Ballina

Etiketë: ShBA

  • Zelensky: Trump t’ia mbajë anën Ukrainës, Putini nuk i frikësohet Europës

    Ukrainës i duhen garanci më të mëdha sigurie dhe presidenti rus Vladimir Putin nuk i frikësohet Europës – ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për Fox News, në një intervistë ku i kërkoi presidentit amerikan Donald Trump të mbajë anën e Ukrainës – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Trump, i cili mori detyrën më 20.01.2025, ka premtuar se shpejt do t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë, por pa treguar sesi. Këshilltarët e tij kanë sugjeruar se arritja e Marrëveshjes mund të marrë muaj të tërë. Trump ka shprehur gatishmërinë për të folur me Putinin për përfundimin e luftës – një kontrast me Administratën e ish-presidentit demokrat Joe Biden, i cili e shmangu liderin rus.

    Fitorja zgjedhore e Trumpit në nëntor ngjalli shpresën për zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Moska, që filloi në shkurt 2022, por gjithashtu shtoi frikën në Kiev se Marrëveshja e menjëhershme e paqes mund të ketë një çmim të lartë për Ukrainën.

    “Ne duam që ai (Trump) të jetë në anën e drejtësisë, në anën e Ukrainës.” – ka deklaruar Zelensky në intervistën e transmetuar të martën mbrëma, më 28.01.2025, sipas kohës lokale amerikane. “Putini nuk ka frikë nga Europa”.

    Zelensky ka shtuar se Ukraina nuk mund ta pranojë pushtimin rus, por preferoi zgjidhje diplomatike.

    Shtëpia e Bardhë nuk doli me asnjë koment të menjëhershëm.

    Pas fillimit të pushtimit rus Shtetet e Bashkuara nën Bidenin i dhanë mbi 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën – duke përfshirë mbi 60 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë. Nuk është e sigurt nëse ndihma do të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe nën Trumpin.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Trump fton Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë – thotë Izraeli

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për një takim në Shtëpinë e Bardhë, më 04.02.2025 – ka thënë Zyra izraelite të martën.

    “Netanyahu është lideri i parë i huaj i cili është ftuar në Shtëpinë e Bardhë në mandatin e dytë të Trumpit.” – është thënë në deklaratë.

    Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e ka konfirmuar ftesën dhe ka thënë se takimi do të realizohet “në fillim të javës tjetër”.

    “Hollësitë do të bëhen publike kur të finalizohen.” – ka thënë ky zyrtar.

    Takimi mes Trumpit dhe Netanyahut vjen pasi Presidenti amerikan ka deklaruar se është përgjegjës për arritjen e armëpushimit në mes të Izraelit dhe Hamasit në Gazë, pas disa muajve të negociatave të pasuksesshme.

    Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

    Përgjatë mandatit të parë Trump ka thënë shpesh se Izraeli “nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë” dhe kjo gjë është pohuar shpesh nga Netanyahu.

    Pak pas nisjes së mandatit të dytë, Trump e ka miratuar dërgimin e 2.000 bombave në Izrael, ndonëse ish-presidenti Joe Biden nuk pati lejuar diçka të tillë.

    Netanyahu e ka përshëndetur Trumpin që i ka ofruar Izraelit ato që i ka konsideruar “pajisje” për të mbrojtur veten./REL

  • Trump thotë se Microsoft-i është në bisedime për blerjen e TikTok-ut

    Presidenti amerikan, Donald Trump u tha gazetarëve se kompania Microsoft është në bisedime për blerjen e TikTok-ut – duke shtuar se do të dëshironte të shihte një betejë ofertash për këtë aplikacion.

    Kompania e teknologjisë, Microsoft nuk ka komentuar për këtë pohim të Trumpit. As TikTok e as ByteDance, që ka pronësi aplikacionin, nuk kanë komentuar po ashtu.

    TikTok, që ka afër 170 milionë përdorues amerikanë, përkohësisht u ndalua para se Ligji që i kërkon pronarit kinez ByteDance ta shiste ose do të ndalohej në Shtetet e Bashkuara të hynte në fuqi më 19.01.2025.

    Pasi mori mandatin e Presidentit më 20.01.2025, Trump nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv duke kërkuar shtyrjen për 75 ditë të zbatimit të Ligjit, i cili thirret në shqetësimet për sigurinë kombëtare.

    Trump tha javën e kaluar se ai ishte duke biseduar me disa njerëz lidhur me blerjen e TikTok-ut dhe do të dëshironte që Vendimi për të ardhmen e aplikacionit popullor të merrej brenda 30 ditësh.

    Presidenti amerikan ka thënë më herët se është i hapur që miliarderi Elon Musk ta blejë aplikacionin, nëse pronari i Tesla-s dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë, Musk nuk ka komentuar publikisht këtë deklaratë të presidentit Trump.

