Ballina

Etiketë: Suedi

  • BBC: Burri i cili dogji Kuranin qëllohet për vdekje në Suedi

    Një burrë i cili shkaktoi protesta të dhunshme, pasi dogji Kuranin është qëlluar për vdekje në Suedi – sipas raporteve të mediave lokale – përcjell media britanike BBC.

    Salwan Momika, 38 vjeç, raportohet të jetë vrarë në një apartament në Södertälje, Stokholm, të mërkurën në mbrëmje.

    Trazirat shpërthyen pasi Momika i vuri zjarrin një kopje të librit të shenjtë të Islamit, jashtë xhamisë qendrore të Stokholmit, në vitin 2023.

    Momika dhe partneri i tij u akuzuan në lidhje me djegien e Kuranit, por vendimi që do të jepej të enjten, u shty pasi “u konfirmua se njëri nga të pandehurit kishte vdekur” – tha Gjykata e Qarkut të Stokholmit.

    Policia e Stokholmit i tha transmetuesit shtetëror SVT News se një burrë rreth të 40-ave u gjet i qëlluar në një apartament dhe më vonë vdiq./ BBC

    Përgatiti: Florinda Kelmendi – KALLXO.com 

  • Suedia synon të dërgojë të dënuar në Burgje jashtë vendit

    Suedia mund të dërgojë kriminelë për të vuajtur dënimet e tyre në Burgjet jashtë vendit – tha një Komision i emëruar nga Qeveria, më 29.01.2025.

    Ky shtet po përballet me vështirësi në menaxhimin e kapaciteteve në Burgje, për shkak të rritjes së numrit të të burgosurve të rinj – rritje që lidhet me një valë të krimeve të bandave.

    “Ka nevojë të punohet për gjetjen e zgjidhjeve të reja brenda Shërbimit të Burgjeve.” – tha ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer, gjatë një Konference për media.

    Strommer tha se Suedia veçse është në bisedime me shtetet e tjera, për marrjen me qira të Burgjeve të tyre, pa përmendur emrat e shteteve.

    Nga shtetet evropiane, edhe Danimarka – duke dashur të lehtësojë situatën me mbipopullimin e Burgjeve të saj – ka arritur Marrëveshje me Kosovën për të marrë me qira 300 qeli në Burgun në Gjilan. Megjithatë, kjo Marrëveshje 10-vjeçare, nga e cila Kosova do të përfitojë rreth 200 milionë euro, ende nuk ka nisur së zbatuari.

    Ndryshe Suedia po përballet me rritje të krimeve të bandave – krime që janë rritur në dy dekadat e fundit. Ky shtet është në mesin e shteteve me numrin më të lartë për kokë banori të dhunës me armë në Evropë.

    Me miratimin e Ligjeve të reja dhe rritjen e personelit dhe buxhetit, Policia suedeze ka korrur sukses në luftën kundër bandave dhe në dy vjetët e fundit ka pasur më pak të shtëna vdekjeprurëse e më shumë dënime.

    Përderisa ky sukses është mirëpritur, Sistemi i Burgjeve të shtetit është mbingarkuar. Sipas të dhënave të fundit, që i përkasin vitit 2023, Gjykatat suedeze kanë dënuar persona në një total prej pothuajse 200.000 muajsh burgim, që paraqet një rritje prej 25% me vitin paraprak dhe dyfishim krahasuar me dënimet e shqiptuara më 2014.

    Burgjet dhe Qendrat e Paraburgimit në Suedi janë në kapacitete të plota dhe Shërbimi i Burgjeve ka thënë se i duhen rreth 27.000 shtretër të rinj deri më 2033.

    Mattias Wahlstedt, kreu i Komisionit, tha se nuk ka pengesa ligjore që Suedia të marrë me qira qeli jashtë vendit, por propozimi për një gjë të tillë duhet fillimisht të miratohet nga Parlamenti./REL