Donald Trump i trimëruar ka deklaruar me të bërë betimin se “rënia e Amerikës ka marrë fund”, duke premtuar goditje ndaj emigracionit të paligjshëm dhe duke e portretizuar veten si shpëtimtar të zgjedhur nga Zoti për të shpëtuar kombin e lëkundur amerikan, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
“Për qytetarët amerikanë, 20 janari 2025 është Dita e Çlirimit”, ka deklaruar Trump, 78-vjeç, brenda Rotondës së Kapitolit amerikan, simboli i demokracisë amerikane që u pushtua më 6 janar 2021 nga një turmë e mbështetësve të Trumpit pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden.
Inaugurimi kulmoi me kthimin triumfues të një përçarësi politik, i cili u fajësua dy herë, u mbijetoi dy tentativave për vrasje, u dënua në një gjyq penal dhe u përball me akuza për përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Ai është presidenti i parë qe më shumë se një shekull që fiton një mandat të dytë pas humbjes së presidencës së Shtëpisë së Bardhë dhe i gjykuari i parë me fajtor që merr timonin e Shtëpisë së Bardhë.
“Më shpëtoi Zoti për t’ia kthyer Amerikës madhështinë”
“Unë u shpëtova nga Zoti për t’ia kthyer Amerikës madhështinë” – ka deklaruar Trumpi të hënën, duke iu referuar plumbit të atentatorit që ia gërvishti veshin në korrik 2024.
Trumpi ka përshkruar një seri urdhrash gjithëpërfshirës ekzekutivë që ai planifikon të nënshkruajë menjëherë që të frenojë emigracionin, për të rritur prodhimin e karburanteve fosile dhe për të rikthyer rregulloret mjedisore, hapat e parë në miratimin e një agjende me ndikim të gjerë që do të riformësonte qeverinë ndërsa teston kufijtë e autoritetit presidencial.
Ai ka theksuar se do të shpallë emergjencë kombëtare në kufirin jugor me Meksikën, do të dërgojë trupa atje dhe do të rikthejë një politikë që i detyron emigrantët azilkërkues të presin në Meksikë për seancat e tyre gjyqësore në SHBA – e gjithë kjo si një prelud i asaj që e përshkroi si një operacion të paprecedentë për të dëbuar miliona emigrantë.
“Të gjitha hyrjet e paligjshme do të ndalen menjëherë dhe ne do të fillojmë procesin e kthimit të miliona e miliona të huajve kriminelë në vendet nga kanë ardhur” – ka deklaruar ai, ndërsa kolegët republikanë duartrokitën dhe demokratëve u ndryshoi çehrja.
Menjëherë pas inaugurimit, autoritetet kufitare amerikane njoftuan se i dhanë fund një programi të Bidenit që lejonte qindra mijëra emigrantë të hynin legalisht në SHBA duke caktuar një seancë gjyqësore.
Zbutja e fjalëve
Fjalimi gjysmë ore u bëri jehonë disa temave që i rrahu në inaugurimin e tij të parë më 2017, kur foli për “kërdinë amerikane” që ai tha se kishte shkatërruar vendin.
Ndërsa Trump u përpoq ta portretizonte veten si paqebërës dhe unifikues, fjalimi i tij shpesh ishte ashpërsisht partizan, shkruan Reuters. Ai përsëriti pretendimet e rreme nga fushata e tij se vendet e tjera po zbrazin burgjet e tyre në Amerikë dhe shprehu ankesa të njohura dhe të pabaza për hetimet penale ndaj tij.
Me Bidenin të ulur aty pranë, duke shprehur një buzëqeshje të lehtë, Trump pati akuza për politikat e paraardhësit të tij nga emigracioni deri te punët e jashtme.
“Ne kemi një qeveri që ka dhënë fonde të pakufizuara për mbrojtjen e kufijve të huaj, por refuzon të mbrojë kufijtë amerikanë, ose më e rëndësishmja, njerëzit e saj” – ka deklaruar Trump.
Drejtues të shumtë të teknologjisë që kanë kërkuar të fitojnë favore me administratën e ardhshme – duke përfshirë tre njerëzit më të pasur në botë, shefi ekzekutiv i Teslas dhe SpaceX, Elon Musk, ai i Amazon, Jeff Bezos dhe i Meta-s, Mark Zuckerberg – kishin vende të spikatura në skenë, pranë kandidatëve të kabinetit qeveritar dhe anëtarëve të familjes së Trumpit.
Trump ka thënë se do të dërgonte astronautë në Mars, duke bërë që Musk – i cili ka folur prej kohësh për kolonizimin e planetit – të ngrejë grushtet me emocione në skenë.
Donald Trump u zotua të ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës dhe përsëriti synimin e tij për të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë, një nga disa deklarata të politikës së jashtme që kanë shkaktuar shqetësim mes aleatëve të SHBA-së.
Trump nuk do të vendosë menjëherë tarifa të reja ndaj Kanadasë, Kinës dhe Meksikës, siç është zotuar të bëjë, ka theksuar një zyrtar i Trumpit, shkruan Reuters. Disa nga urdhrat ekzekutivë ka të ngjarë të përballen me sfida ligjore./Reuters
Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com