Ballina

Etiketë: Sokol Plakolli

  • Përmes performancës artistike drejt Kuvendit të Kosovës

    Aktori Sokol Plakolli është kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës i Koalicionit për Familjen.

    I veshur me rroba tradicionale, Plakolli e ka gjetur një vend në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në të cilin thotë se çdo ditë, për një orë, deri në fund të fushatës zgjedhore, do të ulet e të bisedojë me qytetarët në sofrën e vendosur aty.

    Duke i qerasur me nga një kafe, në odën e tij të improvizuar, ai shpalos para kalimtarëve arsyet dhe synimet e tij për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 09.02.2025.

    Plakolli ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se e ka nisur kampanjën “Shqiptari në parlament” që të marrë opinionet e qytetarëve rreth platformës së tij për deputet. Ai thotë se do të jetë zëri i qytetarëve, pasi sipas tij, ai do të veprojë si një deputet i pavarur.

    “Dua që t’i pyes qytetarët se a kanë qejf me pa një kësi shqiptari në Parlament, herë është bari, herë Adem Jashari, e herë intelektual. Unë kam vetëm një premtim për qytetarët, telefoni im do të jetë i hapur 24 orë për shqetësimet e qytetarëve. Secili qytetar që ka një shqetësim dhe dëshiron ta ngritë në Kuvend përmes meje”- tha ai për KALLXO.com.

    Mënyra e Plakollit për të bërë fushatë përmes performancës artistike është pëlqyer nga qytetarët.

    Blerim Saramati tha për KALLXO.com se po i pëlqen mënyra e Plakollit për të bërë fushatë zgjedhore. “Mënyra kaq origjinale e odës shqiptare është një ide kaq kreative e Sokolit e cila besoj se duhet të mbështetet nga të gjithë”- ka thënë Saramati për KALLXo.com.

    Ndërkaq, Milazim Krasniqi thotë se Plakolli është një kandidat serioz me edukatë dhe nëse zgjidhet deputet ai e mban atë që thotë.  “Është edhe regjisor i mirë dhe shteti nuk i ka dhënë asnjëherë mundësi me punu dhe jam i lumtur që Sokolin me pa në Parlament (deputet) me këto rroba, sepse njerëzit që frikohen apo e ndjejnë veten të ofenduar prej origjinës apo autoktonisë së vet ata janë të zhveshur nga jeta njerëzore”- tha Krasniqi.

    Plakolli është pjesë e listës zgjedhore të Koalicionit për Familjen.

    Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 09.02.2025.

    Foto: KALLXO.com.
    Foto: KALLXO.com.