Ballina

Etiketë: Serbia

  • Sanksionet kundër NIS-it në Serbi pa ndikim në Kosovë

    Sanksionet amerikane kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) nuk do të krijojnë asnjë efekt në tregun e karburanteve në Kosovë, vlerësojnë nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.

    Kryetari Fadil Berjani thotë se Kosova nuk importon karburante nga Serbia dhe rrjedhimisht “nuk do të ketë as lëvizje të çmimeve të naftës dhe të benzinës në vend”.

    Dogana e Kosovës konfirmon se gjatë vitit 2024 nuk ka pasur fare importe të naftës dhe benzinës nga Serbia.

    Nga Oda Ekonomike e Kosovës, ndërkaq, thonë se sanksionet ndaj NIS-it mund të ndikojnë në ngritjen eventuale të çmimeve të produkteve në Serbi, të cilat më pas importohen në Kosovë.

    Më 10 janar, Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur NIS-in në listën e sanksioneve, për shkak të aksioneve që ka në të kompania ruse, Gazprom Neft.

    Qëllim i sanksioneve është ta pengojnë Rusinë që t’i përdorë të ardhurat nga energjia për luftën e saj në Ukrainë.

    Nuk ka varësi nga Serbia

    Naftëtarët e Kosovës janë të gatshëm dhe e kanë të lehtë ta mbështesin embargon ndaj importit të karburanteve nga Serbia, thotë Berjani.

    Sipas tij, ata nuk importojnë fare naftë nga Serbia dhe nuk kanë asnjë lidhje me NIS-in.

    “Të gjithë importuesit që i ka Kosova – rreth 60 syresh – importojnë nga Porto Romano, nga Durrësi në Shqipëri”, thotë Berjani për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas të dhënave që siguroi REL-i nga Dogana e Kosovës për vitin 2024, Kosova ka importuar mbi 808 milionë litra naftë, në vlerë prej mbi 501 milionë eurosh, dhe mbi 92 milionë litra benzinë, në vlerë prej rreth 56 milionë eurosh.

    Gjatë vitit 2023, ndërkaq, janë importuar mbi 740 milionë litra naftë, në vlerë prej mbi 507 milionë eurosh, dhe mbi 86 milionë litra benzinë, në vlerë prej mbi 55 milionë eurosh.

    Atë vit, importi i karburanteve nga Serbia ka përbërë më pak se 1 për qind të sasisë së tërësishme të importit, sipas Doganës, ndërsa vitin e kaluar nuk ka pasur fare.

    Efektet eventuale “minimale”

    Berjani thotë se edhe në rast të rritjes së çmimeve të naftës dhe benzinës në Serbi, një gjë e tillë nuk do të ndikojë në Kosovë.

    “Në të gjitha situatat, nuk varemi asgjë nga Serbia, për sa u përket derivateve të naftës. Nuk ka nevojë për panik lidhur me çmimet, sepse nuk ka kurrfarë ndikimi tregu i Serbisë”, thotë Berjani.

    Ai tregon se në Kosovë, aktualisht, çmimi i naftës për litër është mesatarisht nga 1.25 deri në 1.28 euro, ndërsa në Serbi 1.70 euro.

    As Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, nuk pret rritje të çmimeve të karburanteve në Kosovë.

    Serbia është treg i vogël për të shkaktuar ndonjë çrregullim. Nuk është si Amerika ose Gjermania”, thotë ai.

    Megjithatë, Rafuna paralajmëron se rritja eventuale e çmimeve të karburanteve në Serbi – si pasojë e sanksioneve – mund të ndikojë në mënyrë jodirekte në Kosovë.

    Ai thotë se në Serbi ka mjaft kompani të huaja, amerikane, gjermane, italiane dhe turke, të cilat produktet e tyre i shesin edhe në Kosovë.

    Ngritja eventuale e kostos së prodhimit të produkteve në Serbi për këto kompani, sipas tij, mund të shkaktojë “efekte indirekte minimale” edhe për tregun e Kosovës.

    “Produktet që importojmë prej këtyre kompanive të huaja, të cilat prodhojnë në Serbi, mund të na vijnë me një kosto pak më të lartë sesa që e kemi tani. Por, ky është vetëm supozim”, thotë Rafuna.

    Ai shton se edhe në atë rast, efekti do të ishte minimal, sepse nëse tregu i Kosovës nuk do të jetë i gatshëm t’i pranojë produktet e njëjta nga Serbia me çmime eventualisht pak më të larta, importuesit do të orientohen drejt produkteve më të lira nga vendet e tjera.

    Kosova, shumicën e mallrave i importon nga jashtë – vendet e rajonit, të Bashkimit Evropian, Turqia etj.

    Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh – duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore – ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove – më së shumti produkte të metalit dhe plastikës/RadioEvropaeLirë/.

     

  • Takimi i parë Kosovë-Serbi në Bruksel i Komisionit të Përbashkët për të Pagjeturit

    Në Bruksel sot, më 15.01.2025, zhvillohet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të Pagjeturit.

