Ballina

Etiketë: ShBA

  • Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, vizituan fabrikën e helikopterëve në SHBA

    Në përmbyllje të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Bashkim Jashari, kanë vizituar fabrikën e helikopterëve.

    Ministria e Mbrojtes njofton se ata kanë vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët “Black Hawk”, që ushtria e Kosovës do t’i ketë në flotën e mbështetjes ajrore.

    “Ministri Maqedonci së bashku me Gjeneral Jasharin takuan menaxhmentin e kësaj kompanie, ku diskutuan për opsionet e përfshirjes së helikopterëve në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 15.01.2025. 

    Sot, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerjen e helikopterëve, radarëve dhe mbrojtjes ajrore.

    Maqedonci dhe Jashari po qëndrojnë për vizitë zyrtare në SHBA nga data 13.01.2025. 

    Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite Maqedonci ka zhvilluar takime të nivelit të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, në Departamentin e Shtetit dhe në Senatin e SHBA-së. 

    https://kallxo.com/lajm/ministri-i-mbrotjes-dhe-komandanti-i-fsk-se-priten-nga-ndihmes-sekretari-i-mbrojtjes-per-nato-dhe-europe-ne-shba/

    https://kallxo.com/lajm/ministri-i-mbrojtjes-dhe-komandanti-i-fsk-se-udhetojne-per-ne-shba/

     

  • Haradinaj takohet me Të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me Të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati. 

    Haradinaj ka njoftuar se gjatë takimit me Prattipati është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë e në rajon dhe për forcimin e parteritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së. 

    “Konfirmova edhe një herë qëndrimin tonë të palëkundur për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës. Bashkëpunimi me SHBA-të mbetet thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin e vendit tonë, ndërsa anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional është rruga më e mirë për ta arritur këtë objektiv.” – ka shkruar Haradinaj, të mërkurën, më 15.01.2025. 

    Tutje, ai ka falënderuar Prattipatin për mbështetjen e SHBA-ve ndaj Kosovës.

    “Ky partneritet i fuqishëm është garanci për të ardhmen e sigurt të Kosovës dhe stabilitetin e rajonit.” – ka thënë ai. 

  • Mbyllja e strukturave ilegale – Ambasada Amerikane thotë se këto veprime e dobësojnë besimin

    Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar duke vlerësuar se veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia “dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”

    Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukturave paralele, të mërkurën, më 15.01.2025.

    Ambasada, në disa përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se këto veprime mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik dhe ndikojnë negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera.

    “Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme, për të gjithë njerëzit e saj.” – shkruan në përgjigje.

    Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën – u përgjigj Ambasada.

    Por KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës ka refuzuar kërkesen për bastisje në lokacionet e këtij rajoni dhe megjithëkëtë aksioni kishte vazhduar.

    Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Policia e Kosovës bëri kërkesë në Prokurori për të kryer bastisje, por jo duke prezantuar kërkesë me shkrim, por kishin kërkuar urdhërin përmes telefonit.

    Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur Komuna paralele të Serbisë, si dhe Posta e Zyra Tatimore, në dhjetë Komuna të ndryshme të vendit.

    Aksionet i zhvilluan në Komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.

    https://kallxo.com/lajm/prokuroria-e-prishtines-refuzoi-bastisjet-ne-objektet-e-strukturave-paralele/

     

     

  • Kuba do të lirojë të burgosur, pas hapit të SHBA-së

    Qeveria kubane ka njoftuar lirimin e qindra të arrestuarve. Ky është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të Qeverisë amerikane për ta hequr shtetin socialist nga lista e vendeve terroriste.

    Pas njoftimit të një përfaqësuesi të Qeverisë amerikane për heqjen e Kubës nga lista amerikane e vendeve terroriste, Havana ka folur për lirimin e qindra të burgosurve. Presidenti Miguel Diaz-Canel njoftoi një Vendim “për t’u dhënë liri 553 personave të dënuar siç duhet për krime të ndryshme” – tha Ministria e Jashtme Kubane.

    Sipas Ministrisë së Jashtme Kubane lirimi do të bëhet gradualisht. Për momentin nuk dihen emrat e të burgosurve kubanë të cilët do të lirohen.

    Havana e mirëpriti njoftimin e SHBA-së për heqjen e listës terroriste, si një hap në drejtimin e duhur. Megjithatë, bllokada e SHBA-së kundër vendit të tij mbetet në fuqi – tha ministri i Jashtëm Bruno Rodriguez, duke iu referuar embargos së madhe amerikane të vendosur ndaj shtetit komunist të Karaibeve, që nga viti 1962.

    Heqja nga lista amerikane e terrorizmit

    Sipas një zyrtari qeveritar, presidenti amerikan Joe Biden kishte vendosur më parë të hiqte Kubën nga lista amerikane e shteteve sponsorizuese të terrorizmit. Siç tha përfaqësuesi i Qeverisë në Uashington të martën, më 14.01.2025, ky “gjest i vullnetit të mirë” duhet të ndihmojë negociatat për lirimin e një “numri të konsiderueshëm të të burgosurve politikë”.

    Shpresohet se lirimi të ndodhë përpara se Donald Trump, Partia Republikane e të cilit tradicionalisht mban një linjë të ashpër kundër autoriteteve në Kubën komuniste të marrë detyrën të hënën e ardhshme, më 13.01.2025.

    Katër vjet më parë, Trump e vendosi Kubën në listën amerikane të vendeve që mbështesin terrorizmin, ku përfshihen edhe Siria, Irani dhe Koreja e Veriut. Pas marrjes së detyrës, ai mund ta ndryshojë menjëherë Vendimin e Biden-it.

    Dënime me burg për pjesëmarrje në protesta

    Vendimi për Lirimin e të burgosurve është pjesë e një Marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kisha Katolike. Ai ka të bëjë kryesisht me personat e arrestuar gjatë protestave antiqeveritare të verës 2021 në Kubë.

    Sipas shifrave zyrtare, rreth 500 persona janë dënuar në Kubë me burgim deri në 25 vjet, për pjesëmarrjen e tyre në protestat e 11 – 12.07.2021. Këto ishin demonstratat më të mëdha kundër Qeverisë së Havanës, që nga Revolucioni Kuban i vitit 1959./DW

  • Ministria e Mbrojtjes: FSK-ja merr dritën e gjelbër nga SHBA-ja për blerjen e helikopterëve

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në blerjen e helikopterëve, radarëve dhe mbrojtjes ajrore – ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes.

    Siç thekson Minstria, kjo është konfirmuar nga vizita zyrtare në SHBA e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit.

    “Mbështetja e SHBA-së përbën një shtyllë të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si një vend me vizion euroatlantik. Mirënjohje të thellë për aleatin tonë të përhershëm, SHBA-në, për ndihmën dhe besimin e vazhdueshëm.” – citohet ministri Maqedonci, në postimin e publikuar më 15.01.2025 nga Ministria e Mbrojtjes.

    Më tej thuhet se ministri Maqedonci shtoi se kjo iniciativë “jo vetëm që rrit aftësitë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe forcon pozicionin tonë si partner i besueshëm në rajon dhe më gjerë”.

    14.01.2025, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, bashkë me delegacionin përcjellës gjatë vizitës së tyre në SHBA janë pritur nga ndihmëssekretari i Mbrojtjes për NATO dhe Europë, Alton Buland në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.