Ndërmarrja Publike Trainkos Sh.A. ka njoftuar se ka dyshime për manipulim me arkat fiskale në këtë institucion e që si rrjedhojë dyshohet se i është shkaktuar një dëm financiar prej 230 mijë eurosh.
Krahas kësaj, Trainkos thotë se ndaj 12 punonjësve është marrë masa disiplinore e shkëputjes së marrëdhënies së punës.
“Nga Raporti i fundit, të cilin e kemi pranuar nga ENTERNET, dëmi i shkaktuar kalon shumën prej 230 mijë eurosh dhe kjo shumë mund të rritet, meqë janë edhe katër (4) pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe të njëjtat ende nuk i kemi. Pra, Ndërmarrja nuk di se cili mund të jetë dëmi në memoriet e palexuara dhe shuma totale pas kësaj.” – ka njoftuar Trainkos, më 30.01.2025.
Sipas tyre, në koordinim me ATK-në janë nxjerrë të dhënat si: prova dhe dëshmitë e dyshimit për aktivitetin e bërë nga disa punonjës përmes arkave fiskale, të cilët gjatë kryerjes së detyrës, pothuajse nga viti 2016 e deri në fundvitin e 2024 kanë ndërhyrë në të dhënat e raportimit – duke resetuar pajisjet dhe duke fshehur të dhënat reale të shitjeve.
Për këto keqpërdorime të mundshme, Trankos i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet.
“Për dëmin e shkaktuar dhe për memoriet e mbetura pa lexuar, kjo çështje kërkon një hetim nga ana e autoriteteve ligjzbatuese, si dhe ato të hetuesisë, nga të cilat kërkojmë që zyrtarisht të nisin hetimet – duke qenë se vepra e kryer përmban disa elemente të veprave penale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në komunikatën e Trainkos të publikuar në Facebook.