Ballina

Etiketë: Serbia

  • Studentë serbë protestojnë në rrugët e Beogradit

    Dhjetëra-mijëra protestues kundër Qeverisë mbushën rrugët e Beogradit të dielën, duke ndezur dritat e telefonave celularë dhe mbajtur 15 minuta heshtje në nderim të viktimave nga shembja e çatisë së një Stacioni treni – aksident për të cilin i fajësojnë autoritetet.

    Protesta u organizua dhe u drejtua nga studentët e Universitetit shtetëror të Kryeqytetit serb, të cilët kërkojnë daljen përpara Drejtësisë të personave përgjegjës për aksidentin.

    Ata fajësojnë Partinë Progresiste Serbe (SNS) në pushtet të presidentit Aleksandër Vuçiç për korrupsion dhe nepotizëm. Presidenti serb dhe partia e tij i kanë mohuar akuzat.

    Studentët e Universitetit shtetëror në Beograd, Kragujevc dhe Nish kanë pezulluar mësimet për javë të tëra, duke kërkuar publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me rinovimin e Stacionit të shembur, si dhe ndjekjen penale të zyrtarëve përgjegjës për fatkeqësinë.

    Çdo ditë përpara Fakulteteve të tyre studentët bllokojnë trafikun për 15 minuta, për të përkujtuar 15 viktimat.

    Tenda prej betoni e çatisë së Stacionit të trenit, e rinovuar kohët e fundit, u shemb më 1 nëntor – duke u marrë jetën 14 individëve dhe plagosur tre të tjerë. Një i plagosur humbi jetën më vonë.

    Udhëheqësit e opozitës dhe qytetarët serbë kanë zhvilluar protesta të vazhdueshme – duke thënë se aksidenti ishte rezultat i korrupsionit dhe nepotizmit qeveritar.

    Qeveria e koalicionit i mohon akuzat, ndërsa Presidenti Vuçiq ka thënë se individët përgjegjës duhet të japin llogari.

    “Kemi vite që jemi të pakënaqur. Jemi këtu për të shprehur revoltën tonë ndaj autoriteteve dhe për të mbështetur studentët.” – tha protestuesja Tamara Kovaçeviç./VOA

  • SHBA-ja kërkon që Rusia të ketë “zero” pronësi në NIS

    Kushti i vetëm i Shteteve të Bashkuara për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) është që të mos ketë rrjedhë të parasë drejt Rusisë, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

    Zyrtari amerikan tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Moska ta udhëheqë NIS-in.

    “E vetmja mënyrë që rreziku të jetë zero, është që pjesa e pronësisë ruse të jetë zero. Ky është qëndrimi me të cilin hyjmë në këtë bisedë. Ne tashmë e kemi bërë këtë gjë me kompani të tjera ruse në vende të tjera si, Holandë, Zvicër dhe Turqi”, tha O’Brien të dielën për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS).

    Ai shtoi se SHBA-ja do të ndjekë rrugën drejt, siç tha, pronësinë konstruktive të NIS-it, nga e cila përfiton Serbia.

    Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.

    Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

    Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, tha në Beograd të shtunën se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike, nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i.

    Serbia e pret qëndrimin e Rusisë
    Serbia pret që bisedimet me Rusinë ta zgjidhin këtë çështje, pasi Uashingtoni dhe Beogradi ngritën çështjen e pronësisë ruse në NIS.

    “Duhet të dimë saktësisht se cilat janë kushtet dhe pastaj do të mund të bisedojmë me palën ruse”, tha të shtunën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por prodhuesi më i madh në botë i gazit, Gazprom, nuk i nënshtrohet embargos së vendeve perëndimore.

    Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, ka shumicën e aksioneve në NIS që nga viti 2008, ndërsa nga viti 2022, aksione ka edhe kompania e saj mëmë, Gazprom./REL

  • O’Brien: Kosova e Serbia duhet të ecin përpara për hir të së ardhmes së tyre evropiane

    Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet fqinjësore për hir të synimeve të veta për integrime evropiane.

    Në një intervistë për tabloidin serb, Kurir, të publikuar të dielën, O’Brien tha se të dyja vendet kanë nevojë ta bëjnë këtë.

    “Mendoj Kosova dhe Serbia duhet ta kuptojnë se ka rrugë normale evropiane për këtë çështje. Mendoj se tani, me një Bashkim Evropian më aktive në rajon, të dyja vendet e kuptojnë se ka gjëra që secila prej tyre duhet t’i bëjë, të cilat do ta bëjnë më të lehtë zgjidhjen çështjeve”, tha O’Brien.

    Por, shtoi ai, ato duhet ecin përpara dhe t’i bëjnë këto gjëra “për hir të rrugës së tyre evropiane, jo për shkak të disa negociatave të veçanta”.

    Një takim mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e BE-së.

    Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim e marrëdhënieve që nga viti 2011, ndërsa më 2023 arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.

