Ballina

Etiketë: ryshfet

  • Pakistani dënon ish-kryeministrin Khan me 14 vjet burgim për ryshfet

    Një Gjykatë pakistaneze e ka dënuar ish-kryeministrin Imran Khan me 14 vjet burgim, të premten, më 17.01.2026, në një rast korrupsioni për tokë – ka njoftuar transmetuesi lokal ARY News – njofton Reuters.

    Vendimi për këtë çështje, më i madhi për sa i përket keqpërdorimit financiar me të cilin u përball Khan, u shqiptua nga një Gjykatë antikorrupsion në një burg në qytetin garnizon, Rawalpindi, ku Khan është i burgosur prej gushtit 2023.

    Ish-ylli i kriketit, 72 vjeç, ishte paditur me akuzat se atij dhe gruas së tij iu dhurua tokë nga një magnat i pasurive të paluajtshme gjatë mandatit si Kryeministër, gjatë viteve 2018- 2022, në këmbim të favoreve të paligjshme.

    Khani dhe gruaja e tij, Bushra Bibi ishin deklaruar të pafajshëm. Shpallja e Vendimit u vonua tre herë – së fundmi edhe të hënën pas bisedimeve ndërmjet Qeverisë dhe partisë së Khanit.

    Bushra Bibi, e cila është në fund të 40-ave dhe ishte liruar me kusht, u dërgua në paraburgim pasi u shpall fajtore për të njëjtin rast – ka raportuar Geo News.

    “Ndërsa ne presim një Vendim të detajuar, është e rëndësishme të theksohet se, rasti i ‘Al-Qadir Trust’ kundër Imran Khanit dhe Bushra Bibit nuk ka ndonjë bazë të fortë dhe detyrimisht do të rrëzohet.” – ka shkruar në një deklaratë krahu i mediave i partisë së Khanit në Pakistan, Tehreek-e-Insaf.

    Vendimi është pengesa më e madhe për Khanin dhe partinë e tij, që nga rezultati çuditërisht i mirë në Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, kur kandidatët e saj, të cilët u detyruan të konkurronin si të pavarur fituan shumicën e mandateve, por nuk arritën shumicën e nevojshme për të formuar një Qeveri.

    I burgosur që nga gushti 2023 Khan është përballur me dhjetëra raste, duke filluar nga akuzat për ryshfet dhe shpërdorim pushteti, deri te nxitja e dhunës kundër shtetit, pasi u hoq nga detyra në një votëbesim parlamentar në prill 2022.

    Ai ose shpallej i pafajshëm, ose i pezulloheshin dënimet në shumicën e rasteve, me përjashtim të njërit, bazuar mbi akuzën e nxitjes së mbështetësve për të sulmuar nëpër objektet ushtarake gjatë protestave kundër arrestimit të tij, më 9 maj 2023.

    Mbështetësit i kanë udhëhequr disa protesta të dhunshme që nga incidentet e 9 majit.

    Ai është gjykuar brenda burgut për arsye sigurie.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Mitrovicë – Instruktori dyshohet se pranoi ryshfet për kalimin e testit me shkrim për patentë-shofer

    Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar dy persona për dhënie dhe marrje të ryshfetit, në Mitrovicë, të enjten, më 15.01.2025. 

    Sipas Policisë, dyshohet se njëri prej të arrestuarve, në cilësinë e instruktorit të vozitjes në një Autoshkollë private, ka pranuar nga i dyshuari tjetër para, me qëllim të lehtësimit të procedurës për kalimin e testit me shkrim për kategorinë B të vozitjes. 

    Ndërkaq, Policia thotë se në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 600 euro, para të gatshme dhe dy telefona celularë. 

    “Me urdhër të Prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.” – njofton Policia, më 16.01.2025.