Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar lokacionin për ndërtimin e xhamisë në fshatin Shkabaj.
Me 32 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar lokacionin për ndërtimin e xhamisë në fshatin Shkabaj dhe për ndërtimin e një institucioni parashkollor në këtë fshat.
Për këtë, Drejtori i Urbanizmit në Prishtinë, Arbër Sadiki, tha se parcela e ndarë për ndërtimin e këtyre dy institucioneve është ende nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), por se thotë se ky vendim i Asamblesë është një parakusht për të pasur mundësi për ta blerë Komuna nga AKP-ja.
Ndonëse Drejtori i Pronës, Florent Maliqi, nuk ishte i pranishëm në seancë, drejtori Sadiki tha se që nga muaji korrik i vitit të kaluar, ekziston një komunikim mes Komunës së Prishtinës dhe AKP-së ku Komuna ka shprehur vullnetin të blejë parcelën.
“Është hapi i parë për të pasë mundësi ligjërisht me e posedu atë pronë, me qenë destinim publik dhe ne sot po e bëjmë destinimin publik”- tha Sadiki.
Ndonëse kjo pikë e rendit të ditës u kalua për votim nga asamblistët, kritika mori nga asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili deklaroi se janë duke bërë një veprim që siç thotë ai, kanë mundur ta bëjnë shumë më herët.
Për këtë, Sveçla përmendi zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen pas disa javësh, e për çka thotë se këto vendime të komunarëve po bëhen për qëllime elektorale.
“Sot, po e bëjmë një veprim që kemi mujt shumë më herët me e bo, por shyqyr jemi në zgjedhje e i ka ardhë radha me e bo sot. Është përcaktimi i lokacionit, veç po e caktojmë që në ato parcela ka me u ndërtu dikund xhamia, dikund institucioni parashkollor, për shkak së nuk mundemi me nda parcela, të cilat janë në pronësi të dikujt tjetër, s’jem pronarë ne të atyre parcelave”- theksoi Sveçla i VV-së.
Poashtu, asamblisti tjetër nga AKR në Prishtinë, Gëzim Mehmeti tha se për shkak të mungesës së ndarjeve kadastrale në këtë projekt, meqenëse pronësia nuk është e Komunës, do të ketë vonesa për çështjen e ndërtimit.
“Mungojnë ndarjet kadastrale, po shihet që pronësia nuk është pronë e Komunës së Prishtinës, është pronë, e cila duhet një marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe Agjencisë, e cila është kompetente në këtë rast, kjo ka me e zgjatë çështjen e ndërtimit, sepse duhet në aspektin ligjor të merret në konsideratë, por si iniciativë duhet të përshëndetet”- tha Mehmeti.
Ai shtoi se banorët e kësaj zone duhet të jenë të informuar se në aspektin kohor, përfundimi i këtoj projekti mund të zgjasë.
Përndryshe, KALLXO.com, më 30.05.2024, raportoi për mungesën e lejes së xhamisë në fshatin Shkabaj, e cila shkaktoi tensione e përplasje mes banorëve dhe Policisë.
Edhe pse nuk kishin leje për ndërtim, kjo nuk kishte ndaluar disa banorë të cilët kanë mbledhur para në mënyrë vullnetare dhe kanë nisur ndërtimin e një xhamie në këtë fshat.
Policia kishte asistuar Inspektoratin në rrëzimin e themelit të saj, e cila pretendohet nga banorët se u nis pa leje.
Raportimet e ekipit të KALLXO.com për këtë ngjarje, mund t’i lexoni në këtë LINK.