    Megjithatë, ato ende nuk kane filluar ta zbatojnë këtë marrëveshje, sipas BE-së. Dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga BE-ja, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

    O’Brien u pyet gjithashtu se a mund të jetojnë serbët e Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, pas një varg hapash që Qeveria e tij i ndërmori gjatë vitit 2024 për t’i mbyllur institucionet paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe dhe për ta shtrirë autoritetin atje.

    “Mendoj se po”, u përgjigj ai, duke shtuar se “praktikisht çdo vend evropian ka pasur nevojë të merret me një çështje të tillë – një komunitet që ndihet i lidhur me një vend fqinj për shkak të lidhjeve kombëtare, fetare apo historike”.

    Po ashtu, Kosova ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, gjë që ka vështirësuar pagesën e pagave për pjesëtarët e komunitetit serb që marrin rroga nga buxheti i Serbisë.

    Këto hapa, Qeveria e Kosovës ka thënë se i ka ndërmarrë për të shtrirë sovranitetin, por është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar që kërkon që këto çështje të zgjidhen në dialogun e Brukselit, në mënyrë që të shmanget rritja e tensioneve në terren.

    Një zyrtar duke vendosur njoftimin për mbylljen e zyërs së kompanisë së sigurimeve nga Serbia – Dunav Osiguranje, në veri të Kosovës.

    Në anën tjetër, Serbia nuk pranon t’i mbyllë institucionet e saj në territorin e Kosovës dhe shumicën e tyre i ka zhvendosur afër pikave kufitare nga ana e Serbisë.

    Kosovës i kërkohet gjithashtu edhe themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, por ajo ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

    O’Brien bëri thirrje gjithashtu që serbëve në Kosovë, posaçërisht në veri, t’u jepet hapësirë ta thonë fjalën e tyre vet, pa i ndikuar apo detyruar nga të tjerët.

    “Ne duam të shohim që zëri i vet serbëve, në veçanti në veri, por edhe në gjithë Kosovë, të dëgjohet, jo që ata të detyrohen të flasin në një mënyrë apo tjetër siç u leverdis njerëzve në cilindo kryeqytet. Ata duhet t’i kenë të drejtat si çdo qytetar tjetër në një vend demokratik”, tha O’Brien.

    Ai tha se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe ekipi i tij, kanë bërë “punë të suksesshme falë të cilës ka zgjidhje për jetën e serbëve në Kosovë me respekt për ta si një komunitet, në mënyrë që ata të mund të jetojnë normalisht, ashtu si, për shembull, gjermanët në Itali ose holandezët në Belgjikë”./REL

  • Verma: Sanksionet ndaj NIS-it nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, por Rusisë

    Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma tha të shtunën se sanksionet ndaj industrisë së naftës nuk janë drejtuar ndaj Serbisë por kundër Rusisë.

    Verma: Sanksionet ndaj NIS-it nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, por Rusisë

    Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd një ditë pasi Shtetet e Bashkuara përfshinë Industrinë Naftës së Serbisë në paketën e sanksioneve ndaj prodhuesve kryesorë rusë të naftës, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas.

    “Ato janë të drejtuar kundër Rusisë, jo Serbisë. NIS (Industria e Naftës e Serbisë) është një nga dy mijë kompanitë e mbuluara nga sanksionet që synojnë heqjen e pronësisë ruse”, tha ai duke nënvizuar se nuk do të ketë pasoja për Serbinë nëse hiqet pronësia ruse.

    “Është e qartë se Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga Industria e Naftës e Serbisë nuk investohen në Serbi. Largimi i kapitalit rus, do të kontribuojë për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, tha zoti Verma, sipas një përkthimi të zyrës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

    Industria e Naftës e Serbisë (NIS), mbi 56 për qind të aksioneve të së cilës u takojnë kompanive ruse Gazprom Neft dhe Gazprom, është furnizuesja e vetme e Serbisë me gaz dhe pronarja e të dy tubacioneve që transportojnë gaz nga Rusia për në Serbi.

    Lexoni edhe këtë

    SHBA sanksionon industrinë serbe të naftës për shkak të pronësisë ruse

    Sanksioneve, të cilat Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i kishte paralajmëruar që më 13 dhjetor të vitit që lamë pas u është bashkuara edhe Britania e Madhe.

    Presidenti serb tha se deklarimet që Serbia nuk ishte objektivi i sanksioneve, nuk është farë ngushëllimi.

    “Rreth 30 vende, sipas llogaritjeve fillestare, janë prekur në mënyra të ndryshme nga këto sanksione ose subjekte nga ato vende. Por, kudo ka të bëjë me pasuritë, kapitalin dhe interesat ruse”, tha ai.

    Presidenti serb tha se ka shumë paqartësi lidhur me sanksionet.

    “Së pari duhet të kalojmë të paktën shtatë deri në 10 ditë të tjera duke biseduar me amerikanët, për të parë saktësisht se çfarë përmban e gjithë paketa e sanksioneve, në mënyrë që të mund t’u drejtohemi rusëve dhe më pas të flasim me ta për atë që duhet të bëjmë”, tha zoti Vuçiç.

