Ballina

Etiketë: Skenderaj

  • Rrahje në mes të miturve në Skenderaj, u përdor edhe thika

    Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten, më 23.01.2025, ka arrestuar një person të mitur në Skenderaj, pasi që i njëjti është përleshur fizikisht me dy të mitur të tjerë.

    Sipas Policisë gjatë përleshjes është përdorur edhe një thikë, ndërsa lëndime trupore ka pësuar i dyshuari, si dhe viktimat, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.

    Me vendim të Prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Një grua në Skenderaj raporton se vajza e saj është zhdukur

    Një grua në Skenderaj ka raportuar në Policinë e Kosovës se nuk e di vendndodhjen e vajzës së saj.

    Ajo ka raportuar se vajza e saj ka dalë nga shtëpia, më 22.01.2025 dhe nuk e di se ku është ajo.

    Ky rast, i cili është inicuar si “person i zhdukur”, është duke u hetuar nga Policia e Kosovës.

  • Skenderaj, akuzohet se e rrahu një 6-vjeçar, Gjykata e dënoi me dënim me burg pedagogun

    Gjykata Themelore e Mitrovicës – dega në Skenderaj e ka dënuar me dënim me burg prej 90 ditësh të pandehurin Z.F., i akuzuar se kishte sulmuar një fëmijë të moshës 6-vjeçare, të dëmtuarin A.B.

    Gjyqtar i lëndës ishte Valon Hajdini.

    Siç njofton Gjykata, rasti ka ndodhur më 11.09.2024 rreth orës 17:00 në rrugën “Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj, saktësisht pranë kopshtit të fëmijëve “Foleja”.

    I pandehuri, i cili sipas dosjes e ka të përfunduar Fakultetin e Pedagogjisë Sociale, punëtor në kopshtin “Foleja” në Skenderaj, kishte dalë nga objekti dhe e kishte rrahur fëmijën me pretendimet se ky i fundit i ka goditur pandërprerë xhamat e kopshtit.

    “I pandehuri me dashje e përdor forcën ndaj personit tjetër dhe atë e ka sulmuar viktimën e ndjeshme, fëmijën e moshës gjashtëvjeçare – të dëmtuarin A.B. në atë mënyrë që pasi që viktima ka qenë duke drejtuar biçikletën me shokët e tij pranë kopshtit, i pandehuri del nga objekti i kopshtit dhe godet me shuplakë në faqe si dhe dy herë mbrapa në kokë, me pretendimet se viktima i ka goditur pandërprerë xhamat e kopshtit dhe përkundër që i ka tërhequr vërejtjen disa herë”- thuhet në aktgjykim.

    Tutje, Gjykata njofton se me mbështetje dhe pëlqim të të pandehurit dënimi me burg i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën 1,300 euro, të cilin dënim i pandehuri është i obliguar që ta paguajë brenda afatit prej tre muajsh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    “Në rast se i pandehuri dënimin e zëvendësuar me gjobë nuk e paguan brenda afateve të caktuara nga gjykata, atëherë e njëjta do të zëvendësohet me dënim me burgim siç përcaktohet me nenin 43 par.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke iu përllogaritur njëzet euro të dënimit me gjobë, ekuivalent me një ditë burgim”- theksohet në aktgjykimin e Gjykatës së Mitrovicës.

    Sipas aktgjykimit të lëshuar më 19.12.2024, i pandehuri Z.F. ka kryer veprën penale – sulm.

    Çka thuhet në aktakuzën e Prokurorisë?

    Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë më 04.10.2024 pranë Gjykatës së Mitrovicës – dega Skënderaj ndaj të pandehurit Z.F. për shkak të veprës penale – sulmi.

    Si rrodhi procedura penale?

    Më 20.11.2024 Gjykata ka mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar. Të pranishëm ishin prokurori Shaqir Sedolli, i pandehuri Z.F., mbrojtësi i tij, Liman Tahiraj, përfaqësuesi ligjor – prindi i të dëmtuarit A.B., A.B. dhe zyrtarja nga Qendra për Punë Sociale, Mirjeta Veliu.

    I pandehuri Z.F. është deklaruar se e pranon në tërësi fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

    I pandehuri shtoi se pranimin e fajësisë e bën në mënyrë vullnetare, pa imponim, sinqerisht i kërkon falje palës së dëmtuar dhe përfaqësuesit ligjor të tij – prindit A.B., duke i premtuar Gjykatës se në të ardhmen do jetë më i kujdesshëm dhe nuk do të përsërisë veprime të tilla.

