Ballina

Etiketë: TikTok

  • Presidenti i zgjedhur Trump sinjalizon për shtyrjen me 90 ditë të ndalimit të rrjetit TikTok

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha të shtunën (18.01.2025) se “brenda të gjitha gjasave” do t’i japë rrjetit TikTok edhe 90 ditë të tjera afat, për të arritur një marrëveshje që do t’i mundësonte kësaj platforme të suksesshme të shpërndajes së videove në Shtetet e Bashkuara, që të shmangte masën e ndalimit.

    Gjatë një interviste me kanalin televiziv NBC News, presidenti i zgjedhur Trump tha se nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë, por se po shqyrtonte mundësinë e një shtyrjeje të përkohshme të masës së ndalimit, pasi të ketë bërë betimin të hënën (20.01.2025). Të dielën hyn në fuqi në Shtetet e Bashkuara ligji i ri që ua ndalon shërbimeve të aplikacioneve dhe atyre të internetit shpërndarjen e programit TikTok.

    Sipas ligjit të miratuar nga Kongresi dhe të nënshkruar në fuqi nga presidenti Biden vitin e kaluar, kompanisë mëmë kineze të rrjetit TikTok i ishte dhënë një afat 9-mujor që t’ia shiste degën në Shtetet e Bashkuara një blerësi të miratuar paraprakisht. Ligji i lejon gjithashtu presidentit që të bëjë një shtyrje të afatit, nëse ka filluar procesi për shitjen.

    “Mendoj se do të ishte sigurisht një opsion që do ta shqyrtonim… Shtyrja 90-ditore është diçka që me të gjitha gjasat do të ndodhë, pasi është e përshtatshme. Është e përshtatshme”, i tha Presidenti i zgjedhur Trump, drejtueses së emisionit “Meet the Press”, Kristen Welker, gjatë një interviste nëpërmjet telefonit. “Duhet ta shqyrtojmë me kujdes. Është një situatë shumë e madhe… Nëse vendos ta bëj këtë, ndoshta do ta njoftoj të hënën” – tha ai./VoA

  • Çfarë nënkupton ndalimi i mundshëm i TikTok-ut për konkurrencën SHBA-Kinë?

    TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, po përballet me ndalesë në Shtetet e Bashkuara. Ajo çfarë do të ndodhë më pas do të ketë pasoja të mëdha për konkurrencën globale në fushën e teknologjisë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe mund të përcaktojë raportet e presidentit në ardhje, Donald Trump, me Pekinin.

    Platforma për video është aplikacioni i parë global i Kinës dhe ia ka kaluar me performancë rivalëve, që janë në pronësi të SHBA-së, sikurse Instagram, Facebook apo X. Çështja e pronësisë kineze ishte ajo që e vendosi TikTok-un në shënjestër të Kongresit amerikan, i cili në prill të vitit 2024 miratoi një ligj lidhur me shqetësimet mbi sigurinë kombëtare, përfshirë përhapjen e dezinformatave dhe spiunazhit. Ligjin ka kërkuar nga ByteDance që ta shesë aplikacionin deri më 19.01.2025 apo, në të kundërtën, do të përballet me ndalesë.

    Përderisa kritikët e ndalesës thonë se të dhëna të ngjashme dhe shqetësime për privatësinë ekzistojnë edhe për platformat e mediave sociale të SHBA-së, çështja e pronësisë kineze i shton një dimension të ri.

    Firmat e sigurisë kibernetike kanë sugjeruar se aplikacioni është i aftë të mbledhë të dhënat e përdoruesve përtej asaj çfarë përmbajtje ata shohin në TikTok, dhe Kina miratoi një ligj më 2017 që detyron shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit të bashkëpunojnë me aparatin e saj të inteligjencës.

    Më 2023, një gazetare britanike tha se të dhënat dhe vendndodhja e saj u gjurmuan nga punonjësit e TikTok-ut në Kinë dhe në SHBA. Dokumentet gjyqësore në SHBA të një ish-punonjësi të ByteDance po ashtu përshkruan se si Partia Komuniste e Kinës kishte qasje në të dhënat e kompanisë për të spiunuar protestuesit prodemokracisë në Hong Kong më 2018.

    E gjithë kjo po ndodh mes tensioneve të rritura ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit si dhe në mes të shqetësimeve në rritje për spiunazh dhe hakim kinez në SHBA.

    Trump ka lënë të kuptohet se është kundër ndalimit, pasi fillimisht e kishte mbështetur një lëvizje të tillë. Ai tha më 17.01.2025 se vendimi i tij për TikTok-un “do të merret në të ardhmen jo shumë të largët”. Ai po ashtu zbuloi se kishte biseduar me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, dhe veç tjerash, kishte diskutuar edhe për TikTok-un.