    Presidenti serb tha të premten se Shtetet e Bashkuara kërkojnë “tërheqjen e plotë të kapitalit dhe interesave ruse” nga Industria serbe e Naftës, transformimi i pronësisë duhet të përfundojë brenda 45 ditësh dhe duhet të miratohet nga Shtetet e Bashkuara.

    Vuciç: Azerbajxhani e ka pezulluar furnizimin e Serbisë me gaz

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të shtunën se furnizimi i Serbisë me Gaz nga Azerbajxhani është pezulluar dhe është e paqartë se kur do të rifillojë.

    “Kam marrë informacion nga vëllezërit dhe miqtë tanë nga Azerbajxhani se për shkak të problemeve që ata kanë, nga sot nuk mund të llogarisim në 1.7 milionë metra kub gaz që vinte çdo ditë”, tha Presidenti Vuçiç, duke theksuar se “kjo do të thotë se që nga sot do të fillojmë të shpenzojmë rezervat e gazit”.

    Ai shfaqi shpresën se për një ose dy muaj të rifillojë furnizimi me gaz nga Azerbajxhani.

    Në vitin 2023, Serbia, e cila shpenzon më shumë se 3 miliardë metra kub gaz në vit, nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin për të blerë 400 milionë metra kub gaz natyror, nga viti 2024.

    Pjesën tjetër të gazit Serbia e siguron nga Rusia.

    Autoritetet në Azerbajxhan nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për të komentuar në lidhje me eksportet e gazit në Serbi.

    Serbia e cila zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se me zëvendës Sekretarin Verma biseduan edhe për vendosjen e një dialogu strategjik që sipas tij do t’i çojë marrëdhëniet në mes dy vendeve në një nivel më të lartë.

    “Dialogu strategjik nuk është diçka që do të zgjidhë problemet, veçanërisht rreth Kosovës, por hap mundësi dhe sfida të rëndësishme, të mëdha për qeveritë e ardhshme në Serbi dhe administratat në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi një vend i vogël për ta, por besoj se fakti që ata kanë treguar interes për një dialog strategjik me Serbinë për herë të parë, tregon se marrëdhëniet tona kanë ndryshuar për mirë”, tha presidenti serb.

    “Dialogu strategjik na siguron një format të strukturuar në mënyrë që qeveritë tona të mund të përqendrohen në tema thelbësore të bashkëpunimit si në fushat e mbrojtjes, energjisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ky dialog dëshmon për rëndësinë që ne i kushtojmë marrëdhënieve me Serbinë, të cilat bazohen në respektin e ndërsjellë dhe përkushtimin për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë”, tha zëvendës sekretari Verma.

    Lexoni edhe këtë

    Osmani: Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do të përmbyllin së shpejti dialogun strategjik

    Zyrtari amerikan shkoi në Serbi pas vizitës që zhvilloi në Kosovë, pas së cilës autoritetet në Prishtinë thanë se pritet që së shpejti të përmbyllet dialogu strategjik mes dy vendeve që sipas tyre do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës./VOA

  • Verma në Beograd: Sanksionet kundër NIS-it synojnë Rusinë, jo Serbinë

    Sanksionet e Shteteve të Bashkuara (SHBA) kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) synojnë Rusinë, jo Serbinë, tha Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, të shtunën në Beograd.

    “Qëllimi [i sanksioneve] është heqja e pronësisë ruse në strukturën e pronësisë, nuk do të ketë pasoja ekonomike nëse hiqet pronësia ruse në firmë”, tha Verma në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Vuçiq deklaroi se fakti që sanksionet ndaj NIS nuk kanë për qëllim Serbinë është “ngushëllim i dobët”.

    “Sipas llogaritjeve të para, rreth 30 vende janë prekur nga këto sanksione në mënyra të ndryshme – ose subjekte nga ato vende – por kudo bëhet fjalë për asetet, kapitalin dhe interesat ruse”, tha Vuçiq në konferencë.

    Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.

    Të premten, Vuçiq tha se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

    NIS-i u përfshi në listën e gjashtë kompanive që “janë në pronësi ose kontrollohen, veprojnë ose dyshohet se veprojnë për ose në emër të, drejtpërdrejt ose tërthorazi, Gazprom Nefta”.

    NIS është kompania e vetme në Serbi, e cila merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës dhe me prodhimin e gazit natyror.

    Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, ka shumicën e aksioneve në NIS që nga viti 2008, ndërsa nga viti 2022, aksione ka edhe kompania e saj mëmë, Gazprom.

    Gjithsej, ato kanë 56.15 për qind të aksioneve, kurse 29.87 për qind janë në pronësi të Serbisë.

    Pjesa e mbetur u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

    Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por prodhuesi më i madh në botë i gazit, Gazprom, nuk i nënshtrohet embargos së vendeve perëndimore./REL