Ballina

Etiketë: ShBA

  • Zelensky kërkon garanci të sigurisë nga SHBA-ja

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se çdo garanci e sigurisë për shtetin e tij, në mënyrë që t’i jepet fund luftës me Rusinë, do të ishte kuptimplote vetëm nëse ajo do t’i jepej nga Shtetet e Bashkuara.

    Ai tha se shpreson se do të takohet shpejt me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, pas inaugurimit të tij më 20 janar.

    “Pa SHBA-në, garancitë e sigurisë nuk janë të mundura.” – tha ai në një intervistë triorëshe me Lex Fridman, që u publikua më 5 janar.

    “Po flas për garanci të sigurisë që mund ta parandalojnë agresionin rus.” – shtoi ai.

    Gjatë kësaj interviste, që u zhvillua në Kiev, Zelensky foli në gjuhën angleze, ukrainase e madje edhe ruse. Ai tha se beson se një armëpushim pa garanci të sigurisë për Kievin do të përdorej nga Kremlini si një mundësi për t’u furnizuar dhe riorganizuar për ofensiva të reja.

    Teksa përvjetori i tretë i nisjes së pushtimit rus të Ukrainës po afrohet, vdekjet dhe shkatërrimi po vazhdojnë në shumë qytete ukrainase, veçmas në lindje dhe në territorin e pushtuar nga forcat e Kremlinit, por edhe në Kursk, rajonin kufitar rus.

    Kohë të pasigurta po e presin Kievin, teksa Trump pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

    Trump, i cili ka qenë kritik për sasinë e ndihmës së ofruar amerikane për Ukrainën, vazhdimisht është zotuar se do t’i japë fund shpejt konfliktit, edhe pse për këtë ai ka dhënë pak detaje. Shumë mbështetës të Ukrainës janë të shqetësuar se ai do të shtyjë përpara kushte që do të jenë të papranueshme për Kievin.

    Përpjekjet për një armëpushim janë të pashmangshme, në dritë të premtimeve të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në një periudhë të shkurtër kohore.

    Administrata në largim e presidentit, Joe Biden në katër vjetët e fundit i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër në vlerë prej afër 60 miliardë dollarësh.

    Zelensky ka një histori të gjatë dhe të vështirë me Trumpin.

    Gjykimi i parë ndaj Trumpit për shkarkimin e tij nga posti i Presidentit më 2019 u nxit nga një bisedë telefonike që ai kishte zhvilluar me Zelenskyn, në të cilin Trump dukej se kishte kushtëzuar ndihmën ushtarake amerikane në këmbim të hetimit nga Ukraina të familjes së Bidenit.

    Trump disa herë e ka kritikuar Zelenksyn. Gjatë fushatës zgjedhore, ai vazhdimisht e ka përshkruar Presidentin ukrainas si “tregtarin më të mirë në botë” – referencë për dhjetëra miliarda dollarë ndihmë që ligjvënësit e të dy partive në SHBA kanë miratuar, që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

    Megjithatë, gjatë intervistës Zelensky tha se është i bindur se Trumpi do të sjellë një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme të paqes, së bashku me garancitë e kërkuara të sigurisë.

    “Trumpi dhe unë do të arrijmë deri te një marrëveshje, të ofrojë garanci të forta të sigurisë, së bashku me Evropën dhe më pas ne mund të flasim me rusët. Ne dhe Trumpi jemi të parët dhe Evropa do të mbështesë pozicionin e Ukrainës.” – tha ai.

    “Mendoj se presidenti Trump jo vetëm që ka vullnet, por i ka të gjitha mundësitë dhe këto nuk janë vetëm fjalë”.

    “Unë vërtet llogaris në të dhe mendoj se njerëzit tanë vërtet llogarisin në të, prandaj ai ka fuqi të mjaftueshme për t’i bërë presion atij, për t’i bërë presion [presidentit rus, Vladimir] Putin.” – shtoi Zelensky.

    I pyetur se çfarë kërkon që ta shqyrtojë një armëpushim, Zelensky tha se janë garancitë e sigurisë, mundësisht përfshirja në NATO – diçka që Putin e ka kundërshtuar me forcë.

    Anëtarësimi në NATO ishte një nga argumentet fillestare që Kremlini përdori për të justifikuar luftën kundër Ukrainës.

    Për çdo marrëveshje, Zelensky tha se partnerët perëndimorë, të paktën duhet të garantojnë sigurinë në territorin ukrainas që aktualisht nuk është i pushtuar nga Rusia, të vazhdojnë mbështetjen ushtarake dhe të mbajnë në fuqi sanksionet ekonomike ndaj Rusisë.

