Ballina

Etiketë: sanksionet amerikane

  • Biden zgjeron fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit në Ballkanin Perëndimor

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zgjeruar të mërkurën fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit e përfshirë në destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Kjo vlen për ata të cilët u nënshtrohen masave ndëshkuese amerikane për sfidimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës, si dhe pjesëmarrjen në korrupsion të konsiderueshëm që cenon sundimin e ligjin dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmangien e sanksioneve të qeverisë amerikane.

    Me këtë urdhër ekzekutiv, Biden ka ndërmarrë hapa shtesë, duke ndryshuar dhe plotësuar tre urdhrat në lidhje me Ballkanin Perëndimor nga viti 2021, të cilat kanë të bëjnë me bllokimin e aseteve dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për njerëzit që kontribuojnë në destabilizimin e rajonit, tha Shtëpia e Bardhë në një njoftim.

    Rregullorja e vitit 2021 parashikon që sanksionet – bllokimi i aseteve dhe ndalimi i hyrjes në SHBA – të zbatohen për personat që janë direkt ose indirekt përgjegjës për veprimet dhe politikat që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të një zone ose një shteti në Ballkanin Perëndimor, minojnë proceset apo institucionet demokratike, shkelin të drejtat e njeriut apo përfshihen në korrupsion.

    Sanksionet zbatohen ndaj njerëzve që, në mënyrë direkte ose indirekte, kanë marrë pjesë ose kanë tentuar të marrin pjesë në shkeljen, pengimin ose rrezikimin e zbatimit të sigurisë rajonale, marrëveshjeve të paqes ose marrëveshjeve për njohjen reciproke në Ballkanin Perëndimor, thuhet në njoftim.

    “Këtu përfshihen Marrëveshja e Prespës e vitit 2018, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, Marrëveshja e Dejtonit, ose konkluzionet e Këshillit për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e Përfaqësuesit të Lartë, Këshilli për zbatimin e paqes ose Bordi i tij Drejtues ose Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, d.m.th., Mekanizmi Ndërkombëtar i mbetur për Gjykatat Penale”, thuhet tutje në njoftim.

    Çfarë ka të re?

    Rregullorja e re thekson se sanksionet zbatohen për këdo që Departamenti amerikan i Thesarit, në konsultim me Departamentin amerikan të Shtetit, përcakton të jetë drejtues, oficer ose anëtar i një njësie, duke përfshirë një ent qeveritar, i cili ka marrë pjesë ose ka tentuar të marrë pjesë në ndonjë prej aktivitetet e përcaktuara me rregulloren e mëparshme.

    Masat do të vlejnë gjithashtu për personat që ndihmuan, sponsorizuan ose ofruan mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, ose mallra ose shërbime mbështetëse, për çdo person, pasuritë dhe interesat e të cilit në asete janë të bllokuara në përputhje me atë rregullore.

    Ato vlejnë edhe për ata që konstatohet se zotërojnë ose kontrollojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, çdo person të cilit i bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.

    Masat tani vlejnë edhe për bashkëshortët apo fëmijët e rritur të personave të cilëve u bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.

    Biden theksoi në dekret se hapa shtesë po ndërmerren “në funksion të ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë përpjekjet e vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor, për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës, për t’u angazhuar në korrupsion të konsiderueshëm që minon sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmangien e sanksioneve të qeverisë amerikane”. /REL

  • Serbia shqyrton mundësi për furnizimet me naftë e gaz pas sanksioneve të supozuara amerikane

    Qeveria e Serbisë e ka miratuar një vendim për themelim të një trupi koordinues për t’i garantuar furnizimet me gaz dhe naftë, pas vendosjes së sanksioneve potenciale amerikane në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë ruse.

    Në deklaratë është thënë se ky trup do të drejtojë dhe koordinojë punën dhe aktivitetet e grupeve punuese – njërit që vëzhgon aktivitetet e Thesarit amerikan, dhe tjetrit për negociata dhe marrëveshje për furnizimin e Serbisë me gaz natyror të Rusisë.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka thënë Televizionit publik të Serbisë, RTS se pret që SHBA-ja t’i vendosë sanksione NIS-it më 10 apo 13 janar.

    Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe kompania e saj amë, Gazprom kanë shumicën e aksioneve të NIS-it, 56.15 për qind, prej vitit 2008, ndërsa 29.87 për qind e kompanisë është nën pronësi të shtetit të Serbisë.

    Më 4 janar, Vuçiq ka thënë se nënsekretari amerikan për Rritje Ekonomike, Energji dhe Ambient, Jose Fernanez, i ka konfirmuar që SHBA-ja do t’i vendosë sanksionet NIS-it.

    Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 16 dhjetor se nuk konfirmon sanksionet, por “është i përkushtuar të pengojë gjenerimin e të hyrave të Rusisë, si dhe rrjetet e financimit që përdor Rusia për të mbështetur luftën kundër Ukrainës”.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka thënë për RTS-në më 23 dhjetor se nuk është në dijeni për vendosje sanksionesh.

    Megjithatë, sipas tij, “ekzistojnë shqetësime” nëse NIS-i në duart ruse është duke ndihmuar disi në financim të luftës së Moskës në Ukrainë, dhe që këto çështje duhet të analizohen me kujdes.

    Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë futur Gazprom Neftin në listë të zezë më 2014, pasi Rusia pati aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.

    Gazprom, ndërkaq, nuk është në listën e sanksioneve të Perëndimit.

    Pavarësisht përpjekjeve për t’i diversifikuar burimet e funrizimit – pas nisjes së luftës në Ukrainë – Serbia vazhdon të varet në masë të madhe nga burimet ruse të energjisë, dhe kjo varësi ka qenë një prej argumenteve kryesore të Beogradit zyrtar për të mos vendosur sanksione ndaj Moskës, me gjithë insistimin e Perëndimit./REL