Ballina

Etiketë: therje me thikë

  • Therja me thikë në Ferizaj – Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit

    Dy ditë pasi u raportua se një person rreth 23-vjeçar është therur me thikë në Ferizaj, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve N. D. dhe E. P., për shkak të dyshimit të veprës penale “vrasja në tentativë”.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 25.01.2025, rreth orës 17:05, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, pas një mosmarëveshjeje në komunikacion, të pandehurit për t’u sqaruar hynë në automjetin e të dëmtuarit L. Q.

    Prokuroria thotë se gjatë rrugës brenda veturës, të pandehurit e sulmojnë të dëmtuarin L. Q.

    “Pastaj përleshja vazhdon edhe jashtë veture, ku në një moment i pandehuri N. D. nxjerr një thikë nga xhepi dhe me dashje që ta privojë nga jeta e godet të dëmtuarin disa herë në pjesë abdominale – duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe dy të pandehurit largohen nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, i dëmtuari fillimisht dërgohet në Emergjencën e Ferizajt, pastaj dërgohet në QKUK – Prishtinë, ku i nënshtrohet operimit.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë, më 27.01.2025.

    Prokuroria shton se të dyshuarit, N. D. dhe E. P. dyshohet se në bashkëkryerje kryen veprën penale “vrasja në tentativë” nga Neni 172, lidhur me Nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.

    “Të pandehurit që nga data 25 janar 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.” – ka njoftuar Prokuroria e Ferizajt.

    KALLXO.com raportoi për këtë rast, i cili u konfirmua nga Policia në Ferizaj dhe u njoftua se të dyshuarit ishin arrestuar fillimisht për lëndim të rëndë trupor.

    Policia njoftoi po ashtu se ishte sekuestruar arma e ftohtë – thikë, me të cilën dyshohet se është sulmuar i dëmtuari.

  • Vrasje në tentativë në Drenas, dy vëllezër u theren me thikë

    Policia ka njoftuar se iu është raportuar se dy vëllezër kanë kërkuar ndihmë mjekësor në QKMF në Drenas pasi që ishin të therur me një mjetë të mprehtë.

    Rasti ka ndodhur më 26.01.2025 rreth orës 16:40.

    Njëri nga viktimat është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm.

    Pas hetimeve është arritur të identifikohen dhe të arrestohen tre të dyshuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

    Rasti po trajtohet si vrasje në tentativë.

  • Arrestohen dy persona të dyshuar për therje me thikë të një personi në Ferizaj

    Një person rreth 23 vjeçar është therur me thikë pasditen e së shtunës (25.01.2025) në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj.  

    Ndërkaq, Policia njofton se lidhur me këtë rast janë arestuar dy persona të dyshuar për lëndim të rëndë trupor. 

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se sot më 35.01.2025, janë arrestuar dy të dyshuarit, E. P. dhe N. D. të moshës 21 vjeçare dhe se të njëtit janë shoqëruar në stacionin policor. 

    Ndërkaq, si provë materiale, Veseli njofton se është sekuestruar arma e ftohtë (thika) me të cilën dyshohet se është shkaktuar lëndimi ndaj viktimës. 

    “Policia do të vazhdojë hetimet dhe do të informojë publikun për zhvillimet e tjera lidhur me këtë rast”- ka thënë Veseli. 

    Tutje, Viktima fillimisht ishte  dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas është transportuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.

  • Theret me thikë një person në Ferizaj

    Një person rreth 23 vjeçar është therur me thikë pasditen e së shtunës (25.01.2025) në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj. 

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se viktima fillimisht është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas është transportuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm. 

    Për këtë rasti nuk raportohet për ndonjë të arrestuar, ndërkaq, sipas Veselit, ngjarja ka ndodhur ende në rrethana të paqarta. 

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat dhe hetuesit e stacionit policor të Ferizajt, ndërsa më pas janë angazhuar edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë”- ka deklaruar Veseli për KALLXO.com. 

    Për të gjitha veprimet e nevojshme policore, Veseli thotë se është njoftuar edhe prokurori i shtetit.