    Kjo është hera e dytë që Microsoft-i lidhet me blerjen e mundshme të TikTok-ut.

    Gjatë mandatit të parë si President, Trump kishte kërkuar që TikTok-u të ndante versionin për SHBA-në nga ByteDance – duke u thirrur në shqetësime të sigurisë kombëtare.

    Më 2020 Microsoft ishte ofertuesi kryesor, por bisedimet për blerjen e aplikacionit dështuan./REL

  • Trump njofton se mund të marrë vendim brenda 30 ditësh mbi të ardhmen e TikTok-ut

    Presidenti amerikan, Donald Trump tha të shtunën se ishte në bisedime me shumë individë për blerjen e platformës TikTok dhe ka të ngjarë të marrë një vendim për të ardhmen e aplikacionit në 30 ditët e ardhshme.

    “Kam folur me shumë njerëz për (aplikacionin) TikTok dhe ka interes të madh për TikTok-un,” u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial ‘Air Force One’ gjatë një fluturimi për në Florida.

    Më herët të shtunën, agjencia e lajmeve Reuters, raportoi se dy persona që janë në dijeni të bisedimeve, thanë se administrata e zotit Trump po punon mbi një plan për të shpëtuar aplikacionin TikTok që përfshin kompaninë amerikane të teknologjisë kompjuterike ‘Oracle’.

    Sipas marrëveshjes që po negociohet nga Shtëpia e Bardhë, kompania mëmë e rrjetit TikTok, ByteDance do të vazhdonte të kishte rol, por mbledhja e të dhënave dhe përditësimi i rrjetit do të mbikqyrej nga kompania amerikane ‘Oracle’, që aktualisht mundëson infrastrukturën për funksionimin e TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara.

    Sidoqoftë, në komentet e tij për gazetarët, zoti Trump tha se nuk kishte biseduar me shefin e kompanisë Oracle, Larry Ellison, për blerjen e aplikacionit.

    I pyetur nëse po synohej një marrëveshje me ‘Oracle’ dhe invesitorë të tjerë për të shpëtuar aplikacionin zotit Trump tha se “ Jo nuk është ‘Oracle’. Ka shumë njerëz që po flasin me mua, njerëz të rëndësishëm, mbi mundësinë për ta blerë dhe ka të ngjarë që të marr vendim në 30 ditët e ardhshme. Kongresi ka dhënë 90 ditë. Nëse mund ta shpëtoj Tiktok-un mendoj se do të ishte diçka e mirë”, tha zoti Trump./VOA

  • Pse Trumpi po tërhiqet nga OBSH-ja dhe çfarë mund të ndodhë?

    Vendimi i Presidentit Donald Trump për t’i tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk duket të ishte i papritur as për vetë organizatën dhe as Bashkimin Evropian. Tashmë ekspertët po përpiqen të parashikojnë se çfarë do të thotë kjo për programet globale të shëndetësisë që u vijnë në ndihmë shumë vendeve në zhvillim.

    Një ditë pas betimit dhe rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump filloi sërish procesin e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

    Kjo është hera e dytë që ai e bën këtë në më pak se pesë vjet.

    Shumë shkencëtarë druhen se një gjë e tillë mund të dëmtojë përparimin e shënuar në luftën ndaj sëmundjeve si SIDA, malaria dhe tuberkulozi, për të cilat është punuar për dekada të tëra.

    Po kështu ekziston shqetësimi se tërheqja nga OBSH-ja mund të dobësojë mbrojtjen e botës kundër viruseve të reja që mund të shkaktojnë pandemi.

    Kur Joe Biden mori detyrën si president, ai i bllokoi menjëherë përpjekjen e zotit Trump për të nxjerrë SHBA-në nga organizata.

    I pyetur mbi arsyet e këtij vendimi, teksa nënshkruante urdhrin ekzekutiv, Presidenti Trump tha se OBSH-ja ka detyruar SHBA-në të përballojë një barrë të padrejtë financiare:

    “Kinezët paguanin 39 milionë dollarë, ne paguanim 500 milionë. Më duket pak e padrejtë. Kur unë u largova, ata më ofruan të kthehesha për 39 milionë. Pra në teori mund të paguhet më pak se kaq. Dhe kur Biden u rikthye, u rikthye për 500 milionë. Ai e dinte që mund të ishte kthyer për 39 milionë dollarë, pasi ata na donin ne me patjetër”.

    I pyetur nëse e vlerësonte si të rëndësishëm rolin e OBSH-së si koordinator i përgjigjes globale ndaj emergjencave shëndetësore, zoti Trump u përgjigj se po, por ai shtoi se kjo gjë nuk mund të ndodhë duke rrjepur një vend si SHBA-të.