    Mandati paraprak i Trumpit si president, nga viti 2016 deri më 2020, ishte karakterizuar me një qëndrim të ashpër karshi Kinës dhe me shënjestrim të kompanive kineze në Kinë dhe jashtë vendit, duke nisur nga infrastruktura e telekomunikimit 5G e deri te firmat e kamerave mbikëqyrëse. Ky qëndrim i ashpër ishte në kontekstin e thellimit të garës teknologjike mes Pekinit dhe Uashingtonit.

    TikTok është versioni ndërkombëtar i Douyin-it të ByteDance, i cili shërben për tregjet në Hong Kong dhe Kinë dhe i përmbahet aparatit të rreptë të censurës të Pekinit. Teksa është një biznes i suksesshëm, popullariteti dhe ndikimi i tij i kanë dhënë një shtysë globale Pekinit. Mosgatishmëria e ByteDance për ndryshimin e pronësisë tregon vlerën që i jep algoritmit që e ka krijuar dhe që TikTok-u të vazhdojë të jetë kompani kineze.

    Se si do ta trajtojë Trumpi këtë ndalesë mund të jetë një sinjal i hershëm se si ai do t’i qaset raporteve me Kinën dhe për llojin e dinamikës që ai do të ketë me Xi-në./REL

  • Gjykata Supreme miraton ligjin që e ndalon TikTok-un në SHBA

    Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të premten (17.01.2025) vendosi njëzëri që të miratojë ligjin federal që e ndalon TikTok-un duke filluar nga e diela (19.01.2025), përveçse nëse shitet nga kompania e saj amë me bazë në Kinë.

    Gjykata argumentoi se rreziku për sigurinë kombëtare i shkaktuar nga lidhjet me Kinën tejkalon shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes nga aplikacioni ose 170 milionë përdoruesit e tij në Shtetet e Bashkuara, raporton AP.

    Shitja nuk duket se është afër dhe, megjithëse ekspertët kanë thënë se aplikacioni nuk do të zhduket nga telefonat e përdoruesve ekzistues pasi ligji të hyjë në fuqi më 19 janar, përdoruesit e rinj nuk do të jenë në gjendje ta shkarkojnë atë e as të përditësojnë.

    Kjo, eventualisht, do ta bëjë aplikacionin të papërdorshëm, ka thënë Departamenti i Drejtësisë në dokumentet gjyqësore.

    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, premtoi se mund të negociojë për një zgjidhje, kurse administrata e presidentit Joe Biden ka sinjalizuar se nuk do ta zbatojë ligjin duke filluar nga e diela, dita e tij e fundit e plotë në detyrë.

    Trump, i vetëdijshëm për popullaritetin e TikTok-ut dhe për 14.7 milionë ndjekësit e tij në këtë aplikacion, gjendet në anën e kundërt të argumentit nga republikanët e njohur të Senatit, të cilët fajësojnë pronarin kinez të TikTok-ut për mosgjetjen e një blerësi deri tani.

    Nuk është e qartë se cilat opsione do të jenë të hapura për Trumpin pasi të betohet si president të hënën.

    Reuters raporton se Ligji për TikTok-un i jep presidentit autoritetin për të dhënë një zgjatje të vetme deri në 90 ditë për afatin e shitjes, nëse ai vërteton se ekziston një rrugë dhe prova për përparim drejt një shitjeje, duke përfshirë “marrëveshje ligjore të detyrueshme”, të cilat ligji nuk i përcakton.

    Aplikacioni u mundëson përdoruesve të shikojnë qindra video brenda rreth gjysmë ore, pasi disa prej tyre janë vetëm disa sekonda të gjata, sipas një padie të ngritur vitin e kaluar nga shteti i Kentakit, ku pretendohet se TikTok-u është i dizajnuar për të krijuar varësi dhe dëmton shëndetin mendor të fëmijëve. Padi të ngjashme janë ngritur nga më shumë se një duzinë shtetesh. TikTok-u i ka quajtur këto pretendime të pasakta.

    Mosmarrëveshja mbi lidhjet e TikTok-ut me Kinën ka marrë formën e konkurrencës gjeopolitike ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit.

    Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se janë të shqetësuara për mbledhjen e sasive të mëdha të të dhënave nga TikTok-u, përfshirë informacionin e ndjeshëm mbi zakonet e shikimit, që mund të përfundojnë në duart e Qeverisë kineze përmes detyrimit. Zyrtarët, gjithashtu, kanë paralajmëruar se algoritmi që përcakton çfarë shohin përdoruesit në aplikacion është i cenueshëm ndaj manipulimit nga autoritetet kineze, të cilat mund ta përdorin atë për të formësuar përmbajtjen në platformë në një mënyrë të vështirë për t’u zbuluar.

    Ndërkaq, TikTok-u thekson se SHBA-ja nuk ka paraqitur prova që Kina ka tentuar të manipulojë përmbajtjen në platformën e saj në SHBA ose të mbledhë të dhëna të përdoruesve amerikanë përmes TikTok-ut.

    Pa u shitur te një blerës, ligji ua ndalon gjigantëve teknologjikë Apple, Google dhe të tjerëve që të ofrojnë TikTok-un duke filluar nga e diela./REL