Ballina

Etiketë: Suharekë

  • Policia jep detaje për rastin e sulmit të nxënësve nga qeni në Shkollën në Shirokë të Suharekës

    Policia në Suharekë e ka asgjësuar qenin, që hyri në Shkollën Fillore e të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në Shirokë, më 22.01.2025 dhe i sulmoi katër nxënës.

    Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës, në Raportin e saj 24-orësh. Sipas njoftimit, Policia e asgjësoi qenin duke përdorur armën zyrtare në drejtim të tij.

    Sipas Policisë, dyshohet se pranari i qenit, i cili u arrestua menjëherë pas rastit, e ka lënë pa përkujdesje qenin.

    “Zyrtarët policorë janë ballafaquar me rrezikun nga qeni, i cili u është vërsulur edhe zyrtarëve policorë. Me qëllim të eliminimit të rrezikut, një zyrtar policor ka përdorur pajisjen zyrtare (armën zyrtare) në drejtim të qenit – duke e asgjësuar qenin.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 23.01.2025.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 09:40 dhe dyshohet se qeni ka qenë i tërbuar. Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi se dy prej nxënësve të sulmuar u dërguan në Spitalin Rajonal të Prizrenit, kurse dy të tjerë janë trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë.

    Drejtoresha e Shkollës “17 Shkurti”, Hidajete Bytyqi i ka thënë KALLXO.com se nxënësit të cilët u sulmuan nga qeni janë të klasës së parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë.

    Shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Hekuran Veçgishti ka thënë se dy nxënësit e Shkollës Fillore “17 Shkurti”, të cilët i kanë pranuar kanë pasur disa plagë në trup.

    “Janë përpunu plagët te na. Prej tyre, një është liru, një është pranu në Repartin e Infektives për trajtim të matutjeshëm.” – ka thënë Veçgishti, më 22.01.2025.

    Gjatë kohës së pushimit të gjatë, nxënësit kanë dalë jashtë hapësirës së Shkollës “17 Shkurti”, për të blerë ushqim dhe më pas qeni i ka ndjekur pas kthimit të tyre në shkollë – sipas Bytyqit.

    “Knej rrugës duke ardhë (pasi kanë ble ushqim) i ka ndjekë ai qeni, deri në oborr të Shkollës. Fëmija tuj vrapu, edhe ai ka hy me atë fëmijë. E ka sulmu atë vajzën të parën. Kanë qenë kujdestarët, po ata derën e kanë mbyllë menjëherë. E kemi neutralizu, mos me lanë prapë me dalë jashtë – derisa erdhën Policia.” – ka treguar Bytyqi, më 22.01.2025.

    Kurse, drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani ka thënë se e ka vizituar Shkollën “17 Shkurti”, nxënësit që janë sulmuar, si dhe familjen e nxënëses më të sulmuar nga qeni.

    Rasti është iniciuar, si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. KALLXO.com e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prizren në lidhje me të arrestuarin dhe është në pritje të përgjigjeve.

  • Detaje nga Policia: Përveç nxënësve, qeni sulmoi edhe disa policë – arrestohet pronari

    Disa nxënës dhe disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime, pasi janë sulmuar nga një qen i cili kishte hyrë brenda objektit të shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës.

    Policia ka dhënë detaje për ngjarjen duke njoftuar se rasti është raportuar, më 22.01.2025, rreth orës 09:50 minuta.

    Dy nxënës kanë marrë lëndime nga sulmi i qenit dhe janë duke marrë trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Një nxënëse e lindur në vitin 2017 ka lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit – thekson Policia për KALLXO.com.

    Ndërkaq, sipas PK-së, dy nxënës kanë marrë lëndime të lehta gjatë ikjes.

    “Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë. Kur kanë arritur në shkollë kanë vërejtur një qen brenda shkollës, i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët, mirëpo në shpejtësi është asgjësuar – duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm.” – ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.

    Tutje, ai njoftoi se Policia ka ndihmuar nxënësit të dërgohen në urgjencë për mjekim e ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, në lidhje me rastin në fjalë.

    Për ngjarjen është njoftuar Prokurori kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-ja si dhe është identifikuar pronari i qenit dhe i njëjti është arrestuar.

    Rasti është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Policia shton se Njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin.

  • Qeni hyn brenda një shkolle në Suharekë, sulmon një nxënës

    Një nxënës ka marrë lëndime trupore, pasi është sulmuar nga një qen.

    KALLXO.com mëson se në një Shkollë fillore në Shirokë të Suharekës, më 22.01.2025, një qen ka hyrë brenda objektit të shkollës dhe në korridor ka sulmuar një nxënës.

    Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës.

    Vesel Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, i ka thënë KALLXO.com se nxënësi i lënduar tashmë është dërguar në Spital për trajtim mjekësor.

    “Policia ka intervenuar menjëherë pas marrjes së informatës dhe ka neutralizuar qenin.” – tha Gashi për KALLXO.com.

    Tutje, ai shtoi se rasti po vazhdon të trajtohet edhe më tutje.

  • Suharekë – Vdes një burrë në veturë teksa po shkonte te mjeku

    Një burrë raportohet se derisa ishte duke shkuar për të kërkuar tretman mjekësor, pasi nuk ishte ndier mirë me shëndet, gjatë rrugëtimit kishte mbetur i shtrirë në veturë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

    Rasti ka ndodhur në Suharekë, më 21.01.2025.

    Mjeku kujdestar me të arritur në vendin e ngjarjes ka konstatuar se viktima kishte pësuar sulm kardiak në zemër dhe e kishte konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.

    Me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë iu është liruar familjarëve.

  • Gjendet i vdekur një person në Grejkoc të Suharekës

    Një burrë është gjetur i vdekur në rrugën “Përparimi” në fshatin Grejkoc të Suharekës, të hënën, më 20.01.2025, rreth orës 10:30. 

    Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Sipas Bytyqit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

    “Më datën 20.01.2025, rreth orës 10:30 nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Suharekë, policia ka marr imformatën se në rrugën “Përparimi” në Fshatin Grejkovc është gjetur një person pa shenja jetë. Viktima është mashkull i lindur në vitin 1954 nga fshati Grejkovc, Suharekë”- ka deklaruar Bytyqi për KALLXO.com. 

    Bytyqi thotë se nga deklaratat e familjarëve dhe mjekëve kujdestarë besohet se viktima ka pasur vdekje natyrale, ngase, sipas tyre, nuk ka pasur shenja dhune dhe se po ashtu i njëjti ka vuajtur nga disa sëmundje kronike.