Ballina

Etiketë: Shqipëri

  • Shqipëri, sekuestrohen 10 milionë dollarë në kriptomonedha të vëllezërve Çopja

    Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se janë sekuestruar të paktën 10 milionë dollarë në kriptomonedha, të cilat i përkisnin dy vëllezërve nga Elbasani, Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët dyshohet të kenë drejtuar një prej organizatave më të rrezikshme e më të fuqishme në vend.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, vendosja nën sekuestër i portofoleve me kriptomonedha u bë e mundur falë “një bashkëpunimi të ngushtë me një kompani globale të njohur në menaxhimin e kriptovalutës ‘stablecoin’ si dhe një exchange të njohur në rang botëror, i cili menaxhon asete të ndryshme kriptovalutash”, si dhe prej koordinimit të veprimeve me Europol-in si dhe autoritetet policore në Belgjikë, Hollandë dhe Spanjë përgjatë periudhës nga 25 nëntori 2024 deri më 15 janar të këtij viti.

    Grupi i vëllezërve Çopja u godit në fund të muajit korrik të vitit të kaluar, kur u lëshuan 33 urdhëra arresti. Prej tyre 13 u ekzekutuan në Shqipëri, 2 persona ishin arrestuar më herët jashtë vendit. Pjesa tjetër prej disa kohësh e kishte lënë Shqipërinë.

    Hajdar Çopja dyshohet se gjendet në Dubai, ku deri në vitin 2023 kishte qëndruar dhe vëllai i tij Franc, derisa u ekstradua drejt Belgjikës. Të dy dyshohen për një seri vrasjesh, tentativa vrasjeje, pastrim parash si dhe në vjedhjen e 10 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në vitin 2019.

    Disa llogari rrjedhëse dhe dhjetëra pasuri të paluajtshme, pjesa dërrmuese nën emra të bashkëpunëtorëve të tyre, u sekuestruan disa muaj më parë. Bëhet fjalë për kompani, vila dhe apartamente në zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, si dhe sipërfaqe të mëdha trojesh nga Tirana deri në pjesë të ndryshme të bregdetit të vendit.

    Në mes të arrestuarve në korrik të vitit të kaluar ishin dhe pronarët e një pike këmbimi valutor në qendër të Tiranës, Bashkim Lika dhe Maklen Mici, të cilët dyshohen se ofronin shërbime financiare për organizatën e vëllezërve Çopja.

    Në atë kohë, Europol do të njoftonte se gjatë operacionit të zhvilluar nga autoritetet shqiptare ishte “arrestuar një figurë e rëndësishme në pastrimin e parave me qendër në Tiranë, i cili i ka ofruar shërbimet e tij grupeve të ndryshme kriminale të nivelit të lartë, të përfshirë në rrafsh ndërkombëtar, në vrasje, korrupsion e trafik droge në shkallë të gjerë”.

    Hetimet e mëtejshme bënë të mundur, disa muaj më vonë, realizimin e një operacioni tjetër nga autoritetet e 6 vendeve të ndryshme, falë të cilit u godit një rrjet kriminal që vepronte si një bankë e nëndheshme, për të qarkulluar dhe pastruar të ardhurat nga trafiku i drogës në shkallë të gjerë e nga krime të tjera të rënda.

    Në njoftimin e Europol-it për këtë rast theksohej se i arrestuari në Shqipëri “po lehtësonte transferimin e shumave të mëdha parash përmes kriptomonedhave. Kjo mënyrë është përdorur jo vetëm nga bota kriminale shqiptare, por edhe nga organizata të tjera kriminale dhe përbën një qasje të re për pastrimin e parave”./VOA

  • Operacioni në Shqipëri e Itali, goditet një grup i trafikut të kokainës

    Një hetim i përbashkët i Prokurorisë së Brescia-s në Itali dhe Prokurorisë së Posaçme shqiptare, çoi në goditjen e një grupi që merrej me trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut në Itali dhe shtete të tjera të Europës qendrore. Operacioni për ekzekutimin e 12 urdhërave të arrestit dhe 8 masava të tjera të sigurisë u realizua gjatë të martës nga policitë e të dy vendeve. Në Shqipëri u arrestuan 5 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Një tjetër arrestim u realizua nga policia spanjolle.

    Në krye të grupit ishin dy vëllezër shqiptarë, të cilat konsiderohen pjesë e organizatës kriminale së drejtuar nga vëllezërit Çela, personazhe të njohur të botës së krimit, nga Elbasani. Ata mendohet se drejtonin të gjitha operacionet që nga importi i kokainës, te shpërndarja e saj dhe mbledhja e të ardhurave të cilat përfundonin më pas në Shqipëri.

    Hetimet, mësohet të kenë nisur, në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u zbulua një rrjet i shpërndarjes së kokainës, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali. Ato u zhvilluan nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescia-s dhe SPAK-ut.

    Sipas Prokurorisë së Posaçme “pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rindërtuar organigrama e organizatës italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Dy vëllezërit shqiptarë, jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia-s dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë”. Sipas Prokurorisë shqiptare “kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia – Elbasan”.