    Duke iu përgjigjur deklaratave të Presidentit Trump, zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tarik Jashareviq, bëri thirrje për negociata.

    “Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara do ta rishqyrtojnë vendimin dhe presim me padurim angazhimin në dialog konstruktiv për të ruajtur partneritetin me OBSH-në”, tha ai.

    Komisioni Evropian i bëri gjithashtu thirrje Presidentit Trump për të gjetur një zgjidhje.

    “Sa i përket efektivitetit të OBSH-së, ka gjithmonë hapësirë për përmirësim, por ne do të donim të angazhoheshim në një reformë të mundshme të OBSH-së”.

    Vendimi i Presidentit Trump nënkupton ndalim të fondeve të reja që qeveria amerikane i dërgon organizatës, si dhe tërheqjen dhe e caktimin në detyra të tjera të personelit federal dhe kontraktorëve që punojnë me OBSH-në.

    Kent Bus, i specializuar në politika shëndetësore parashikon sfida ligjore pas vendimit të Uashingtonit. Ai thotë se pakënaqësia e zotit Trump ndaj OBSH-në nuk lidhet vetëm me financimin, por dhe me atë se kush e kontrollon agjencinë.

    Programet më të rrezikuara janë ato që lidhen me poliomielitit, imunizimet, SIDË-s, sigurisë shëndetësore globale, malarien, si dhe ato që kanë të bëjnë me shëndetin e nënës dhe fëmijës.

    Por sipas zotit Buse, dëmi shkon shumë përtej programeve individuale, duke rezultuar në humbjen e një grupi të çmuar ekspertësh.

    “Shkon përtej ndikimit tek programet individuale dhe kjo për shkak të natyrës së organizatës. Është cilësisht ndryshe nga çdo organizatë tjetër shëndetësore globale. Ajo sjell ekspertë nga e gjithë bota që janë në dijeni të provave më të mira laboratorike në dispozicion”, shpjegon ai.

    Por zoti Buse, i jep të drejtë zotit Trump -në një pikë:

    “Trump ka të drejtë kur thotë se sistemi shëndetësor global dhe jo vetëm Organizata Botërore e Shëndetësisë ka një varësi shumë të pashëndetshme tek një vend dhe këto janë Shtetet e Bashkuara, dhe sipas përkufizimit ky nuk është multilateralizëm. Të gjitha vendet e grupit të BRIC-ut, përfshirë dhe ato të përfshira rishtazi, si Afrika e Jugut, mund dhe duhet të mbajnë mbi supe një barrë më të madhe financiare të diplomacisë dhe sigurisë globale shëndetësore. Dhe mendoj gjithashtu se duhet parë edhe në drejtim të vendeve të Gjirit, nuk është vetëm Kina që po rrjep botën e po i merr gjërat badihava”, shton ai.

    Nëpërmjet urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump u bëhet thirrje zyrtarëve që “të identifikojnë partnerë të besueshëm dhe transparentë si brenda Shteteve të Bashkuara dhe jashtë për të marrë përsipër programet që zbatohen nga OBSH-ja. Por zoti Buse thotë se krijimi i një alternative tjetër nuk është zgjidhje, veçanërisht në aspektin afat të shkurtër.

    Po kështu në urdhrin ekzekutiv thuhet se SHBA-të po tërhiqen “për shkak të keqpërdorimit që OBSH-ja i bëri pandemisë se COVID-19 që u shfaq nga Wuhan të Kinës si dhe krizave të tjera globale shëndetësore”. Në të përmendet “dështimi i agjencisë për të miratuar me urgjencë reformat e nevojshme si dhe “paaftësia e saj” për të dëshmuar pavarësi nga ndikimi i papërshtatshëm politik i vendeve anëtare të OBSH-së”.

    Organizata bëri disa gabime të kushtueshme gjatë pandemisë, mes tyre këshillimi i njerëzve që të mos vendosnin maska si dhe deklaratat se COVID-19 nuk përhapej nëpërmjet ajrit. Agjencia e pranoi zyrtarisht vetëm vitin e kaluar se virusi është përhapur nëpërmjet ajrit.

    Gjatë përpjekjeve për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, OBSH-ja u përball gjithashtu me skandalin më të madh të abuzimit seksual në historinë e saj. Mediat zbuluan se me dhjetëra gra kongoleze ishin ngacmuar ose dhunuar seksualisht nga punonjës të shëndetësisë të përfshirë në programet për kontrollin e Ebolës.

    Agjencia e lajmeve ‘AP’ zbuloi se menaxherë të lartë të organizatës ishin informuar për disa raste të abuzimit seksual kur ato ndodhën në vitin 2019, por bënë pak për t’i ndaluar ato apo ndëshkuar autorët./VOA