    “Nëse nuk ka garanci të sigurisë, Putin sërish do të sulmojë.” – tha ai.

    Sipas tij, qëllimet e Putinit janë një “NATO e dobët” dhe një “Ukrainë që nuk mund të mbijetojë në fushëbetejë” dhe “të pamundësohet një raport i fortë me Trumpin”./REL

  • SHBA, priten reshjet më të mëdha të dëborës prej një dekade

    Një valë dëbore, akulli, erërash dhe temperaturat në rënie krijuan kushte të rrezikshme për udhëtimin në disa pjesë qendrore të Shteteve të Bashkuara të dielën, pasi një stuhi dimërore pritet të sjellë mundësinë e “reshjeve më të mëdha të dëborës prej një dekade” në disa zona.

    Bora dhe akulli mbuluan rrugët kryesore në pothuajse të gjithë Kansasin, Nebraskën perëndimore dhe pjesë të Indianës, ku Garda Kombëtare e këtij shteti u aktivizua për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar në makina. Pritej të paktën 20 cm dëborë, pasi Shërbimi Kombëtar i Motit qarkulloi paralajmërime për stuhi dimërore për shtetet Kansas dhe Missouri.

    Paralajmërimi u shtri edhe në New Jersey për të hënën dhe deri në orët e para të së martës.

    “Për vendet në këtë rajon që do të kenë sasitë më të mëdha të borës, mund të jenë reshjet më të mëdha në të paktën një dekadë”, tha shërbimi i motit të dielën herët.

    Rreth 63 milionë amerikanë banojnë në zonat që mund të preken të dielën, sipas specialistit Bob Oravec, me Shërbimin Kombëtar të Motit.

    Vorbulla polare e ajrit tepër të ftohtë zakonisht rrotullohet përreth Polit të Veriut. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi e përjetojnë të ftohtin e tij intensiv kur rrymat e ajrit zhvendosen drejt jugut.

    Studimet tregojnë se ngrohja e shpejtë në Arktik është pjesërisht shkaku për frekuencën në rritje të vorbullës polare që zgjeron ndikimin e saj të akullt.

    Stuhia pritet të përfshijë edhe kryeqytetin Uashington dhe rrethinat e tij.

    Shërbimi Kombëtar i Motit parashikoi nga 20 deri në 30 centimetra dëborë për zonën e Anapolisit, Maryland, me temperatura të mbetura nën zero gjatë gjithë fundjavës.

    Në një deklaratë në rrjetin X, guvernatori i Virxhinias, Glenn Youngkin shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të premten në mbrëmje përpara stuhisë dhe i inkurajoi banorët të votojnë përpara zgjedhjeve speciale që mbahen për këtë shtet të martën.

    Deklarata të ngjashme për gjendjen e emergjencës u bënë në Kansas, Kentaki, Mariland dhe në qytetet qendrore të Illinoisit.

    “Është vërtetë serioze”, tha meteorologu John Gordon në një konferencë shtypi në Louisville, Kentucky./VOA

  • Vendosen tarifa për hyrje me makinë në qendër të Nju Jorkut

    Zyrtarët e Nju Jorkut kanë vendosur tarifë për makinat që hyjnë në qendër të qytetit – masa e parë të tillë në ndonjë qytet në Shtetet e Bashkuara.

    Shoferët e makinave do të paguajnë 9 dollarë në ditë, dhe tarifa do të dallojë varësisht prej mjetit ngasës dhe orarit të qarkullimit.

    Hyrja do të jetë me pagesë në qarkun e parkut qendror, dhe pjesën e vizituar aq shumë nga turistët, rreth ndërtesës Empire State, afër Sheshit Times, dhe qarkut financiar – Ëall Street.

    Kjo skemë synon t’i zvogëlojë problemet e mëdha me trafik në Nju Jork dhe të mbledhë miliarda dollarë për rrjetin publik të transportit, ndonëse është kritikuar ashpër nga banorët e Nju Jorkut, përfshirë presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili është zotuar se do t’i japë fund kësaj skeme kur të marrë zyrtarisht pushtetin këtë muaj.

    Kundërshtime të mëdha kanë pasur edhe asociacionet e kompanive të taksive.

    Vitin e kaluar, qyteti i Nju Jorkut është shpallur qyteti me zonën urbane më të ngarkuar, për të dytin vit me radhë.

