Moldavia po përballet me krizë sigurie pasi dhjetëra mija banorë në enklavën separatiste të Transnistrisë u është ndërprerë qarkullimi i gazit rus, ka paralajmëruar të premten (03.01.2025) Dorin Recean, raporton Reuters.
Qarkullimi i gazit rus nëpërmjet Ukrainës, që furnizonte Europën Qendrore dhe Lindore, është ndërprerë në fund të vitit 2024, pasi Kievi refuzoi të vazhdonte bashkëpunimin e mëtejshëm biznesor me Moskën.
Recean ka thënë se Moldavia do të mbulonte nevojat e veta të energjisë me prodhimin e brendshëm dhe me importe, por ka theksuar se rajoni separatist i Transnistrisë e ka pësuar më së rëndi pavarësisht raporteve të saj me Moskën.
“Duke rrezikuar të ardhmen e protektoratit, ka mbështetur për tri dekada në një përpjekje për të destabilizuar Moldavinë, Rusia po e shpalos rezultatin e pashmangshëm për të gjithë aleatët e vet – tradhtinë dhe izolimin”- thuhet në një deklaratë të shkruar.
“Ne e trajtojmë këtë si krizë sigurie që synon të mundësojë rikthimin e forcave pro-ruse në pushtet në Moldavi dhe për ta kthyer në armë territorin tonë kundër Ukrainës, me të cilin ndajmë kufi prej 1200 kilometrash”.
Shteti i Europës Juglindore prej 2.5 milionë banorësh ka qenë në qendër të vëmendjes prej pushtimit rus të Ukrainës fqinje në një kohë tensionesh në ngritje ndërmjet Moskës dhe Perëndimit.
Presidentja e saj pro-europiane, Maia Sandu, fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet e vjetme dhe është zotuar se do ta zgjerojë reformën dhe se do ta konsolidojë demokratizimin. Moldavia planifikon të mbajë zgjedhje parlamentare në verë.
Rajoni kryesisht rusishtfolës i Transnistrisë, i cili është ndarë nga Moldavia në vitet e nëntëdhjeta, merrte gazin rus nëpërmjet Ukrainës.
Në këmbim, Moldavia përdori një hise të energjisë së saj elektrike nga Transnistria, por me Kievin që e bëri të qartë se do të hiqte dorë prej lejimit të territorit të tij për gazin rus, Çisinau u përgatit për ujdi alternative, me përzierje të prodhimit të brendshëm dhe importeve elektrike nga Rumania, ka bërë të ditur Recean.
Ai ka thënë se Qeveria rumune mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar enklavën. “Zgjidhjet alternative të energjisë, si sistemet e biomasës, gjeneratorët, ndihma humanitare dhe furnizimet mjekësore kritike janë të gatshëm për të ofruar ndihmë që ta pranojë lidershipi separatist”- thuhet në deklaratën qeveritare.
Lideri pro-rus i Transnistrisë, Vadim Krasnoselsky, ka thënë se rajoni ka rezerva gazi që mund të përfundojnë brenda dhjetë ditësh në pjesët veriore, dhe se sasia e rezervave është dyfish më e madhe se në jug.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com