Ballina

Etiketë: Shtepia e bardhe

  • Trump fton Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë – thotë Izraeli

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për një takim në Shtëpinë e Bardhë, më 04.02.2025 – ka thënë Zyra izraelite të martën.

    “Netanyahu është lideri i parë i huaj i cili është ftuar në Shtëpinë e Bardhë në mandatin e dytë të Trumpit.” – është thënë në deklaratë.

    Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e ka konfirmuar ftesën dhe ka thënë se takimi do të realizohet “në fillim të javës tjetër”.

    “Hollësitë do të bëhen publike kur të finalizohen.” – ka thënë ky zyrtar.

    Takimi mes Trumpit dhe Netanyahut vjen pasi Presidenti amerikan ka deklaruar se është përgjegjës për arritjen e armëpushimit në mes të Izraelit dhe Hamasit në Gazë, pas disa muajve të negociatave të pasuksesshme.

    Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

    Përgjatë mandatit të parë Trump ka thënë shpesh se Izraeli “nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë” dhe kjo gjë është pohuar shpesh nga Netanyahu.

    Pak pas nisjes së mandatit të dytë, Trump e ka miratuar dërgimin e 2.000 bombave në Izrael, ndonëse ish-presidenti Joe Biden nuk pati lejuar diçka të tillë.

    Netanyahu e ka përshëndetur Trumpin që i ka ofruar Izraelit ato që i ka konsideruar “pajisje” për të mbrojtur veten./REL

  • Hillary Clinton, George Soros dhe Denzel Washington ndër të dekoruarit me medaljen më të lartë civile

    Ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, filantropi demokrat George Soros, si dhe aktori dhe regjizori Denzel Washington marrin medaljen më të lartë civile në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.

    Presidenti Joe Biden do t’u japë Medaljen Presidenciale të Lirisë 19 personaliteteve të politikës, sporteve, industrisë së argëtimit, grupeve të të drejtave civile, aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe të shkencave.

    Shtëpia e Bardhë tha se të dekoruarit kanë dhënë “kontribut shembullor për begatinë, vlerat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara, paqen ndërkombëtare dhe përpjekje të tjera domethënëse shoqërore, publike dhe private”.

    Katër personalitete do të nderohen pas vdekjes: Fannie Lou Hamer, e cila themeloi Partinë Demokrate në Mississippi dhe përgatiti terrenin për Ligjin e të Drejtës së Votës së vitit 1965; ish-prokurori i përgjithshëm dhe senatori Robert F. Kennedy; George W. Romney, i cili shërbeu si guvernator i Miçiganit dhe sekretar për strehimin dhe zhvillimin urban; si dhe Ash Carter, ish-sekretar i mbrojtjes.

    Kennedy ishte babai i Robert F. Kennedy Jr., tashmë i emëruar nga presidenti i zgjedhur Donald Trump në postin e sekretarit të shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore. Romney është babai i ish-senatori republikan të shtetit Utah, Mitt Romney, i cili është një ndër konservatorët më kritikë ndaj presidentit të zgjedhur Trump.

    Ndër filantropët që po nderohen me medalje janë: shefi spanjollo-amerikan i kuzhinës, Jose Andres, organizata e të cilit “World Central Kitchen” është bërë ndër organizatat më të njohura të ndihmave në botë; si dhe Bono, ish-anëtari i grupit të muzikës rock U2 dhe aktivist për drejtësinë sociale.

    Ndër yjet e sportit dhe industrisë së argëtimit që vlerësohen me medalje janë: lojtari i futbollit Lionel Messi; ish-lojtari legjendar i ekipit të basketbollit “Los Angeles Lakers”, Earvin “Magic” Johnson; aktori Michael J. Fox, që shërben si aktivist për punën kërkimore për sëmundjen Parkinson; si dhe William Sanford Nye, i njohur nga disa breza studentësh si “njeriu i shkencës Bill Nye”.

    Ndër personalitetet e tjera janë: aktivistja për mbrojtjen e mjedisit Jane Goodall; kryeredaktorja e hershme e revistës “Vogue Magazine”, Anna Wintour; stilisti amerikan i modës Ralph Lauren; themeluesi i Institutit Amerikan të Filmit, George Stevens Jr.; sipërmarrësi dhe aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, Tim Gill; si dhe David Rubenstein, bashkëthemelues i firmës globale të investimeve “The Carlyle Group”.

    Një vit më parë, Presidenti Biden dha Medaljen Presidenciale të Lirisë për 19 persona: për aktivistin për të drejtat civile Medgar Evers (pas vdekjes); për ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi; ligjvënësin James Clyburn, nga Karolina e Jugut dhe aktoren Michelle Yeoh./VoA