Ballina

Etiketë: Tri viktima

  • Tragjedia në Vardar, Prokuroria e Shkupit thotë se po hetohen shkaqet e aksidentit

    Nga vetura që ka rënë më 02.01.2025, në lumin Vardar në Maqedoninë e Veriut, në rrugën Rashqe-Saraj janë nxjerrë tre trupat e pajetë të tri grave, për të cilat është lëshuar urdhëri për autopsi – transmeton Portal.mk.

    Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kumtuar, sipas informacioneve fillestare, se automjeti drejtohej nga njëri prej të ndjerave dhe se do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës.

    Sipas Portal. Mk, Prokuroria ka bërë të ditur se pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira e të paarritshme në terren janë ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e gjurmëve dhe provave, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të aksidentit. 

    “Sipas udhëzimeve të Prokurorit publik janë intervistuar dëshmitarët okularë të ngjarjes, si dhe familjarët e familjes në automjet për zbardhjen e të gjitha rrethanave.” – thuhet në kumtesën e Prokurorisë Themelore – transmeton Portal.mk.

    Një person tjetër është në kërkim, ndërsa në makinë udhëtonte edhe një fëmijë, i cili është gjetur me lëndime jashtë automjetit dhe është dërguar në Qendrën Klinike – raporton TV21 në Maqedoni të Veriut.

    Siç raportoi Alsat M, fëmija 5 vjeçar ka shpëtuar dhe është gjetur nga disa kalimtarë të rastit.

    Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në njoftimin e saj ka thënë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:00, më 02.01.2025.

    Për disa orë raportohet të ketë vazhduar kërkimi i personit tjetër i cili dyshohet se ka qenë në veturë, por që në orët e mbrëmjes kanë pushuar kërkimet për të vazhduar të premten, më 03.01.2025.

    Ndërprerja e kërkimit të personit tjetër që ishte në veturë – sipas raportimit – ka ndodhur për shkak të kushteve atmosferike dhe vështirësive për të parë.