Një foshnjë ka ardhur në jetë në një barkë të stërmbushur emigrantësh, që po kalonin nga Afrika në Ishujt Kanare gjatë kësaj jave, kanë bërë të ditur gardat bregdetare spanjolle – ka raportuar transmetuesi BBC.
Ato kanë publikuar një fotografi të djalit të porsalindur, i cili është shpëtuar bashkë me nënën dhe dhjetëra emigrantë të tjerë.
Lundra e stërmbushur ishte vërejtur së pari më 06.01.2025, afër ishullit Lanzarote.
Ekipet e kërkim-shpëtimit besojnë se emigrantët kishin arritur me barkë pak pas lindjes së gruas, në ditën kur Spanja po festonte festën në të cilën fëmijëve tradicionalisht u jepen dhurata.
Kapiteni i ekipit të shpëtimit ka thënë se e dinin se kishte një grua shtatzënë në barkë, por u habitën kur morën vesh se “foshnja kishte lindur para 10, 15 ose 20 minutash”.
Domingo Trujillo ka thënë se kur arritën te barka, nëna ishte shtrirë, derisa foshnjën po e mbante një pasagjer tjetër.
Me këshillën e mjekut, foshnja dhe nëna janë dërguar me helikopter në Spitalin e Lanzarotes. Autoritetet nuk kanë raportuar për komplikime të tjera.
“Duke qenë Dita e Tre Mbretërve, kjo ishte dhurata më e mirë që mund të merrnim.” – ka deklaruar komandanti i helikopterit, Alvaro Serrano Perez – raporton Reuters.
Kalimi i oqeanit nga Afrika drejt Ishujve Kanare është jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Më shumë se 46 mijë emigrantë pa dokumente e kanë rrahur këtë rrugë së paku vjet për të arritur në ishuj – kanë treguar të dhënat e Qeverisë spanjolle.
Dita e festës së krishterë të Epifanisë, që feston vizitën e Magit te Jezusi, zakonisht e njojhur si Tre Mbretërit ose Burrat e Urtë, festohet goxha shumë në Spanjë.
Fëmijët lustrojnë këpucët e tyre para asaj që njihet si “El Dia de los Teyes” (Dita e Mbretërve) dhe i lënë gati për Tre Mbretërit, Melchoir, Caspar dhe Balthazar, që t’i fusin dhuratat në to.
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com