Ballina

Etiketë: Terrorizmi

  • SHBA-ja heq Kubën prej listës së sponsorëve shtetërorë të terrorizmit

    Presidenti amerikan, Joe Biden do ta heqë përcaktimin e Kubës si sponsor shtetëror terrorizmi, si pjesë e një ujdie për lirimin e të burgosurve – ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë – raporton BBC.

    Menjëherë pas njoftimit, Kuba ka njoftuar se do të lirojë 553 të burgosur të arrestuar – të dënuar për “krime të ndryshme”. Shpresohet se në këtë ujdi do të përfshihen edhe pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare të para katër vjetëve.

    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump e kishte kthyer përcaktimin zyrtar të Kubës si sponsor terrorizmi në ditët e fundit të Presidencës së tij të parë më 2021 – duke ndaluar ndihmën amerikane dhe eksportimin e armëve për këtë vend ishullor.

    Por të martën – sipas kohës lokale amerikane – Administrata e Bidenit ka njoftuar se në një vlerësim të situatës “nuk ka më informacione” se shteti kuban sponsoron terrorizmin.

    Kuba ka vlerësuar se vendimi i Bidenit është “një hap në drejtimin e duhur”, pavarësisht “natyrës së tij të kufizuar”.

    “Vendimi i jep fund një mase specifike shantazhuese, që bashkë me të tjerat shkakton dëm serioz për ekonominë kubane, me efekt të ashpër në popullsinë.” – thuhet në deklaratën e shkruar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kubës.

    Qindra të burgosur do të lirohen “gradualisht”, pas bisedimeve të ndërmjetësuara prej Kishës katolike – është thënë në një deklaratë të pastajme të diplomacisë kubane.

    Vendimi amerikan shihet si hap i rëndësishëm për normalizimin eventual të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com