    Makinat në qendrën e qytetit, Manhatan, kanë vozitur me shpejtësi 17 kilometra në orë, në periudhën e pikut të qarkullimit/RadioEvropaeLirë/.

     

  • Clinton, Soros dhe Bono në mesin e të nderuarve me Medalje të Lirisë

    Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, miliarderi, George Soros, pjesëtari i grupit U2, Bono, aktorët, Denzel Ëashington dhe Michael J Fox, futbollisti, Lionel Messi, dhe redaktorja e revistës Vogue, Anna Ëintour, janë disa prej figurave që janë nderuar me medaljen më të lartë civile amerikane nga presidenti në shkuarje i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

    Përmes një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ata e kanë pranuar Medaljen Presidenciale të Lirisë.

    Këtë vit janë nderuar 19 persona nga bota e kulturës, politikës dhe aktivizmit.

    Shtëpia e Bardhë kanë thënë se personalitetet janë zgjedhur për “punën e mirë që kanë bërë dhe kontributin e jashtëzakonshëm për botën”.

    “Së bashku keni lënë gjurmë të pashlyeshme, e them këtë me sinqeritet, keni lënë gjurmë të pashlyeshme në shtetin tonë”, ka thënë Biden.

    Hillary Clinton ka qenë edhe kandidate e demokratëve në garën presidenciale më 2016.

    Bono, emri i vërtetë i të cilit është Paul David Heëson, është nderuar me çmimin më të lartë kulturor edhe në Francë, Ai njihet për fushën që bën kundër varfërisë dhe mbështetjen e ofruar për të infektuarit me virusin HIV.

    Shtëpia e Bardhë ka thënë se filantropi miliarder, dhe donatori i madh i demokratëve, George Soros, “ka mbështetur organizata dhe projekte nëpër botë që kanë forcuar demokracinë, të drejtat e njeriut, edukimin dhe drejtësinë sociale”.

    Nderimi me këtë medalje është traditë e krijuar prej ish-presidentit John F Kennedy.

    Çmimi jepet me diskrecion të presidentit, por edhe me këshillën që i japin panelet e jashtme.

    Në të kaluarën me këtë medalje janë nderuar sportistja Simone Biles, aktorja e shpërblyer me çmim Oscar, Michelle Yeoh dhe themeluesi i kompanisë Apple, Steve Jobs/RadioEvropaeLirë/.

  • DASH informon Kongresin mbi planet për t’i shitur Izraelit armë me vlerë 8 miliardë dollarë

    Departamenti i Shtetit informoi Kongresin mbi planifikimin për t’i shitur Izraelit armë me vlerë 8 miliardë dollarë, thonë zyrtarët amerikanë, ndërsa vendi aleat i Shteteve të Bashkuara vazhdon luftën kundër Hamasit në Gazë.

    Një pjesë e tyre mund të dërgohet nga stoqet aktuale të armëve amerikane, por për shumicën mund të duhet një ose disa vite për t’u dorëzuar, thanë dy zyrtarë amerikanë të cilën folën të shtunën në kushte anonimiteti, sepse njoftimi nuk është dërguar zyrtarisht në Kongres.

    Shitja përfshin raketa të mesme veprimi për ta ndihmuar Izraelin të mbrohet nga kërcënimet ajrore, predha artilerie prej 155 mm, raketa Hellfire AGM-114 dhe armatime të tjera.

    Shitja e këtyre armëve do t’i shtohej ndihmës ushtarake prej të paktën 17.9 miliardë dollarësh që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Izraelit që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, kur filloi lufta.

    Administrata Biden është përballur me kritika për rritjen e vdekjeve të civilëve palestinezë. Ka pasur protesta në kampuset universitare, si edhe përpjekje të pasuksesshme në Kongres nga Senatori i pavarur Bernie Sanders dhe disa demokratë për të bllokuar që t’i shiten armë Izraelit.

    Në muajin maj Shtetet e Bashkuara pezulluan përkohësisht dërgimin e 2 mijë bombave të fuqishme në Izrael mes shqetësimeve mbi humbjet e jetëve të civilëve nëse ato do të përdoreshin gjatë sulmit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

    Administrata e Presidentit Biden ka kërkuar që Izraeli të rrisë ndihmën humanitare në Gazë. Por në nëntor, duke vënë në duke se ishte bërë një përparim i kufizuar në këtë drejtim, administrata refuzoi të kufizonte transferimin e armëve, siç kishte kërcënuar se do të bënte, në rast se gjendja nuk përmirësohej./VoA