamping, të cilat autoritetet besojnë se ishin të lidhura me një sistem shpërthimi të kontrolluar nga shoferi, sipas zyrtarit.

    Autoritetet po shqyrtojnë nëse ka ndonjë lidhje midis shpërthimit dhe sulmit në New Orleans mëngjesin e sotëm po ashtu ku humbën jetën 15 persona, pasi një i dyshuar goditi turmën e njerëzve me një kamionetë të marrë me qira nga Turo, megjithëse ende nuk është përcaktuar ndonjë lidhje.

    Në një postim në X, Elon Musk shkroi se Tesla po heton çështjen.

    “Tani kemi konfirmuar se shpërthimi u shkaktua nga fishekzjarre shumë të mëdha ose bombë e vendosur në pjesën e pasme të Cybertruck të marrë me qira” – shkroi Musk.

    https://kallxo.com/lajm/masakra-ne-new-orleans-i-dyshuari-shtetas-amerikan-ne-makine-valevitej-flamuri-i-isis-it/