    Ngritja e këtij Komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar, në kuadër të Dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. Se kush janë, mund të lexoni këtu.

    Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga Halil Cenaj – bëri të ditur kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

    Ndërkaq, para takimit Serbia nuk bëri të ditur se kush do të udhëheqë delegacionin e saj.

    Sipas burimeve në BE, në këtë takim nuk pritet ndonjë veprim konkret, por do të jetë më shumë i karakterit simbolik dhe ceremonial, duke qenë se do të jetë takimi i parë i këtij Komisioni. Po ashtu, fakti që Kosova është në periudhë të fushatës zgjedhore, ndikon që ky të jetë vetëm një takim simbolik.

    Burimet në Bruksel thanë se takimi do të jetë rast që palët të paraqesin prioritetet e tyre dhe të merren vesh për datat e takimeve të ardhshme, në të cilat priten rezultate konkrete.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti shkroi në Facebook se në Bruksel do të përcaktohen Plani i punës dhe takimet e radhës.

    Ai u shpreh se në këtë drejtim, delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, “me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiqi dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë”.

    “Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Marrëveshjes ekzistuese – Deklaratës për Persona të Zhdukur, e miratuar më 02.05.2023.” – tha ai.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të formonin këtë Komision të Përbashkët për të zbatuar Deklaratën dhe BE-ja e kishte cilësuar si një nga rezultatet më të rëndësishme të Dialogut vitin e kaluar.

    Deklarata politike ishte arritur në maj të vitit 2023, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

    Megjithatë, deri më tani nuk është bërë ndonjë veprim konkret për zbatimin e saj, teksa familjarët e më shumë se 1.600 persona të pagjetur – kryesisht shqiptarë – me ankth presin të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

    Një nga ta është edhe Fitim Dubovci, i cili kërkon babanë e tij të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, më 1998-1999.

    “Babanë e kanë marrë të gjallë, por sot vetëm 1% besoj se mund të jetë i gjallë diku.” – tha ai për REL-in, në prill të vitit 2024.

    Fitimi nga Çikatova e Drenasit, përveç babait ka edhe pesë familjarë të tjerë të zhdukur.

    “Sa e sa familjarë të personave të zhdukur tashmë kanë vdekur ‘me sy hapur’, sepse nuk e kanë ditur ku i kanë më të dashurit e tyre.” – tha ai.

    BE-ja ka thënë më herët se për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur duhet funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët.

    Megjithatë, në të kaluarën palët kishin akuzuar njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë, për të dhënë informacione për të pagjeturit, si dhe qasje në dokumente relevante e arkiva ushtarake të rëndësishme për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

    Në Deklaratën për Personat e Zhdukur thuhet se palët angazhohen për identifikimin e vendeve të varrimit dhe më pas që në to të gërmohet.

    Aty po ashtu palët pajtohen që të ofrojnë qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që do të ndihmonin në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur, në periudhën 01.01.1998 – 31.12.2000.

    “Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst.” – thuhet në Deklaratë.

    Në këtë Deklaratë nuk përmenden arkivat ushtarake apo policore, që Kosova ka kërkuar që Serbia t’i hapë pasi thotë se në to janë edhe informacionet për të zhdukurit.

    Megjithatë, aty përmenden dokumentet me status të klasifikuar, që sipas njohësve iu referohet dokumenteve konfidenciale apo arkivave shtetërore ushtarake e policore, të cilat sipas tyre do të ndihmonin në gjetjen e personave të pagjetur.

    Kosova ka kryer gërmime në lokacione të ndryshme ku dyshohen për mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës. Por, autoritetet shpesh kanë thënë se problemi qëndron në lokacionet në Serbi, ku dyshohet se janë varrosur viktimat e luftës në Kosovë.

    Në rajon, nga konfliktet në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë zbardhja e fatit të personave të zhdukur është po ashtu pjesë e punës së Komisioneve të Përbashkëta mes këtyre shteteve./REL

  • Lavrov: Moska në kontakt me Serbinë lidhur me pronësinë e NIS-it

    Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të martën, më 14.01.2025, se Moska është në kontakt me “miqtë e saj serbë”, lidhur me fatin e pronësisë së kompanisë serbe të naftës NIS, e cila u vu nën sanksionet e SHBA-së.

    Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas një takimi me ambasadorin rus në Serbi, Bocan-Harçenko tha se ka kërkuar “nga miqtë rusë” fillimin e konsultimeve dhe mbajtjen e takimeve për funksionimin e NIS-it në të ardhmen.

    “(Diskutuam edhe për) gjetjen e zgjidhjes më të mirë në interes të ndërsjellë, duke ruajtur marrëdhëniet e partneritetit dhe ato miqësore ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse.” – shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, të martën, më 14.01.2025.

    Vuçiq tha të premten, më 10.01.2025, se pas sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara kundër sektorit të naftës ruse, kompanisë Gazprom Neft të Rusisë do t’i jepet një afat prej 45 ditësh për të dalë nga pronësia e NIS-it.

