Ballina

Etiketë: Substanca narkotike

  • Siguruan nga Shqipëria mbi 49 kg marihuanë dhe e fshehën në Suharekë – Aktakuzë ndaj katër personave

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë kundër të pandehurve M.M., N.U., S.S. dhe N.K., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale: “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Bëhet fjalë për mbi 49 kilogramë substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’, të sistemuara në pesë paketime, të cilat të akuzuarit tashmë i kishin siguruar nga Shqipëria dhe i kanë fshehur në fshatin Greikoc të Suharekës.

    Sipas Aktakuzës, të pandehurit M.M., N.U., S.S. dhe N.K., deri më 20.04.2024, pa autorizim posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi substancën narkotike e kishin siguruar nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e kishin fshehur në fshatin Greikoc – Komuna e Suharekës, në shtëpinë e të pandehurit S.S., e cila gjendet në rrugën “8 Martirët”.

    “Të njëjtën substancë narkotike ia ofrojnë për shitje dy personave në njërën prej Pompave të derivateve, në rrugën e transitit në Prizren, ashtu që derisa të pandehurit N.K., M.M. dhe N.U., me një person qëndrojnë në Pompën e derivateve, i pandehuri S.S., me personin tjetër, blerësin potencial shkojnë në fshatin Greikoc në shtëpinë e të pandehurit S.S., për ta verifikuar substancën narkotike, me ç’ rast sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren, kontrollohet shtëpia e S.S., ku Policia gjen 49 kg e 750 gram substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’, të sistemuara në 5 (pesë) paketime.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.

    Po, sipas njoftimit, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së Aktakuzës i ka propozuar Gjykatës, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Ferizaj, arrestohet një i dyshuar, Policia i gjeti kokainë, armë dhe mbi 19 mijë euro

    Policia në Ferizaj ka arrestuar të dyshuarin Q.T., ndaj të cilit ka iniciuar rast për përfshirje në veprat penale – shitblerje e narkotikëve dhe – armëmbajtje pa leje. 

    Policia njofton se me aktvendim të prokurorit, Q.T. është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Policët në koordinim me Prokurorinë e Ferizajt më 10.01.2025, në orët e pasditës kanë kryer kontrolle në një shtëpi dhe objekte përcjellëse.

    Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit i kanë gjetur substancë që dyshohet se jetë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 842.9 gr.

    “Kjo substancë është gjetur në shtëpi dhe një pjesë e groposur në kopsht. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të shkurta (njëra me leje), katërdhjetë fishekë, një peshore digjitale, 19,288 euro, disa kartela bankare dhe dëshmi tjera që do të përdoren në procedura të mëtejme ligjore” – thuhet në njoftimin e Policisë më 10.01.2025.

    Më tej, Policia thotë se operacioni policor është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik përkrahur nga zyrtarë policorë të Stacioni Policor-Ferizaj.

    Foto: Policia e Kosovës
    Foto: Policia e Kosovës