    Anëtarët e organizatës kanë përdorur telefona të “kriptuar”. Ka qenë analiza e bisedave mes tyre që ka zbuluar përfshirjen e tyre në trafikun e qindra kilogramëve lëndë narkotike, kryesisht kokainë. “Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë”, bën të ditur Prokuroria e Posaçme./ VOA

  • Fier, Policia zbulon lokalin ku organizoheshin lojërat e fatit

    Policia e Shtetit ka arritur që përmes rrugëve të saj operative të zbulojë në Fier një objekt brenda të cilit organizoheshin lojërat e palejuara me ligje në Shqipëri.

    Dy persona janë arrestuar në lidhje me këtë rast ndërsa 2 të tjerë do të ndiqen për vepër penale.

    Sipas policisë, njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me njësinë për  Mbështetjen Operacionale të Hetimit në Fier, kanë evidentuar një rast të vënies së basteve sportive, nëpërmjet aparateve celulare dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Game over 2”.

    Në këtë lokal janë sekuestruar tre aparate celulare në të cilët u gjetën faqe të basteve sportive me shuma të konsiderueshme në lekë dhe euro dhe biseda për vendosjen e llotove sportive.

    Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 31 vjeç dhe A. M., 23 vjeç, banues në Fier, si edhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. M., 41 vjeç dhe M. M., 60 vjeçe.

    Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara nga shërbimet e Policisë,  shtetasit e arrestuar u kapën në flagrancë, në lokalin në pronësi të shtetases M. M. dhe djalit të saj A. M., në lagjen “11 Janari”, Fier, duke vënë baste sportive, me celularët e tyre, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.

  • Moti i keq, pezullohet përkohësisht mësimi në 77 Shkolla në Shqipëri

    Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri ka informuar se për shkak të situatës së rënduar nga moti i keq, rekomandimeve të autoriteteve përgjegjëse për emergjencat civile, si dhe raportimet nga Zyrat vendore arsimore, më 13 janar 2025, pezullohet përkohësisht procesi mësimor në 77 Shkolla në qendër dhe Shkollat e tyre vartëse, ku reshjet e dendura të dëborës dhe kushtet e vështira të motit e bëjnë të pamundur zhvillimin e procesit mësimor.

    Problematike paraqitet situata në disa Shkolla në zonat e Bulqizës, Matit, Dibrës, Krujës, Hasit, Kukësit, Mirditës, Kurbinit, Pukës etj. Procesi mësimor në këto Shkolla pezullohet deri në një njoftim të dytë dhe do të zëvendësohet në javët në vijim.

    Ky vendim është marrë për të garantuar sigurinë e nxënësve, mësuesve dhe personelit arsimor në zonat më të prekura nga moti i keq.

    Më poshtë lista e Shkollave, ku pezullohet përkohësisht mësimi deri në një njoftim të dytë:

    Shkolla “Abdyrrahman Përmeti”, Mat
    Shkolla “26 Korriku”, Bruç, Urakë, Rremull, Rukaj, Mat
    Shkolla “Rexhep Kërtuka”, Mat
    SHMB Zall- Dardhë, Dibër
    Shkolla 9-vjeçare “Hasan Leka” Shumbat, Dibër
    Shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Gjorgji” Radomirë, Dibër
    Shkolla 9-vjeçare, Selishtë, Dibër
    Shkolla 9-vjeçare “Fiqiri Cani”, Lishan i Poshtëm, Dibër
    SHMB” Ajet Ndreu”, Sllovë, Dibër
    Shkolla “Arbëria”, Bulqizë
    Shkolla “Rifat Manjani”, Bulqizë
    Shkolla “Shefqet Tançi”, Bulqizë
    Shkolla “Xhevdet Doda”, Bulqizë
    Shkolla “Asllan Keta”, Bulqizë
    Shkolla “Demokracia”, Bulqizë
    Shkolla “Ismail Jangulli”, Bulqizë
    Shkolla “Jashar Kola”, Bulqizë
    Shkolla “Ibrahim Daçi”, Bulqizë
    Shkolla “Man Jella”, Bulqizë
    Shkolla Gjoricë e Sipërme, Bulqizë
    Shkolla “Faslli Cami”, Bulqizë
    Shkolla “Elez Koçi”, Bulqizë
    Shkolla “Shaban Elmaz Ostreni”, Bulqizë
    Shkolla “10 Dëshmorët”, Bulqizë
    Shkolla “Jani Fullani”, Bulqizë
    Shkolla e Bashkuar, Shishtavec, Kukës
    Shkolla 9 vjeçare, Kalimash,Kukës
    Shkolla 9-vjeçare, Mamëz, Kukës
    Shkolla 9 vjeçare, Orogjost, Kukës
    Shkolla 9-vjeçare, Cinamakë, Kukës
    Shkolla “Shën Mëri”, Kukës
    Shkolla e bashkuar, Zapod, Kukës
    Shkolla 9-vjeçare, Malqene, Ujmisht, Kukës
    Shkolla e Bashkuar, Bushtricë, Kukës
    Shkolla 9-vjeçare, Helshan, Has
    Shkolla 9-vjeçare, Letaj, Has
    Shkolla 9-vjeçare, Metaliaj, Has
    Shkolla 9-vjeçare, Fajza, Has
    Shkolla, Metaliaj, Has
    Shkolla e mesme e bashkuar, Golaj, Has
    Shkolla “Sejdi Dida”, Has
    Shkolla 9-vjeçare, Vlahen, Has
    Shkolla 9-vjeçare, Nikoliq, Has
    Shkolla 9-vjeçare, Tregtan, Has
    69-Shkolla e mesme “Skënderbeu”, Has
    Shkolla e bashkuar “Mark Jaku”, Pukë
    Shkolla e Bashkuar “Nikoll Lleshi”, Gjegjan, Pukë
    Shkolla, Iballë, Pukë
    Shkolla, Perlat – Qendër, Mirditë
    Shkolla 9-vjeçare ”Mark Trokthi”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare ”Gjin Pjetri”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare Nr.3, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Gjokë Elezi”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Gjon Gjonaj”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Migjeni”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Besnik Syla”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Demokracia”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Ismail Dema”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Dan Bajrami”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Fran Pal Piroli”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare Milot, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “28 Nëntori”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Cub Çapani”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare, Shullaz, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare, Skuraj, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Nikë Tom Prela”, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare, Adriatik, Kurbin
    Shkolla 9-vjeçare “Nikoll Miri”, Kurbin
    Gjimnazi “At Shtjefën Gjeçovi”, Kurbin
    Gjimnazi “Arif Halil Sulaj”, Mamurras,
    Gjimnazi “At Shtjefën Kurti”, Gorre
    Gjimnazi, Milot
    Shkolla “Hamdi Mansaku”, Tiranë
    Shkolla “Bahri Nela”, Tiranë
    Shkolla “Zenel Bastari”, Tiranë
    Shkolla “Vilëz”, Tiranë
    Shkolla SHMB “Shëngjergj”, Tiranë/TCH