    Arsyeja e goditjes, sipas tij, ka qenë se paraprakisht i ka tërhequr vërejtjen fëmijës mirëpo nuk ka dëgjuar dhe po të thyhej ai xham do të kushtonte 500 euro dhe në qoftë se i kishte goditur fëmijët xhami i thyer, pasojat do të ishin më të rënda.

    Prokurori Shaqir Sedolli i propozoi Gjykatës që pranimi i fajësisë të përdoret si masë lehtësuese për të pandehurin ndërsa si rrethanë rënduese të merret se ky i fundit me profesion është pedagog dhe përkundër këtij fakti ka kryer vepër penale ndaj 6-vjeçarit.

    “I propozoj Gjykatës që të aprovojë këtë pranim fajësie, kërkoj nga Gjykata që të njëjtit t’i shqiptojë një sanksion penal me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit, ndërsa me rastin e caktimit dhe llojit të dënimit si rrethanë lehtësuese të marrë për bazë pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit, kërkim faljen e shprehur ndaj palës së dëmtuar dhe prindit të tij në seancën e shqyrtimit fillestar, kurse si rrethana rënduese të marrë parasysh se i njëjti me profesion është pedagog dhe punon me fëmijë edhe përkundër këtij fakti ka kryer vepër penale ndaj fëmijës, viktimë e ndjeshme e moshës 6-vjeçare”- ka thënë Sedolli.

    Përfaqësuesi ligjor-prindi i palës së dëmtuar A.B. ka deklaruar se pajtohet me deklarimin e prokurorit të shtetit, teksa nuk pranoi kërkim faljen nga i pandehuri.

    “Pasi që i njëjti fëmijën tim nuk e ka rrahur para kamerave, por e ka qitë prapa banesave. Kur ka ardhur fëmija im në shtëpi ka qenë i traumatizuar dhe të dy nevojat fiziologjike i ka pasur të kryera, andaj këto janë arsyet që nuk pranoj kërkim faljen nga i pandehuri”- tha ai në seancën fillestare.

    Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Liman Tahiri, ka thënë se si masë lehtësuese duhet të merret pendimi i thellë i klientit të tij e gjithashtu fakti se ai nuk ka qenë më i parë i dënuar.

    “I pandehuri pas konsultimit të mjaftueshëm me mua si mbrojtës i tij ka kuptuar pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, pranimin e fajësisë e bëri në mënyrë vullnetare andaj Gjykatës i propozoj që ta aprovojë këtë pranim të fajësie kurse si rrethana lehtësuese të merren pendimi i thellë i tij, po ashtu faktin se i njëjti më parë nuk ka qenë i dënuar e po ashtu kërkim faljen ndaj palës së dëmtuar”- tha ai.

    Gjykata njofton se ka shqyrtuar pranimin e fajësisë të cilin e ka deklaruar i pandehuri Z.F. e në mbështetje të nenit 242 par.6 të KPP-së vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për pranimin e fajësisë nga i pandehuri Z.F.

    Tutje Gjykata ka bërë të ditur se i kishte tërhequr vërejtjen të pandehurit se pas pranimit të fajësisë nuk mund të shfrytëzojë të drejtën në ankesë për shkak të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike. I njëjti është njoftuar se nëse e pranon fajësinë e humb mundësinë e kundërshtimit të provave në aktakuzë dhe mundësinë për paraqitjen e provave të tjera si dhe për faktin se pranimi i fajësisë, sipas ligjit, është rrethanë lehtësuese që me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit, Gjykata mund të marrë si rrethanë lehtësuese.

  • Skenderaj – Arrestohet i dyshuari që publikoi foto me armë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në fshatin Lubavec të Skenderajt, pasi që i njëjti kishte postuar një fotografi me armë në rrjetet sociale – sipas Raportit 24-orësh të Policisë.

    I dyshuari me pas ka dorëzuar në Polici armën së bashku me një karikator dhe pesë fishekë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti në rrjete sociale kishte postuar një foto me pistoletë. Lidhur me rastin personi i dyshuar e ka dorëzuar armën së bashku me një karikator dhe pesë fishekë.” – thuhet në Raportin e Policisë.

    Ndërsa, pas intervistimit me vendim të Prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 15:10, më 08.01.2025.

    Policia këtë rast e ka klasifikuar si vepër penale: “armëmbajtje pa leje”.

  • Të shtënat për Vitin e Ri, goditet me predhë një banesë në Skenderaj

    Një person nga Skenderaj ka raportuar në Polici se më 01.01.2025 një predhë ka goditur banesën e tij.

    “Ankuesi ka raportuar se gjatë natës, dyshohet nga të shtënat për ndërrimin e mot-moteve një predhë i ka goditur xhamin e dritares së banesës së tij”, thuhet në raportin e Policisë, më 02.01.2025.

    Rasti po hetohet nga njësitet policore.