Ballina

Etiketë: tërmet

  • Një tërmet i fuqishëm vret 95 njerëz në Tibet

    Të paktën 95 njerëz kanë vdekur dhe 130 janë lënduar nga një tërmet i fuqishëm që e goditi rajonin bjeshkor të Tibetit të martën në mëngjes, raportojnë mediat shtetërore kineze.

    Shumë njerëz të tjerë kanë ngecur nën rrënoja të shtëpive dhe ndërtesave në këtë rajon në perëndim të Kinës.

    Mediat shtetërore raportuan se 1.000 shtëpi janë dëmtuar në Tibet.

    Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj dhe në pjesë të Indisë.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 7.1 ballësh dhe goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina e regjistroi tërmetin si 6.8 ballësh.

    Epiqendra e tërmetit ishte rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, i cili shtrihet në kufirin mes Kinës dhe Nepalit. Kjo zonë është sizmologjikisht aktive, pasi aty përplasen mes vete pllakat nëntokësore të Indisë dhe Eurazisë.

    Rreth 50 lëkundje u dëgjuan në tri orët pas tërmetit, dhe zona turistike e Malit Everest në anën kineze u mbyll si pasojë.

    Rreth 1.500 zjarrfikës dhe shpëtimtarë janë dërguar për t’i kërkuar njerëzit e ngecur nën rrënoja, sipas Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave. Gjithashtu, 200 ushtarë iu bashkuan operacionit të kërkimit, raportojnë mediat shtetërore.

    Lideri i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë e tyre.

    Ndërkohë, në Nepal, autoritetet u kërkuan zyrtarëve në zonën bjeshkore në afërsi të epiqendrës të shikojnë nëse ka viktima apo dëme.

    Qendra Kombëtare e Operacioneve Emergjente në Kathmandu raportoi se njerëzit në verilindje të Nepalit e ndien tërmetin, por nuk kishte njoftime të menjëhershme për lëndime apo dëme në shtëpi./REL

  • Tërmet në zonën Prizren-Kukës, Sizmologu Mustafa jep detaje

    Një tërmet me magnitudë 2.9 sipas shkallës Rihter, ka goditur territorin e Kosovës dhe Shqipërisë më 06.01.2025 nё ora 20:22.

    Kёshtu ka njoftuar Shemsi Mustafa nga Rrjeti Sizmologjik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës.

    Sipas tij, epiqendra e këtij tërmeti ishte 18.5 km në Jugperëndim të Prizrenit dhe 11.5 km në Verilindje të Kukësit, në fshatin Rapçë

    Ai ka thёnё se tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e zonës Jugperëndim të Kosovës.

    “Ky sizmicitet nuk e kishte potencialin të rrezikon qytetarët apo ndonjë dëm material për shkak të forcës se ulët, njëherësh këto termete dëshmojnë për zonën sizmogjene të Prizrenit që është zonë aktive e cila në të ardhmen mund të gjeneron tërmete me magnitudë më të madhe, ashtu sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”- ka thёnё Mustafa.

    Një tërmet me 2.6 shkallë të Rihterit ka goditur Kosovën në orët e pasditёs të së hёnёs, më 06.01.2024.

    Qendra Sizmologjike Europiane e Mesdheut (EMSC) ka njoftuar se tërmeti është ndjerë në afërsi të kufirit mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

    Thellësia e tërmetit ishte 8 km.