Ballina

Etiketë: Shqipëri

  • Tiranë, SPAK-u kërkon konfiskimin e pasurive të Ervis Martinajt

    Duke e cilësuar si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi sot Gjykatës së Posaçme të konfiskojë pasuritë e Ervis Martinajt, të sekuestruara dy vjet më parë.

    Në fillim të vitit 2023 Prokuroria e Posaçme nisi hetimin pasuror ndaj Martinajt, si i dyshuar për “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, si dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunim të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.

    Prokuroria ka renditur 31 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të Martinajt nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me të, duke i quajtur si të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe të dyshuara se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.

    Në listën e pronave janë përfshirë 3 subjekte si dhe 8 shoqëri dhe aksione në to, pesë automjete, një llogari bankare, 567 metër katrorë apartamente në Vlorë, Kurbin e Tiranë dhe një vilë në periferi të kryeqytetit, 4 hektarë toka në Sarandë, Kurbin e Tiranë, mbi 1 hektarë ullishte në Dhërmi e Tiranë si dhe njësi shitore 137 metër katrorë në kryeqytet.

    Ervis Martinaj është zhdukur prej disa kohësh, ndërsa dyshohet se është një figurë e njohur e krimit të organizuar, ndaj është lëshuar një urdhër arresti për të.

    Emri i tij ka dalë edhe në hetimet e disa vrasjeve dhe përpjekjeve për vrasje, ku dyshohet të jetë përfshirë Martinaj, hetime gjatë të cilave Prokuroria e Posaçme arrestoi korrikun e vitit të kaluar ish drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit Xhevair Lita, ish drejtorin e Forcës Operacionale të Policisë Oltion Bistri, sipërmarrësin Pëllumb Gjoka, ish shefa e punonjës policie dhe emra të njohur të botës së krimit./VOA

  • Mbajtën të mbyllur një grua – Arrestohet një person në Tiranë, disa të tjerë në kërkim – VIDEO

    Policia e Shqipërisë ka njoftuar se u arrestua një prej personave të dyshuar për mbajtjen mbyllur të qytetares S.Q., më 09.1.2025 në Astir.

    I arrestuari është E.B 36 vjeçar nga Tirana, i cili sipas Policisë ka pasur raste penale të mëherëshme.

    E.B dyshohet se së bashku me disa të tjerë, të shpallur në kërkim mbajtën të mbyllur S.Q.

    “Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Shtetit.

    Për veprime të mëtejme, materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë.

  • Shqipëri, kapet një prej të dyshuarve për kontrabandimin e naftës nga Tunizia

    Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë ndaluar njërin nga organizatorët e kontrabandimit nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë.

    I ndaluari është E. S., 59 vjeç, banues në Durrës.

    59-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B. (aktualisht në kërkim), ka organizuar kontrabandimin me anije, nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë, nëpërmjet fshehjes së sasisë, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit lundrues.

    “Gjatë operacionit “Ari i zi”, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 5, të gjithë pjesëtarë të ekuipazhit të anijes”- thuhet në njoftimin e policisë shqiptare më 26.01.2025.

    Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B., si dhe hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

  • Goditet rrjeti i drogës nga Shqipëria, Bullgaria, Kolumbia dhe Spanja, 6 tonë kokainë dhe 6 milionë euro të sekuestruara

    Organizata policore europiane e luftës kundër krimit “Europol” tha se në bashkëpunim me autoritetet spanjolle shkatërroi një rrjet të gjerë të trafikut të drogës duke sekuestruar 6 tonë kokainë dhe 6 milionë euro.

    Sipas Europol nga një hetim që përfshiu Bullgarinë, Kolumbinë, Kosta Rikën dhe Panamanë, nisur në qershor të vitit 2022, u zbulua se anëtarët e rrjetit ishin shtetas nga Shqipëria, Bullgaria, Kolumbia dhe Spanja, të cilët organizuan trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga vendi i origjinës në Evropë.

    Sipas Europol secili prej anëtarëve të organizatës mori rol të ndryshëm brenda zinxhirit të trafikut të drogës.

    “Anëtarët shqiptarë, me qendër në Dubai, vepruan si investitore dhe siguruan financat e nevojshme për të paguar prodhuesit për dërgesat nga Kolumbia”, thotë Europol, ndërsa shtetasit kolumbianë trajtonin dërgesat nga Kolumbia në Evropë, shtetasit bullgarë, kolumbianë dhe spanjollë mbikëqyrnin marrjen dhe shpërndarjen e mëtejshme të drogës.

