Ballina

Etiketë: Trafiku

  • Gjoba digjitale të trafikut në Prishtinë, Rama nënshkruan Marrëveshje me Policinë e Postën

    Në kuadër të modernizimit të Kryeqytetit, kryetari i Prishtinës Përparim Rama nënshkroi Marrëveshje me Policinë dhe Postën e Kosovës për Gjoba digjitale të trafikut.

    Rama theksoi se ky është hap i rëndësishëm për sigurinë dhe rregullin në trafik.

    “Sot nënshkruam Marrëveshjen për gjobat digjitale të trafikut me Policinë e Kosovës dhe Postën e Kosovës. Një hap i rëndësishëm për sigurinë dhe rregullin në Kryeqytet – duke modernizuar mbikëqyrjen e rregullimin dhe duke minimizuar kundërvajtjet në trafik.” – shkroi Rama në Facebook.

    I pari i Prishtinës, më tej, shtoi se “Kryeqyteti po shkon me hapa të shpejtë drejt modernizimit”.

    Si pjesë e angazhimit për një Qytet të Mençur (Smart City), muaj më parë Kryeqyteti nisi vendosjen e shtyllave informuese, që tregojnë vendet e lira të parkimit, temperaturën, cilësinë e ajrit e informacione të tjera.

  • Smogu shkakton kaos në trafikun e Delhit

    Mjegulla e dendur dhe cilësia e përkeqësuar e ajrit kanë shkaktuar kaos në kryeqytetin e Indisë, Delhi.

    Dukshmëria në shumë rajone është raportuar të jetë zero në orët e para të së premtes, më 10.01.2025, duke shkaktuar ndryshim të orareve të fluturimeve, trenave dhe trafikut rrugor – raporton BBC.

    Më shumë se 150 fluturime janë shtyrë dhe shumë trena janë nisur me vonesa të mëdha, për shkak të kushteve të liga të motit – raportojnë mediat vendase.

    Ky është një problem që përsëritet çdo dimër herë pas here në Indinë veriore, ku temperaturat e ulëta ndërmjet dhjetorit dhe janarit, u bëjnë presion ndotësve që të mbesin afër sipërfaqes tokësore – duke ndikuar dukshmërinë, duke vështirësuar udhëtimin dhe duke bërë më të rrezikshëm ajrin.

    Indeksi i cilësisë së ajrit në Delhi ishte mbi 400 në disa rajone – ka bërë të ditur uebfaqja shtetërore “Safar”. Kjo është 25-fish më shumë se kufiri i përcaktuar i sigurisë, i përcaktuar prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Autoritetet në Kryeqytet kanë thënë se kanë marrë masa për kontrollin e ndotjes, që përfshijnë ndalimin e aktiviteteve të shkatërrimit e ndërtimit, si dhe që mësimi në shkolla të mbahet online.

    Xhirimet e fotografitë nga Delhi dhe qytetet përreth kanë treguar se një batanije mjegulle ka mbuluar rrugët dhe ndërtesat.

    Aeroporti i Delit ka lëshuar një vërejtje këshilluese për pasagjerët për ndryshime itineraresh, për shkak të dukshmërisë së ulët.

    “Ndërsa uljet dhe ngritjet vazhdojnë në Aeroportin e Delhit, fluturimet që nuk janë në përputhje me standardet CAT III mund të preken.” – thuhet në paralajmërim. CAT III është një sistem i cili lejon aeroplanët të ulen gjatë kushteve të shikueshmërisë së dobët.

    Sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve “flightradar24” ngritjet në Aeroportin e Delhit janë vonuar me më shumë se 30 minuta dhe mbërritjet deri  në 20 minuta.

    Disa pasagjerë u ankuan në rrjetet sociale për kaos në Aeroport.

    Ndërkohë, 26 trena për në qytet po vonohen për shkak të mjegullës – kanë njoftuar Hekurudhat e Indisë.

    Departamenti i Motit i Indisë ka parashikuar reshje të pakta gjatë fundjavës, të cilat pritet të përmirësojnë kushtet e dukshmërisë.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com