Ballina

Etiketë: test

  • Kurti nuk përgjigjet për urën e patestuar te liqeni i Badovcit, Mbrojtja e Afërt nuk lejon ekipin e KALLXO.com t’i afrohet kryeministrit

    “Ura në Badovc është lëshu për qarkullim pa qenë e testuar. A ndiheni ju i sigurt me kalu në atë urë?” dhe “A jeni ftuar për të marrë pjesë në inagurimin e presidentit Trump?”

    Këtyre dy pyetjeve të gazetarit të KALLXO.com nuk u është përgjigjur kryeministri, Albin Kurti, më 08.01.2025.

    Madje, pjesëtarët e Mbrojtjes së Afërt e kanë penguar ekipin e KALLXO.com t’i afrohet kryeministrit, teksa ky ka vizituar Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës në fshatin Rashincë të Shtimes.

    Mbrojtja e Afërt ia pamundësoi punën ekipit të KALLXO.com me arsyetimin se vizita e kryeministrit është “private”.

    “I nderuar, po më vjen keq, nuk mundemi me leju, është private, a e di? Mos merr pamje, të lutem!” – tha fillimisht njëri pjesëtar i Mbrojtjes së Afërt.

    Më pas, ekipi i KALLXO.com u detyrua që të largohet më tej, jashtë “perimetrit të sigurisë” sipas Mbrojtjes së Afërt.

    “Është vizitë private, është me familje, është urdhër. Në vizitat zyrtare nuk të kemi pengu asnjëherë. Absolutisht. Kjo është vizitë private, vazhdoni në pjesën atje. Mos xhironi në vizita private! Tek vetura e parë, vazhdoni tek vetura e parë” – tha tutje pjesëtari i Mbrojtjes së Afërt.

    Pasi që ekipi u largua dhe mes tyre dhe kryeministrit u vendosën veturat zyrtare, Mbrojtja e Afërt u pyet se pse po ‘rrezikohet’ siguria vetëm nga gazetarët, kurse qytetarët e pranishëm u lanë në afërsi.

    “Ka raste kur biem ndesh tek aspekti i sigurisë. Pamundësohet puna e juaj, pamundësohet edhe puna e jonë” – tha tutje pjesëtari i Mbrojtjes së Afërt.

    “Ama në këtë ras, sigurinë jemi duke e pengu ne? Komplet ata qytetarë atje, nuk janë duke e pengu? Gazetari dhe kameramani që kanë me ba pyetje, për me iu pamundësu pyetje, ata duhet me i largu” – ishte sqarimi i kërkuar nga ekipi, për ç’gjë nuk mori përgjigje.

    Kryeministri Kurti nuk dha përgjigje as nëse është ftuar në inaugurimin e Donald Trump si president i SHBA-së më 20.01.2025.

    Ura te liqeni i Badovcit është lëshuar për qarkullim më 31.12.2024.

    Ura u lëshua në qarkullim por testimi i strukturës së saj nuk i është bërë ende.

    Testimi, sipas tenderit, i kushton buxhetit të Kosovës 6 mijë euro.

    Më 07.01.2024, KALLXO.com raportoi se si u lëshua kjo urë në qarkullim pa qenë e testuar.

    Se kjo urë nuk u testua e kanë pranuar edhe nga kompania që ka kryer punimet, edhe nga zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    Nga kompania “DRENI INGINERING”, e cila është përgjegjëse për kryerjen e testimit, thonë se ura është hapur për qarkullim për shkak të festave të fundvitit.

    “Unë e bëj testimin e urës, nuk është kryer. Kemi dashtë me e lëshu për qarkullim për shkak të festave dhe në një afat tjetër bahet testimi i urës”- tha Adnan Lushtaku për KALLXO.com.

    Kurse, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kur u pyet se pse ura është lëshuar për qarkullim pa u testuar struktura e saj, tha se testimi është vetëm formal sepse ura është stabile.

    “Dëgjo, duheni me e pyet menaxheren e kontratës, por ura testohet gjatë gjithë fazës se ndërtimit, do të thotë merren atestet paraprake sepse është material. Sasia e armaturës që vendoset aty, çfarë marke e betonit vendoset aty. Merren mostrat edhe dihet se a është ajo markë e beton a jo, a është ajo klasë e armaturës a jo, nëse gjatë këtyre fazave është vendos armatura, është vendos betoni sipas projektit, natyrisht që ura është stabile. Ai testimi është vetëm formal” – tha ai për KALLXO.com.

    https://kallxo.com/lajm/ekskluzive-ura-e-badovcit-u-leshua-ne-qarkullim-pa-u-testuar-video/

    https://kallxo.com/lajm/leshimi-i-ures-se-badovcit-pa-u-testuar-reagon-zevendesministri-hysen-durmishi/?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR3MoUu1fzD-TfOL1ceYXAR1mYDAj8nRf4Q-7OnpHKUfDzw_e5DcyXDX40I_aem_PVfWYNd7qjZR-Jd1kGgwOg