    Nga hetimet policore, siaps Europol, ka rezultuar se anëtarët e rrjetit u fshehën në një kontejner për të hyrë fshehurazi në port dhe me ndihmën e punëtorëve të korruptuar nxorrën kokainën gjatë natës. Europol thotë se anëtarët e rrjetit pastronin të ardhurat nga krimet e tyre dhe sipas policsë rrjeti kriminal kishte kapacitet për të marrë deri në një ton kokainë në javë.

    Në tetor 2024, autoritetet kapën 4.1 ton kokainë në Panama, me destinacion Spanjën, në lidhje me këtë rrjet.

    Sipas Europol rrjeti dyshohet se është i lidhur me konfiskimet e kokainës me një total prej rreth gjashtë tonësh. Gjithashtu, autoritetet e zbatimit të ligjit kishin sekuestruar edhe dy ton kokainë në Spanjë që nga fillimi i hetimeve.

    Në rezultatet e aksionit, të realizuar në tre faza, midis dhjetorit 2024 dhe janarit 2025 Europol thotë se janë kryer 22 arrestime në Spanjë si dhe 27 bastisje shtëpish.

    Europol thotë se krahas sasive të drogës sekuestroi 6.5 milionë euro cash, 35 automjete, përfshirë 8 makina luksoze (vlerësuar rreth 2.5 milionë euro), orë luksoze dhe stoli (vlerësuar rreth 1.5 milionë euro) 48 armë si dhe 53 llogari bankare të ngrira nëpër banka.

    Siaps Europol rritja e dërgesave të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, si dhe depërtimi i rrjeteve kriminale në biznese të ligjshme dhe të paligjshme në Bashkimin Europain nxiti krijimin e një Task Force Operacionale në Europol.

    Europol tha se koordinoi gjatë hetimit, shkëmbimin e informacionit midis autoriteteve kombëtare, duke i bashkuar ato për të synuar në mënyrë efikase të gjithë rrjetin e trafikut të drogës./VoA

  • Reagime pasi Serbia dëbon 13 aktivistë të shoqërisë civile, përfshirë shqiptarë

    Serbia ka dëbuar 13 shtetas të huaj, të cilët po merrnin pjesë në punëtori për organizatat joqeveritare nga nëntë shtete të ndryshme. Autoritetet në Beograd i kanë ndaluar dhe më pas dëbuar ata në natën mes 21 dhe 22 janarit, duke cilësuar se ata paraqisnin “kërcënim për sigurinë”.

    Në mesin e tyre ishin edhe dy shtetas të Shqipërisë.

    Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ajo e Jashtme, e as nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se konkretisht çfarë kërcënimi përbënin personat e dëbuar.

    Fondacioni Erste, i cili është ndër organizatorët e punëtorisë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë tha se më 21 janar, vonë në mbrëmje, autoritetet serbe kanë marrë në pyetje 13 pjesëmarrës nga nëntë vende, pas së cilës atyre iu ndalua hyrja në Serbi për një vit.

    Nga ky fondacion theksuan se as ata, as Akademia për Organizatat Joqeveritare e Universitetit të Vjenës për Ekonomi dhe Biznes nuk janë informuar për arsyet e dëbimit.

    “Ky incident është jashtëzakonisht shqetësues. Së bashku me partnerët tanë po vazhdojmë të ndjekim me kujdes situatën. Thellësisht na vjen keq që pjesëmarrësit e punëtorive tona u desh të kalonin nëpër një përvojë të tillë dhe ritheksojmë përkushtimin tonë ndaj shoqërisë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore”, u tha në njoftimin e Fondacionit Erste.

    Nga ky fondacion thanë se programet e tyre organizohen që nga viti 2013, disa prej tyre kanë qenë në Beograd dhe janë mbajtur pa asnjë problem.

    Reagime nga BE-ja, Shqipëria dhe vendet e rajonit

    Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për këtë ngjarje, duke e ftuar Serbinë që të respektojë të drejtat e njeriut, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

    “Ne jemi të shqetësuar për arrestimin dhe dëbimin nga Serbia të aktivistëve paqësorë të shoqërisë civile që vijnë nga vendet anëtare të BE-së dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, me pretendimin se paraqesin kërcënim për sigurinë. Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë demokratike. Këto janë vlera në themele jo vetëm të BE-së, por janë edhe kyçë për të ardhmen e Serbisë si një vend kandidat dhe për qytetarët e sajë”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel.