  • Veriu i Shqipërisë përfshihet nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës

    Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës kanë përfshirë gjatë ditës së sotme të gjithë zonën malore në veri të Shqipërisë, duke krijuar probleme në qarkullimin rrugor, por edhe në jetesën e mijëra banorëve.

    Autoritetet njoftuan se, për shkak të reshjeve të dendura të borës, është ndërprerë qarkullimi në disa prej akseve të rëndësishme rrugore si aksi rrugor Fushë Arrëz-Iballë, aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër dhe aksi rrugor Kir- Shosh në Bashkinë e Shkodrës. Të bllokuara mbeten edhe një numër i madh i rrugëve rurale në Bashkitë: Shkodër, Pukë, Fushë-Arrëz, Kukës dhe Dibër.

    Gjatë paradites së sotme, më 12.01.2025, ka patur vështirësi në qarkullimin e automjeteve përgjatë Rrugës së Kombit, në segmentin nga Tuneli i Kalimashit deri në pikëkalimin kufitar të Morinës.

    10 borëpastruese, të firmave kontraktore, punojnë pa ndërprerje në këtë segment të rëndësishëm rrugor, që lidh Shqipërinë me Kosovën, në përpjekje për të shmangur bllokimin dhe lehtësuar lëvizjen e automjeteve dhe udhëtarëve. Borëpastrueset po punojnë edhe në akset e tjera rrugore, si atë Bogë-Theth dhe në Vermosh të Malësisë së Madhe.

    Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike dhe rreziqeve te mundshme, Policia ka shtuar praninë e efektivëve të Policisë rrugore dhe patrullave të përgjithshme në segmentet më problematike – me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën për përdoruesit e rrugës në nevojë.

    Temperaturat e ulëta, era e fortë dhe reshjet e dëborës kanë krijuar probleme edhe në furnizimin me energji elektrike. Thuajse të gjitha Bashkitë e zonës veriore raportuan gjatë ditës së sotme ndërprerje të energjisë. OSHEE njoftoi se grupet e saj të specialistëve ndodhen në terren për riparimin e defekteve, por vazhdimi i reshjeve të dëborës dhe stuhitë e erës e kanë vështirësuar së tepërmi punën për riparimin e shpejtë të linjave të dëmtuara të energjisë.

    Zona malore në veri të Shqipërisë përballet, thuajse çdo vit, me vështirësitë e shkaktuara nga moti gjatë periudhës së dimrit. Terreni malor, bllokimi i herëpashershëm i rrugëve që lidhin fshatrat me rrugët kombëtare, shoqëruar me nivelin e lartë të varfërisë dhe investimet e pakta, në krahasim me pjesën tjetër të vendit, vazhdojnë të nxisin largimin e banorëve, sidomos të rinjve, drejt zonave të ulëta të vendit dhe emigrimit.

    Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, përgjatë periudhës 2011-2023, Qarku i Shkodrës ka pësuar një rënie të popullsisë me 28.3%, ndërsa Qarku i Kukësit me 27.3% – duke regjistruar kështu rënien më të madhe të popullsisë përgjatë 12 vjetëve të fundit./VOA