    Ky afat vlen edhe për Serbinë që të përfundojë “nënshkrimin e çfarëdo Marrëveshjeje apo Kontrate me palën ruse”.

    Pas kësaj, siç tha ai, sanksionet hyjnë në fuqi “plotësisht”.

    Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj amë Gazprom.

    Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50% të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87% të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15% të aksioneve.

    Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

    Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma tha në Beograd të shtunën, më 11.01.2025, se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike – nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i./REL

  • Gjuriq: Serbia mund të jetë nikoqire e takimit eventual mes Trumpit e Putinit

    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq tha se Serbia është e gatshme të mirëpresë një takim të mundshëm midis presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

    “Serbia mund të luajë një rol të rëndësishëm si mikpritëse. Presidenti [Aleksandër] Vuçiq ka ndërtuar një reputacion ndërkombëtar, që na mundëson të jemi vend i takimeve të tilla.” – tha Gjuriq për Radio Televizionin e Serbisë.

    Media të ndryshme ndërkombëtare janë duke raportuar ditëve të fundit për mundësinë e një takimi të tillë, derisa Trump – i cili është zotuar se do ta përfundojë shpejt luftën e Rusisë në Ukrainë – pritet ta marrë zyrtarisht detyrën, më 20 janar.

    Kremlini tha të hënën se nuk ka ende ndonjë përgatitje specifike për këtë takim, ndërsa një këshilltar i Trumpit tha se dy udhëheqësit pritet të bisedojnë përmes telefonit në ditët ose javët në vazhdim – raporton Reuters.

    Duke folur për RTS-në, Gjuriq tha se Beogradi mund të bëhet me sukses vend i takimit.

    “Besoj se mund ta japim kontributin tonë dhe të luajmë një rol të vogël, por jo krejtësisht të parëndësishëm dhe t’ua ofrojmë një gjë të tillë partnerëve tanë.” – tha Gjuriq.

    Për gatishmërinë e Serbisë për t’u bërë nikoqire e mundshme e Trumpit dhe Putinit foli një ditë më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Javën e kaluar, industria e saj e naftës, NIS e cila në masë të madhe është nën pronësinë e një kompanie ruse, është sanksionuar nga SHBA-ja.

    Por, Gjuriq tha se Serbia i ka marrë të gjitha masat për t’i shmangur trazirat në treg.

    Ai tha, gjithashtu, se Serbia do të nisë Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “Kjo është e një rëndësie të jashtëzakonshme për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë. Partneriteti e bën të rregullt shkëmbimin ndërmjet institucioneve tona dhe kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, teknologjisë së re, kulturës dhe arsimit, me një numër më të madh të bursave.” – tha Gjuriq.

    Për Zgjedhjet në Kosovë

    Kryediplomati serb foli edhe për Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt.

    “Është e rëndësishme që populli ynë të mbetet unik dhe që Lista Serbe të marrë pjesë në Zgjedhje, për të treguar se nuk po tërhiqemi.” – tha Gjuriq.

    “Unë vërtet dua që serbët të dalin në Zgjedhje, t’i tregojmë [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, se nuk dorëzohemi, se nuk largohemi nga institucionet dhe se serbët dhe Serbia nuk tërhiqen.” – shtoi ai.

    Lista Serbe është formuar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë është e vetmja parti që ka mbështetjen e Serbisë për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës.

    Përveç Listës Serbe, në garë për dhjetë ulëset e garantuara për serbë në Kuvendin e Kosovës janë edhe pesë subjekte të tjera politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë; Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore./REL

  • Lajçak thotë se fokusi i javës në Bruksel është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur

    I dërguari i veçantë i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak ka njoftuar se gjatë kësaj jave në Bruksel fokusi kryesor është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

    Këtë njoftim, Lajçak e bëri në rrjetet sociale në të cilat foli edhe për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në takimet e tij Lajçak thotë se u fol për sfidat dhe mundësitë gjeopolitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit.” – shkroi Lajçak mes të tjerash.

    Lajçak ka njoftuar në rrjete sociale se këto çështje i diskutoi me ndihmëssekretarin amerikan për Europë dhe Euroazi, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmëssekretarin e shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof.

    “Për më tepër, pata mundësinë të informoja zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Richard Verma, përpara vizitës së tij në rajon.” – shkroi tutje Lajçak.

    Lajçak shkoi edhe në New York, me ç’rast thotë se u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

    Në takim me të, Lajçak thotë se biseduan për dinamikat rajonale.

    “Takimi im me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së, Rosemary DiCarlo përforcoi nevojën për përpjekje shumëpalëshe të mirëkoordinuara, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij drejt integrimit europian.” – shkroi tutje ai.

    https://kallxo.com/lajm/komisioni-qeveritar-per-persona-te-zhdukur-me-ne-fund-do-te-mund-te-adresojme-te-gjitha-shqetesimet-tona/