    Blloku evropian porositi Serbinë se masat që ndërmerr në interes të sigurisë kombëtare duhet të jenë në përputhje me kornizën ligjore vendëse dhe evropiane.

    “Masat e tilla nuk duhet të rezultojnë me kufizimin e lirive individuale, përfshirë edhe të qytetarëve të huaj”, u tha nga BE-ja.

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka konfirmuar se dy shtetas shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile që po merrnin pjesë në ngjarjen në Beograd, u ndaluan dhe më pas u dëbuan nga Serbia.

    Për këtë ngjarje, kjo ministri ka ftuar në bisedë ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Sllobodan Vukçeviq.

    Gjatë takimit është shprehur shqetësimi serioz për dëbimin e dy shtetasve shqiptarë, tha Ministria e Jashtme shqiptare.

    “Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka ndikim negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”, u tha në reagimin e ministrisë shqiptare.

    Dy të rinjtë, përfaqësues të dy organizatave në Tiranë, thanë për mediat në Shqipëri se u ndaluan nga policia serbe në momentin kur po ktheheshin në hotelin ku kishin qëndruar gjatë punëtorisë. Ata thanë se u shoqëruan në stacion policor ku u është dhënë një dokument, i shkruar në gjuhën serbe, dhe janë njoftuar se duhet të largohen menjëherë nga vendi dhe nuk mund të hyjnë në Serbi për një vit.

    Edhe Kroacia ka reaguar për këtë ngjarje, duke thënë se pesë qytetarët e saj u dëbuan nga Serbia. Zagrebi ka thënë se ata ishin në shënjestër të sulmeve nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi dhe mediave të afërta me të, që akuzojnë studentët, gazetarët dhe aktivistët nga Kroacia për organizim të protestave në Serbi.

    Kroacia i ka dërguar notë proteste Serbisë dhe ka këshilluar shtetasit e saj të shmangin udhëtimet drejt këtij shteti.

    Por, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka akuzuar autoritetet kroate për një reagim “të papërshtatshëm”, duke deklaruar se shtetasit kroatë janë trajtuar “në përputhje me procedurat ligjore dhe praktikën e zakonshme ndërkombëtare”.

    Ana Kovaçiq nga Kroacia ishte një nga pjesëmarrëset në ngjarjen në Beograd, që u dëbua nga Serbia.

    Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ajo tha se rreth mesnatës të 21 janarit, në hollin e hotelit iu afruan policë.

    “Ishin me rroba civile, na treguan distinktivët. Thanë diçka, nëse e mbaj mend mirë, në kuptimin që janë policia për të huajt, dhe na kërkuan që të prisnim për pak kohë në holl. Pastaj na morën tre nga tre, me një makinë pa shenja, dhe na dërguan në stacionin e policisë Novi Beograd”, tregoi ajo.

    Reagime për dëbime nga pasur edhe nga Rumania. Ministria e Jashtme rumune po ashtu tha se një shtetas i saj, pjesëtar i shoqërisë civile, u dëbua nga Serbia, pasi mori pjesë në ngjarjen në Beograd. Kjo ministri tha se autoritetet serbe nuk kanë dhënë shpjegim për këtë ngjarje.

    Ndërkaq, një grup i organizatave joqeveritare në Serbi, përmes një deklarate të përbashkët, kërkoi që shteti t’iu kërkojë familje përfaqësuesve të shoqërisë civile që u arrestuan dhe dëbuan “dhe menjëherë të shfuqizohet vendimi i turpshëm” i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë

    “Trajtimi frikacak, i paligjshëm dhe i poshtër ndaj kolegëve nga sektori civil nga vendet fqinje është një përpjekje e rrezikshme për të forcuar narrativin e agjentëve të huaj, mercenarëve dhe shërbimeve të fshehta, me qëllim frikësimin e qytetarëve të Serbisë”, u tha në deklaratë.

    Dëbimet e shtetasve të huaj nga Serbia ndodhën në kohën kur ky vend po përballet me protesta masive antiqeveritare, të udhëhequra nga studentët, të cilët kanë bllokuar më shumë se 60 universitete shtetërore.

    Zyrtarë të lartë shtetërorë, pa ofruar dëshmi, kanë pretenduar se bllokadat nga studentët dhe protestat, po organizohet nën ndikimin e shërbimeve perëndimore të inteligjencës, me qëllimin për të rrëzuar nga pushteti presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Studentët protestues vazhdimisht kanë mohuar këto pretendime./REL